Në QKI “Malësia” në Tuz u shfaq drama “Nirvana”- Video

November 10, 2008   | Kulturë / Kultura

Reminishencë mbi ekzodin, humbjen, vetminë…
Para një numri të madh auditoriumi nga Malësia, të hënën në QKI “Malësia” në Tuz, Teatri Kombëtar nga Prishtina shfaqi dramën “Nirvana”, apo ndryshe e quajtur “Rruga e shpirtit”, e cila u mirëprit mjaft mirë dhe u vlerësua lart nga shikuesit e pranishëm.
Drama “Nirvana” i takon zhanrit të teatrit të poezisë, e cila pretendon surealizmin skenik. Shfaqja në fjalë mbështetë tezën e Nices- përjetimin Dionisian, ringritjen e shpirtit, ndërgjegjësimin ekzistencial…. Në këtë shfaqje në mënyrë të shkëlqyer aktorët e këtij teatri prezantuan reminishencën mbi eksodin, humbjen, vetminë… .
“Nirvana” u realizua mbi fenomenin biblik të jetës, vdekjes dhe lirisë…
Rolet i interpretuan Sheqerie Buçaj, Selman Lokaj, Veton Osmani, Selman Jusufi etj.
Në këtë shfaqje rolin e balerinave e luajtën Jeta Musolli, Behije Murtezi dhe Luljeta Ademi. Skenograf ishte Burim Gora, kostumograf Samka Ferri, muzika Sabedin Ferraj-Cabi, dizajni i dritave, Asllan Hyseni dhe inspicient, Bajram Mehmetaj.
Shfaqja e kësaj drame është e konceptuar dhe e realizuar skenikisht si teatër i poezisë i mbështetur mbi pjesët tekstore nga Bibla, por edhe nga autorë të njohur si, Ismail Kadare, Teki Dërvishi, Ali Podrimja, Halil Matoshi etj.
Regjinë dhe adaptimin e dramës e bëri Selman Jusufi, i cili deri më tani ka bërë regjinë e katër dramave, “Krushqit janë të ngrirë”, “Burgu i hapur”, “Palimpsest” dhe “Toka e premtuar”. Regjisori Jusufi gjithashtu është edhe autor i pesë librave. Për 35 vjetë në skenë ai ka realizuar afro 200 role.
Për qytetarët e Malësisë, Selman Jusufi tashmë është bërë emër i njohur, pasi që ai vitin e kaluar po në QKI “Malësia” ka luajtur me Teatrin Kombëtar të Kosovës rolin e Aleksandër Mojsiut.
Rr.D
Koha Javore

YouTube Preview Image