Gara presidenciale merr ngjyra, Obama 6 pikë para

November 3, 2008   | Bota

Gara presidenciale amerikane është kthyer në një “konkurrencë” mes ngjyrave të lëkurës, sipas sondazheve më të fundit të “Zogby”. Nga të dhënat e anketave, amerikanët me lëkurë të bardhë përkrahin në shumicë republikanin Xhon Mekein (me 54 për qind), ndërsa të zinjtë përkrahin demokratin Barak Obama (me 93 për qind). Dje, dy ditë nga votimi, Obama ka marrë avantazh edhe me një pikë tjetër krahasuar me të shtunën, duke kaluar në 6 për qind (rezultati ka shkuar 50 për qind pro Obamës dhe 44 për qind pro Mekeinit). Sipas realizuesve të sondazheve, “mungojnë edhe dy ditë nga votimi dhe mund të ndodhë çdo gjë. Megjithatë është e vështirë të shikosh Mekeinin të avancojë”. Sipas të dhënave të “Zogby”, preferencat e elektoratit konsolidohen nga kategoritë e kandidatëve, por edhe ngjyra e lëkurës. Kështu, Obama është më i preferuar mes grave (8 për qind avantazh krahasuar me Mekein) dhe të pavarurve (10 për qind avantazh), ndërsa për Mekein preferencat janë kryesisht tek elektorati më i vjetër në moshë dhe konservator. Por elementi më i qartë mbetet ngjyra e lëkurës. Sipas sondazhit, nga të bardhët 54 për qind do të votojnë për Mekein, ndërsa për Obamën 40 për qind. Por nga të zinjtë janë 93 për qind ata që do të votojnë pro Obamës. Ndërsa nga komuniteti hispanik Obama preferohet nga 65 për qind. Sondazhet kanë një probabilitet gabimi në 2.9 për qind. Të gjitha sondazhet nacionale të opinioneve tregojnë Obamën fitues, i cili duket si po kapërcen Mekeinin edhe në shtetet ku rivaliteti është shumë i lartë, në shtetet e rëndësishme që japin vulën përfundimtare të zgjedhjeve. Mekein e ka kaluar fushatën e së shtunës në shtetet Virxhinia dhe Pensilvani, shtete që strategjistët elektoralë i vlerësojnë si themelore për shpresat e tij në fitore (ku premtoi se nuk do t’i rrisë më tej taksat, do të krijojë vende pune dhe do të fuqizojë ekonominë në recesion), ndërsa Obama insiston për avantazh në tre shtete që votuan pro presidentit Bush në vitin 2004: Nevada, Kolorado dhe Misuri (ku u përqendrua tek ekonomia, duke u zotuar se do të ulë taksat për familjet e punonjësve dhe se do të përpiqet për ta kthyer ekonominë amerikane në periudhën e para recesionit). Sipas “Reuters”, sondazhet tregojnë se Obama është në avantazh të dukshëm në vendet ku votimi ka nisur disa ditë më parë për të evituar radhët. Ai udhëheq këtë grup me 56 për qind, krahasuar me 39 për qind për Mekein. Kandidati i pavarur, Ralph Nader, ka marrë 2 për qind të mbështetjes në sondazhe, ndërsa kandidati liberator, Bob Barr është në 1 për qind avantazh. Rreth 2 për qind të votuesve mbeten ende të pavendosur. Anketimet tregojnë se gjendja aktuale e ekonomisë e ka ndihmuar kandidatin demokrat Obama të kryesojë garën me rivalin Mekein. Shumica e të anketuarve besojnë se Obama është më i aftë se rivali i tij për sa i përket trajtimit të gjendjes aktuale ekonomike. Ndërkohë kandidati demokrat, Obama dhe rivali i tij republikan, Mekein, vazhdojnë fushatën në shtetet ku gara zhvillohet tepër e ngushtë, që janë edhe më të rëndësishme për betejën presidenciale. Në “shënjestër” të dy kandidatëve gjatë fushatës elektorale kanë qenë kryesisht shtetet Ohajo dhe Pensilvania, të cilat së bashku kanë 15 për qind të votave elektorale. Presidenca amerikane vendoset nga cili kandidat fiton në Kolegjin Elektoral, i cili ka 538 anëtarë në proporcion me popullsinë e çdo shteti dhe rajonit të Kolumbisë. Në Kolegj votat elektorale funksionojnë në sistemin “fituesi i merr të gjitha”, me përjashtim të dy shteteve, që i ndajnë ata në zona Kongresiale.

