Pavarësin e Kosovës,Mali i Zi e ka bërë në favor të vetes dhe stabilitetit në rajon

November 5, 2008   | Reportazh / Reportaža

Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme, indirekte e direkte, shantazheve të ndryshme diplomatike dhe presioneve të shumanshme nga ana e Serbisë, Mali i Zi pati vendosur për njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur. Edhe tash, kur vazhdojnë kritikat për vendimin e marrë, Qeveria malazeze është shumë e kënaqur për atë që ka bërë. As bojkoti që i bën Kuvendin malazez 12 deputetët e Listës serbe, nuk e bëjnë pishman këtë Qeveri për vendimin e drejtë, të arsyeshëm dhe të dobishëm që ka marrë. Vendimi i duhur “Koha do të dëshmojë më së miri se Mali i Zi ka marrë vendimin e duhur për stabilitetin e rajonit kur ka njohur Kosovën”, ka thënë shefi i diplomacisë malazeze, Millan Roçen, duke e mbrojtur vendimin e Qeverisë malazeze. Roçen, në një intervistë për të përditshmen e Podgoricës, “Vijesti”, është rrëfyer edhe për efektet pozitive të kësaj njohjeje, duke thënë se rezultatet po shihen qysh tash. “Qysh tash po shihen efektet pozitive të këtij vendimi. E keni parë edhe në raportin e Komisionit Evropian përparimin në Mal të Zi. Sipas informatave të para, roli i Malit të Zi në rajon, respektohet shumë”, ka thënë Roçen, duke shtuar se situata e brendshme politike në Mal të Zi është edhe më stabile pas marrjes së vendimit për njohjen e Kosovës. Stabilitetin e krijuar, Roçen e ka arsyetuar me mungesën e spekulimeve rreth çështjes së Kosovës. Ndërsa sa i përket Listës serbe, e cila ka vendosur që me 12 deputetë të saj të braktisë Parlamentin e Malit të Zi për shkak të njohjes së Kosovës, Roçen ka thënë se secili ka të drejtë të zgjedhë metodat e luftës politike. “Ky veprim aspak nuk do të cenojë stabilitetin e Malit të Zi”, ka thënë në fund, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi. I bën favor vetes Për më tepër, njohjen e Kosovës, Mali i Zi nuk e sheh si favor që i ka bërë Kosovës, por vetes. Qeveritarë, politikanë, por edhe analistë politikë, e konsiderojnë një hap të tillë, si tejet të rëndësishëm në rrugën drejt integrimeve evropiane që ka zgjedhur Mali i Zi. Kështu që, edhe nënkryetari i partisë në pushtet në Mal të Zi, DPS, Svetozar Maroviq, ka thënë se Mali i Zi nuk ka pasur të drejtë t’ia mbyllte derën vetvetes para ardhmërisë evropiane për shkak të Kosovës. “E kam kuptuar se ky qëndrim është edhe në Serbi, dhe se, edhe Serbia dëshiron që shpejt të jetë pjesë e integrimeve evropiane. Çdoherë bëhet fjalë për një çmim që duhet paguar, sepse kjo rrugë është e pamundur pa sakrifi cë”, ka thënë Maroviq. Ai ka thënë se veprimi i Malit të Zi ka qenë në pajtim me rregullat e reja që rregullohen sipas normave dhe standardeve .
Fitim Uka
Burimi / infopress