Veprimet destruktive të opozitës

October 30, 2008   | Rajoni / Region, Shtypi / Mediji

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e Malit të Zi, ishte shkas që në tubim protestues opozita proserbe të shpalosë përseri proflilin politik që veçohej me paragjykime, mitologji dhe me qasje neofashiste, nga del se pushteti aktual nuk ka nevojë të shqetësohet, sepse nga veprimet e tyre iracionale dhe destruktive përfocojnë pushtetin e M.Gjukanoviqit në kohë të pacaktuar.
Vendim i pritur nga Qeveria e Malit të Zi
Nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nuk ka pasur dilemë së Mali i Zi do të njohë zyrtarisht pavarësinë e saj, por çështja ka qenë se kur një akt i tillë do të zyrtarizohej. Dhe ne ketë aspekt ka pasur dilema të ndryshme, duke marrë parasysh së në Mal të Zi jetojnë rreth 32% të popullsisë të deklaruar si serbe në aspektin kombëtar, të cilët janë deklaruar publikisht nga përfaqësuesit e tyre politikë se do ta refuzojnë në çdo aspekt një vendim të tillë të Qeverisë. Por, duke marrë parasysh rrethanat shoqërore, momentin politik dhe mbi të gjitha interesin nacional të Malit të Zi, vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Malit të Zi e mori njëzeri më 9 tetor 2008. Po atë ditë, një vendim të tillë e mori edhe Qeveria e Maqedonisë, madje ne lidhje me ketë akt të dy qeveritë kanë dalur me një kumtesë të përbashkët, që është rast i rrallë në diplomacinë ndërkombëtare. Por, nuk ka dilemë se ka ekzistuar një koordinim ne mes të dy qeverive, madje mund të thuhet se ka ekzistur një skenar dhe regji e përbashkët.
Nuk ka dilemë se vendimi i Qeverisë së Malit të Zi ishte akt i guximshëm, duke vlerësuar me realizëm momentin politik, ndërsa shtyrja e njohjes së pavarësisë së Kosovës do të ishte një verbëri politike. Madje kryeministri M.Gjukanoviqi e ka bërë të qartë se “nëse Mali i Zi dhe Rajoni dëshirojnë të jenë pjesë të Evropës, atëherë, sipas tij duhet të respektohen standardet e saj”. Madje ai është decid kur thotë se “në pyetje ka qenë ndërtimi i besimit dhe partneritetit me BE dhe NATO apo në anën tjetër mbështetja e iluzioneve të Serbisë”. Ai ka shtuar se Podgorica dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Shqipërinë, Kosoven dhe Serbinë. Me njohjen e Kosovës Mali i Zi për vete ka prodhuar favore dhe “nuk do t`i kthehet iluzioneve dhe miteve”, por drejt synimeve evropiane dhe euroatlanike dhe do të avancojë me atë shpejtësi, me të cilën është në gjendje që të përqafojë standardet evropiane”, është shprehur kryeministri M.Gjukanoviqi në një intervistë për B92. Nuk ka dilemë se një vendim i tillë që është meritë para së gjithash e kryeministrit M.Gjukanoviqi, paraqet një goditje tjetër për politikën neofashiste serbe e cila edhe pas largimit nga skena të S.Millosheviqit, ndaj fqinjëve dhe sidomos ndaj shqiptarëve vazhdohet në mënyrë identike si më parë.

