Hillary Clinton kandidate për Sekretare Amerikane të Shtetit?

November 14, 2008   | Bota

New York, 14 nëntor.- Mbrëmë vonë mediat amerikane njoftuan për mundësinë e emërimit të senatores Hillary Clinton për Sekretare Amerikane të Shtetit në Administratën e presidentit të zgjedhur Barack Obama. Senatorja Clinton ishte rivalja kryesore e Obama’s gjatë fushatës nominuese brendapartiake të demokratëve.
Emërimi i saj i mundshëm u tha se është edhe një rast i mirë i shërimit të cfarëdo lloj hasmërie apo përçarjeje që ka ndodhur midis demokratëve si rezultat i një lufte të pakompromis dhe të gjatë në fushatën rreth dyvjeçare presidenciale. Ky emërim gjithashtu vlerësohet si një forcim i politikës së jashtme amerikane dhe të administratës së Obamas, i cili konsiderohet paksa më i ‘butë.’
Gjithë këtë ‘rrjedhje’ tek mediat, zyrtarët e Obama’s që janë të përfshirë dhe janë të afërt me idetë dhe individët e mundshëm në kompozimin e qeverisë së re, nuk e konfirmuan zyrtarisht. Kandidatura e senatores Clinton për këtë post u forcua edhe më shumë për faktin se ajo dje ishte në Chicago, sic u tha për ‘cështje personale,’ mirëpo aty hëpërhë është i përqëndruar shtabi tranzitor i Obamas si dhe vetë presidenti i zgjedhur Obama.
Kanali televiziv NBC dhe gazeta the Washington Post janë burimet e para që njoftuan se senatorja Clinton ishte kandidate për postin më të lartë diplomatik në pushtetin e ri amerikan. Këtë e kanë pohuar edhe dy zyrtarë demokratë të afërt me ekipin e tranzicionit të Obama’s.
Emërimi i saj konsiderohet pozitiv për Obaman, i cili do t’ia linte gjithë politikën e jashtme senatores Clinton, e cila gëzon një respekt të madh në arenën ndërkombëtare, ndërkaq vetë Obama do të përqëndrohej në krizën e madhe ekonomike dhe financiare brenda vendit.
Ardhja në këtë post e senatores Clinton do të ishte një lajm jashtzakonisht i mirë edhe për Kosovën dhe për shumë miq të saj shqiptaro-amerikanë të cilët e ndihmuan më shumë dhe e kishin të preferuaren e tyre gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
S.Gashi
Burimi / RTK

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/clintonnnn.flv