Mali i Zi ka çmimet me rekord në rajonin e Ballkanit

November 2, 2008   | Ekonomia / Ekonomija

Në një studim të publikuar gjatë ditëve të fundit nga Instituti Evropian i Statistikave, EUROSTAT, çmimet në Mal të Zi mbeten tepër të larta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe për shumë vende të tjera që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Në këtë studim janë përfshirë 37 vende, nga të cilat, 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian, 3 vendet që janë pretendente për t’u anëtarësuar në BE, Maqedonia, Kroacia dhe Turqia, tre vendet që bëjnë pjesë në EFTA, ku futet Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Studimi ka përfshirë dhe 4 vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Abuzimi me çmimet
Shkaqet që çojnë në një nivel të përgjithshëm çmimesh më të larta se një pjesë e mirë e vendeve të rajonit dhe atyre në zhvillim, është një fenomen që ka shumë faktorë. Sipas analizave të specialistëve të ekonomisë, çmimet e prodhimeve bujqësore mbeten në nivele të larta për pjesën dërrmuese të vitit, për shkaqe që lidhen me sezonalitetin e tyre. Bujqësia në Mal të Zi  mbetet ende tepër e fragmentizuar, duke pasur një konkurrencë tepër të ulët dhe në një pjesë të mirë të vitit i dorëzohet prodhimit nga jashtë. Nga ana tjetër një nga problemet e mëdha që po sjellë një zinxhir në rritjen e çmimeve, është ndërtimi. Është bërë tashmë e ditur nga të gjithë specialistët e kësaj fushe, që ndërtimi është duke u përballur me një efekt tullumbace në çmime. Nga ana mungesa e energjisë elektrike në orare të zgjatuara, në një kohë që çmimet e naftës dhe benzinës kanë kapur majat, po sjell një rritje të re të çmimeve të bukës dhe prodhimeve të tjera, në të cilat energjia zë një faktor kryesor. Ndërsa, përsa i përket çmimeve të pijeve alkoolike, rritja e madhe në çmime vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të akcizave, që zë edhe pjesën dërrmuese të çmimit.
Lajme nga Ulqini