Xhon Mekein i fiton pikët si komik
Xhon Mekein mund të mos ketë fituar maksimumin e simpatizantëve si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, por me siguri pas performimit të së shtunës në “Saturday night live”, ai i ka fituar pikët si komik. Mekein ishte i ftuar të shtunën në komedinë televizive, ku i surprizoi të gjithë duke u shfaqur përkrah kandidates së rreme për zëvendëspresidente, aktores Tina Fej, sozisë së Sarah Pelin duke ironizuar bashkë më të mbi fushatën e tij, për të fituar simpatinë e shikuesve. Pak javë më parë, në përpjekje për të rifituar popullaritetin kandidatja për zv/presidente e republikanëve, Sarah Pelin u shfaq në “Saturday light life” në një takim me sozinë e saj, Tina Fej, por nuk krijoi efektin e dëshiruar nga republikanët. Për të korrigjuar këtë, Mekein vendosi të marrë situatën në dorë. Ai performoi 5 minuta krah për krah me aktoren Tina Fey, që luante Sarah Palin edhe një herë. Mekein bëri shaka me disa nga vendimet e tij të këqija, për reklamën me minutazh shumë më të shkurtër se rivali i tij, që e komentoi duke thënë si shkak mungesën e buxhetit, pasi iu referua veshjeve të Pelin, të cilat janë bërë një pikë e fortë komenti e debati në shtyp për shumën e madhe të harxhuar. Por në realitet fushata e republikanëve kishte më shumë shpenzime dhe më pak rezultate. Ndërsa fushata e demokratëve dukej më ekstravagante, por tregoi popullaritet. Xhon Mekein ka fituar edhe mbështetjen e zëvendëspresidentit amerikan, Dik Çenej. “Do të doja ta përgëzoja senatorin Mekein për këtë mbështetje, pasi e mori më shumë vështirësi”, ironizoi Obama. Ndërkohë bashkëshortja e Dik Çenej, ka deklaruar se ka bërë disa kërkime nga të cilat ka zbuluar se zëvendëspresidenti Çenej dhe Barak Obama janë kushërinj të largët. Barak Obama nuk ka bërë asnjë koment mbi zbulimin ‘mahnitës’, madje as vetë zëvendëspresidenti i Bushit, Dik Çenej.

Pelin dhe votat e grave
Megjithëse shumë në Partinë Republikane shpresonin se emërimi i Sarah Pelin do të bënte për vete përkrahësit e Hilari Klinton, pasi Obama zgjodhi Joe Biden si zëvendës, kjo përllogaritje duket se ka dështuar. Sipas demokratëve, arsyeja është se Pelin është kundër çështjeve që kanë rëndësi për gratë. Ajo është kundër abortit, beson në krijimin e botës sipas Biblës dhe mbështet me forcë të drejtat për armëmbajtje.

Viktima e një rrengu telefonik
Kandidatja republikane për zv/presidente Sarah Pelin ka rënë viktimë e një rrengu telefonik. Një drejtues programi i një radioje në Kanada i ka telefonuar Pelin, duke i thënë asaj se ai është presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi. Pelin e ka pranuar ftesën që të dalin në gjueti së bashku, për të shtuar se kjo do të ishte argëtuese.

Bush: Amerikanë, dilni në votime më 4 nëntor
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, u ka kërkuar amerikanëve që të dalin në votime për presidentin e ri dhe për anëtarët e Kongresit të martën, më 4 nëntor. Bush i inkurajoi amerikanët “që të dalin në votime dhe të votojnë”. Amerikanët të martën do të zgjedhin presidentin e tyre të 44-të, Dhomën e re të Përfaqësuesve, një të tretën e Senatit dhe disa guvernatorë të rinj.
Burimi / Gazeta Panorama