100 vjet nga Kongresi i Gjuhës Shqipe në Manastir

November 15, 2008   | Kulturë / Kultura

Në Manastir 100 vite më parë do të merrte udhë alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Një ngjarje që do e rendiste të shkruar shqipen në listën e gjuhëve me alfabet perëndimor. Më 14 nëntor të vitit 1908, atdhetarët nuk do i bënin vetëm shërbim kulturës kombëtare, por do të shënonin dhe nisjen e ëndrrës për një Shqipëri moderne.
Kongresi i Alfabetit
Si rrallë herë Shqiptarë u bashkuan për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kongresi i Manastirit i filloi punimet më 14 nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 nëntor të po atij viti. Gjithsej në kongres morën pjesë 40 delegatë. 32 prej tyre ishin me të drejtë vote, ndërsa 18 të tjerë pa të drejtë vote. Ata përfaqësonin rryma dhe lëvizje të ndryshme të çështjes shqiptare. Kishte delegatë nga qytetet e Shqipërisë, që zinin pjesën më të madhe, por kishte dhe të ardhur nga larg, nga SHBA dhe vendete tjera, ku komunitetet shqiptare ishin të organizuar në klube dhe shoqata të ndryshme atdhetare. Ishin Thoma Avrami nga Korça, Bajo e Çerçiz Topulli nga Gjirokastra, por kishte edhe nga Misiri, si Fehim Bej Zavalani, i cili vinte si delegat nga kolonia shqiptare atje.

Alfabetet
Debati për gjuhën standarde vazhdon për një pjesë gjuhëtarësh edhe sot. Por 100 vite më parë, patriotët dhe intelektualët dhanë zgjidhjen më të madhe të mundshme për gjuhën. Ishin tre alfabete që diskutoheshin në atë takim, alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë “Agimi” dhe alfabeti shoqërisë “Bashkimi”. Komisioni i ngritur nga kongresi zgjodhi si më të përshtatshme alfabetin latin të shoqërisë “Bashkimi”. Komisioni i kongresit përbëhej nga kryetar i komisionit, Gjergj Fishta, nënkryetar Mit’hat Frashëri, sekretar Luigj Gurakuqi dhe anëtarë Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja etj.

Rëndësia e Kongresit të Manastirit
Kongresi i Manastirit nuk ishte thjeshte një kongres gjuhësor. Pas 100 vitesh, vlera e tij për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare duket më tepër. Kongresi shërbeu për krijimin e vatrave të reja patriotike. Në një program prej 18 pikash, pjesëmarrësit e kongresit hidhnin themelet e kombit dhe të gjuhës. Nga ana tjetër, Kongresi shërbeu dhe për bashkimin e të gjitha shoqatave shqiptare që vepronin në atë kohë. Manastiri, (Bitoli i sotëm në Maqedoni) u shndërrua në qendrën e lëvizjes kombëtare. Kjo për faktin se nga ky qytetit mbaheshin kontakte me pjesët e tjera të kombit. Ndërsa pjesëmarrja në kongres e përfaqësuesve dhe nga veriu i vendit jepte më së miri idenë e bashkimit kombëtar. Kongresi vendosi të shpallej si klub qendror klubi “Bashkimi” i Manastirit. Parimi i kongresit ishte “një komb, një gjuhë, një alfabet”. Në këtë qytet u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh shqiptarë. Shtypshkronja shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe.
Po cila ka qenë atmosfera e kongresit në Manastir 100 vite më parë, studiuesi shqiptaro-maqedonas, Reshat Rexhepi jep një tablo më të qartë mbi kohën kur u mbajt ky kongres. “Ishte 14 nëntori 1908. Dëbora kishte mbuluar Pelisterin piktoresk dhe kulmet e shtëpive të Manastirit. Megjithatë, qysh në orët e para të mëngjesit, para objektit ishin grumbulluar qindra shqiptarë e të tjerë, të cilët të ftohtin e përballonin përmes këngëve dhe valleve kombëtare, gjë që krijonte përshtypjen sikur aty bëhet ndonjë dasmë e madhe shqiptare. Para objektit, në të dy anët e Dragorit, ishin mbledhur edhe më tepër se 100 nxënës shqiptarë, të cilët mësonin në shkollat e mesme, sidomos në gjimnazin turk të Manastirit që ndodhej pranë objektit të Kongresit. Në atë gjimnaz kishte edhe 4-5 profesorë shqiptarë, midis të cilëve edhe Bajo Topulli, zëvendës drejtor i atij institucioni arsimor. Këngët dhe vallet pushuan në momentin kur filluan të vijnë kongresmenët, të cilët ishin ajka e kombit të atëhershëm shqiptar, siç ishin: Mit’hat Frashëri – kryetar i kongresit, kurse më vonë edhe i Ballit Kombëtar, Gjergj Fishta – “Homeri shqiptar”, Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja – dhëndër i Naim Frashërit, etj. Përqafimet dhe lotët nga gëzimi nuk kishin fund. Interesant ishte fakti që midis kongresmenëve kishte myslimanë, të krishterë, synitë, bektashinj, ortodoksë, katolikë, prtotestanë, toskë, gegë, çamër, lebër, etj. Prandaj edhe para objektit ishin të pranishëm njerëz pothuajse të tëra konfesioneve në fjalë. Pas kësaj ceremonie madhështore, njerëzit u kthyen nëpër shtëpitë e veta duke pritur padurim epilogun, kurse pjesëmarrësit e Kongresit hynë në sallën e madhe, e cila sot nuk ekziston më dhe pas disa mbledhjeve të njëpasnjëshme, aprovuan Alfabetin. Kështu që, kongresmenët, të shprehem në mënyrë figurative, luajtën rolin e krushqve, të cilët nga ky objekt, gjegjësisht nga Manastiri, morën “nusen” më të mirë, e cila rreth një shekull po i shërben dhe sa të jetë bota do t’i shërbejë tërë shqiptarëve kudo që kanë jetuar dhe do jetojnë paskëtaj”.

