Bugajski:Plani gjashtëpikësh –“bosnizim” i Kosovës ..Video

November 15, 2008   | Rajoni / Region

Plani gjashtëpikësh i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëse zbatohet, rrezikon me ‘bosnizimin’ dhe ndarjen e Kosovës, ka thënë në Prishtinë, analisti Janusz Bugajski.
Këto komente, Bugajski i ka bërë gjatë një konference të organizuar në Prishtinë nga partia opozitare, Aleanca Kosova e Re.
Bugajski tha se plani gjashtëpikësh, pashmangshëm mund të çojë drejt ndarjes së veriut të Kosovës dhe mbështeti qëndrimin e Prishtinës zyrtare në kundërshtimin e këtij plani.
“Dyfishimi i autoriteteve ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, sipas të cilit, serbët në veri do të kishin nën kontroll policinë, gjykatat, doganat e çështje të tjera, çon kah një bosnizim i Kosovës”, tha Bugajski.
Sipas tij, një skenar si plani gjashtëpikësh është shqetësues dhe vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po përpiqet ta shmangë ndarjen e Bosnjës, kurse, në anën tjetër, provon ta krijojë edhe një problem të ngjashëm në Kosovë.
“Mendoj se është e mundshme që me këtë plan të krijohet situata me autoritete të dyfishta, në të cilin Serbia inkurajon minoritetin serb drejt ndarjes apo krijimit të dy entiteteve në Kosovë”, thotë Bugajski.
Duke e kundërshtuar këtë plan, nënvizoi Bugajski, Kosova më në fund do të dëshmojë se është subjekt i pavarur dhe jo vetëm objekt i politikave ndërkombëtare ndaj saj.
Bugajski u ka sugjeruar kosovarëve që të shtrijnë një ndikim më të madh tek administrata e re amerikane e presidentit Barack Obama, në mënyrë që të kuptohet seriozisht rreziku që i kanoset tërësisë së Kosovës nga plani gjashtëpikësh i Ban Ki Moonit, i akceptuar edhe nga Beogradi si dhe një pjesë e madhe e Bashkimit Evropian
Evropa e Lirë

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/bugajski-janusz.flv