Cana: Nuk kënaqemi me vendin e dytë

November 15, 2008   | Sporti / Sport

Lorik Cana kërkon të fitojë titullin Kampion në Ligën 1.
Në atë që mund të jetë sezoni i tij i fundit me Olimpikun e Marsejës (ka deklaruar se gjatë verës mund të largohet, duke preferuar të transferohet te Bajerni i Mynihut), mesfushori shqiptar kërkon trofeun më të rëndësishëm në Francë. “Momentalisht renditemi në vendin e dytë, vetëm 4 pikë larg nga Lioni kryesues”, deklaroi kapiteni i marsejezëve.
“Nuk duhet të kënaqemi vetëm me këtë pozicion, pasi kemi luajtur vetëm 1/3 e ndeshjeve të kampionatit. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të punojmë për objektivin përfundimtar”.
Skuadra e drejtuar nga Erik Gerets ka fituar në tri ndeshjet e fundit (përballë St. Etien, PSV Eind’hoven dhe Grenobël), ndërkohë që në 13 javë ka shënuar 27 gola.
Me lojën e tij dhe shpirtin luftarak Cana është mes lojtarëve që bëjnë diferencën në fushë: “Luaj prej tre vjetësh te Marseja dhe e kam kuptuar se çfarë i nevojitet skuadrës për të fituar. Skuadra po përparon, si në pikëpamjen teknike, ashtu edhe në rezultate”.
Top Channel