Pasardhësit e delegatëve, letër qeverisë
Pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit kanë kërkuar nga qeveria shqiptare organizmin e ceremonisë për 100-vjetorin në Manastir (Bitoli i sotëm i Maqedonisë). Me anë të kësaj letre ata kërkojnë nga Presidenti, kryeministri, kryetarja e Parlamentit dhe kryetari i opozitës mbështetjen për këtë ceremoni. Letra është nënshkruar nga të gjithë pasardhësit, mes tyre dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe gazetari i njohur, Blendi Fevziu.

Delegatët e Kongresit të Manastirit

1. Sotir Peci, delegat i dy kolonive shqiptare të Bukureshtit dhe Amerikës.
2. Parashqevi Qiriazi, delegate e Shkollës së Parë Shqipe të Vashave në Korçë.
3. Gjergj Qiriazi, delegat i Manastirit.
4. Dhimitër Buda, delegat i Elbasanit.
5. Simon Shuteriqi, delegat i Elbasanit.
6. Kamber Efendi Sejdiu, delegat i Elbasanit.
7. Lef Nosi, delegat i Elbasanit.
8. Refik Bej Toptani, delegat i Tiranës.
9. Leonidha Naçi, delegat i Vlorës.
10. Bajo Topulli (ose emri i ilegalitetit.
11. Çerçiz Topulli, delegat i Gjirokastrës.
12. Bexhet Bej Frashëri, delegat i Gjirokastrës dhe i nënprefekturës së Elbasanit.
13. Mit’hat Bej Frashëri, delegat i Klubit të Shqiptarëve të Selanikut dhe Janinës.
14. Shefqet Bej Frashëri, delegat i Korçës.
15. Thoma Avrami, delegat i Korçës.
16. Sami Bej Pojani, delegat i Korçës, i dërguar nga Misioni Ungjillor Amerikan.
17. Grigor Cilka, delegat i Korçës, i dërguar nga Misioni Ungjillor Amerikan.
18. Mihal Grameno, delegat “Bandës së Lirisë” Korçë.
19. Hafiz Ali Korça (Ali Vasfiu), delegat i Korçës.
20. Haxhi Jashar Efendi Bitincka, delegat i Shkupit.
21. Av. Akil Eftimiu, delegat i kolonisë shqiptare të Kostancës (Rumani).
22. Hilë Mosi, delegat i Shkodrës. Kryetar i shoqërisë “Gegnia”.
23. Luigj Gurakuqi, delegat i Shkodrës. Kryetar i klubit “Bashkimi”, si dhe delegat i arbëreshëve të Italisë.
24. Mati Logoreci, delegat i klubit “Bashkimi” Shkodër.
25. At Gjergj Fishta, delegat i Shkodrës. Kryetar i shoqërisë “Bashkimi”.
26. Dom Ndre Mjeda, delegat i Shkodrës. Kryetar i shoqërisë “Agimi”.
27. Shahin Bej Kolonja (Ypi), delegat i Kolonjës. (Deputet i “Parlamentit Turk”).
28. Sulejman Fiqiri Efendi Starova, delegat i Starovës.
29. Adam Shkaba, delegat i Sofies (Bulgari).
30. Dhimitër Mole, delegat i Filipopolit (Bulgari).
31. Nyzhet Bej Vrioni, delegat i Beratit.
32. Zenel Bej Caco (Glina), delegat i Leskovikut dhe Dishnicës. Përfaqësohet nga..
33. Fehim Bej Zavalani, delegat i kolonisë shqiptare të Misirit.
34. Izet Bej Zavalani, delegat i Follorinës.
35. Dom Nikollë Kaçorri, delegat i Durrësit.
36. Hazis Hoxhë Efendi Lila, delegat i Bërzeshtës (Librazhd).
37. Maliq Elmaz Bej Frashëri, delegat i Nakoletes (Azia e Vogël).
38. Xhemal Bej Frashëri, delegat i Ohrit.
39. Abdyl Bej Ypi (Kolonja), delegat i Starjes (Pogradec).
40. Petro Nini Luarasi.

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/kongresimanastirit.flv
1