Reagimi i Qeverisë serbe – “hakmarrje diplomatike”
Por derisa në Podgoricë u muar vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk vonoi reagimi nga Qeveria e Serbisë, sepse po atë ditë, ajo shpalli “persona non grata” ambasadoren e Malit të Zi, në Beograd, duke i lenë afat prej 72 orësh që të largohet nga Beogradi. Po ashtu në mënyrë analoge u veprua edhe ndaj ambasadorit të Maqedonisë. Ishte ky një vendim i nxituar i Beogradit, duke shprehur kështu mllefin ndaj këtyre dy vendeve, por është indikative se në të njëjtën mënyrë nuk është vepruar ndaj 48 shtetëve të tjera të cilat e kanë njohur më parë pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, si Podgorica ashtu dhe Shkupi nuk kanë vepruar në mënyrë identike, duke treguar një qendrim diplomatik i cili është vlerësuar në qarqet ndërkombëtare.
Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ndaj Podgoricës dhe Shkupit ishte një hakmarrje dhe një ndëshkim që zakonisht është personal, ishte i nxituar me ngarkesë emocionale. Zatën nuk ka si të jetë ndryshme, kur kemi parasysh të kaluarën historike të paktën nga fillimi i shekullit të kaluar, sepse këto dy vende Beogradi vazhdimisht i ka konsideruar si zona të veta të influencës. Por, Beogradi ka harruar, se politika është arti i së mundshmes, dhe se nuk ka interesa të përhershme, por ato ndryshojnë varësisht nga rrethanat aktuale politike, në rajon dhe më gjerë. Por, politika serbe duhet ta kuptojë se Mali i Zi dhe Maqedonia tashmë janë shtete të pavarura dhe nuk janë me protektorate të Serbisë. Në këtë mënyrë duhet kuptuar edhe votimin pro Serbisë të Malit të Zi në OKB për dërgimin e rezolutës serbe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa një ditë më pas Mali i Zi njohu zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës.

Sindromi i hegjemonizmit të opozitës proserbe

Nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe formimi i shtatë shteteve të reja me njohje ndërkombëtare nuk ka dilemë se humbës më të mëdhënj janë serbët, të cilët edhe praktikisht kanë dështuar në konceptin e tyre hegjemonist për shtetin e “Serbisë së Madhe”. Madje, serbët nuk janë të përgatitur as emocionalisht e as politikisht, për të pranuar realitetin se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, me ta nuk ka dëshiruar të jetojë askush, sepse çdokush dëshiron të jetë i pavarur dhe sovran për të vendosur për fatin e vet.
Serbët harrojnë se nga luftërat ballkanike 1912/1913 sipërfaqa e territorit të tyre u dyfishua duke okupuar fillimisht Kosovën e Maqedoninë të cilat u quajtën me termin gjeografik “Serbia e Jugut” dhe më pas në Kuvendin e Podgoricës(1918), suprimuan pavarësinë e Malit të Zi, duke ia bashkëngjitur Serbisë, më pas Mbretërisë SKS, me konceptin e ri rajonal si “Banovina e Zetës”.
Duke qenë të helmuar nga sindromi i hegjemonizmit dhe duke e llogaritur Malin e Zi si pjesë të territorit të tyre qoftë si provincë apo rajon, serbët, pavarësinë e Malit të Zi më 21 maj 2006 e kanë marrë tragjikisht, sepse nuk kanë mundur ta paramendojnë se do të ndahet “njëri sy” i kokës së përbashkët. Andaj, nuk ishte çudi se ata në mënyrë plebishitare votuan kundër pavarësisë së Malit të Zi, por pësuan fiasko, sepse blloku pro pavarësisë ishte më dominues.
Por, edhe pse Mali i Zi u pavarësu dhe u njoh ndërkombëtarisht, për serbët ky është një realitet i papranueshëm. Madje serbët qoftë në Mal të Zi apo në Serbi ndaj pavarësisë së Malit të Zi kanë qasje mohuese sepse sipas tyre ky vend është “sparta serbe”.
Organizimi i protestës më 13 tetor me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e qeverisë së Malit të Zi, bëri që përsëri në opinion të shprehin mllefin e akumuluar më herët por edhe njëherit duke paralajmëruar se si do të veprojnë nëse ndonjëherë do të vijnë në pushtet. Deklaratat e pjesëmarrësve nuk paraqesin ndonjë befasi, sepse opinionit të gjerë i janë të njohur, por është fatkeqësi se si nuk kanë nxjerrë mësime pas të gjithave çka ka ngjarë në ish-Jugosllavi. Diskutimet dhe atmosfera e protestës ishte dëshpëruese, sepse ishte identike me vitet 1991 e më pas kur në Mal të Zi, në çdo moment rrezikohej jeta e qytetarëve në përgjithësi, e sidomos e popujve pakicë në veçanti. Nuk ka dilemë se nga një situatë e tillë përsëri do të kemi një homogjenizim të qytetarëve të ndarë në dy blloqe në ata pro Malit të Zi me pushtetin aktual dhe në ata proserbë të cilët janë kundër çdo elementi shtetëror të këti vendi.

Pushteti aktual përfituesi më i madh
Organizimi i protestës më 13 tetor, pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës, diskutimi i tyre dhe incidentet e krijuara në fund të protestës, dëshmuan se opozita serbe dhe proserbe, ka mbetur ende me konceptet e mitologjisë mesjetare dhe aspiratave ekspansioniste me qasje hegjemoniste.
Kërkesat e paraqitura në ketë protestë si: anulimi i vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbajtja e referendumit për një çështje të tillë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dëshmojnë në mënyrë transparente se kjo opozitë nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara dhe se nga situata e krijuar përfitues më i madh është pushteti aktual.
Madje, mund të thuhet lirisht, se M.Gjukanoviqi nuk ka nevojë për ndonjë fushatë parazgjedhore, sepse ketë punë është duke ia kryer në mënyrë perfekte opozita serbe, duke ia përforcuar pushtetin në një kohë të pacaktuar. Pamjet nga protesta dhe fjalori i përdorur nga liderët politikë, e në veçanti nga përfaqësuesi i KOS-it i cili kishte deklarata klero-neofashiste, pushtetit aktual i japin legjitimitet të plotë edhe para faktorit ndërkombëtar.

Shqiptarët në Mal të Zi të pakonsoliduar

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e Malit të Zi nuk ka dilemë së do të ndikojë qoftë edhe në mënyrë indirekte në avansimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në ketë mjedis. Në ketë aspekt shqiptarët në Mal të Zi kanë një përparësi sepse si Mali i Zi ashtu edhe Kosova, më parë ishin në shtetin e përbashkët i cili filloi të dekompozohej në vitin 1991, ndërsa përfundimisht u shpërbë në vitin 1992.Andaj, relacionet e ndërsjella të mëhershme besoj se do të jenë një element pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe qeveritare.
Por, situata e re e cila do të pasojë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve për të qenë në favor të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet patjetër të jetë në favor të konsolidimit të shqiptarëve në Mal të Zi. Një konstatim i tillë nuk është diçka e panjohur, sepse nga organizimi i referendumit për pavarësi të Malit të Zi(21 maj 2006), si dhe zgjedhjet parlamentare(10 shtator 2006), marrëdhëniet në mes subjektëve politike të shqiptarëve janë nën çdo nivel. Andaj mendoj se fillimisht nevojitet një konsolidim i subjekteve politike e këtu e kemi fjalën kryesisht për ato parlamentare të cilat duhet të gjejnë minimumin e vullnetit për bashkëpunim kur është fjala për çështjet kombëtare. Sepse këto dy vitet e fundit ka ngjarë jo rrallë që për çështje identike të ekzistojnë qasje të kundërta, që nuk janë në favor të shqiptarëve në ketë mjedis. Edhe pse ka ekzistuar një iniciativë nga Lëvizja “Atdheu na bashkon”(Nju Jork) e cila organizoi një takim në Ulqin, më 4 prill 2008, ky takim nuk ishte i kompletuar sepse mungoi pjesëmarrja e udhëheqësisë së UDSH-së. Nga situata momentale e mosbashkëpunimit e cila është nën çdo nivel, mbetet të shpresojmë se një takim, qoftë i nivelit konsultativ ne mes të gjitha subjektëve politike të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të mbahet në të ardhmen e afërt, duke pasur për moto fillimisht mundësinë e bashkëpunimit për avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.
Dr. Nail Draga
Koha Javore