Të gjithë të çmendur pas Jim Belushit

November 15, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ai është një aktor i madh që e njeh gjithë bota, i super paguar në atdheun e tij të dytë, në Amerikë. Dhe padyshim një krenari për të gjithë shqiptarët, për rrënjët e tij, për gjakun e tij prej shqiptari. Dhe si gjithmonë këto raste të pakta fatlume ku edhe ne na jepet e drejta të krenohemi që kemi ambasadorë të tillë nëpër botë, nuk mund të kalojnë pa vëmendjen e duhur. Të tillë vëmendje pati edhe ardhja në Shqipëri e Jim Belushit, një aktori komik me origjinë nga Korça, i cili bënte vizitën e tij të dytë këtu rreth 13 vite më vonë.
I thirrur si një i ftuar special në programin e përvitshëm të Vera Grabockës, “Dua më shumë Shqipërinë”, Jim Belushi mori gjithë nderimet e mundshme, si dhe admirimin e të gjithë të ftuarve në atë natë speciale. Meqë ishte edhe i ftuari më i rëndësishëm, ishte menduar që të lihej në fund, pikërisht aty ku kulmon një spektakël. Por Belushit të famshëm i ishte rezervuar një surprizë e veçantë, fjala e Presidentit Topi dhe dhënia e titullit “Nder i kombit” dhe më pas surpizën për të gjithë ne, na e bëri vetë ai, duke kënduar disa këngë të famshme në versionin e mirënjohur të “Blues Brothers”.

Por me mbarimin e spektaklit nuk mbaroi gjithçka. Të gjithë nxituan të takohen me aktorin e madh e të bënin fotografi me të. Por duket se Belushi preferoi të kishte pranë miss-in e parë shqiptar, Vabona Selimllarin, të cilën e mbajti të përqafuar për minuta të tëra. Shumë fanse të Belushit dukeshin edhe bashkëshortja dhe vajzat e Presidentit Topi, të cilat kanë qeshur dhe duartrokitur gjithë kohën kur ai performonte në skenë. Po kështu edhe presidenti i “Tv Klan” Aleksandër Frangaj me të shoqen dukeshin të magjepsur nga Belushi. Në atë mbrëmje speciale duket se edhe spektatorët ishin të tillë, pasi në llozhat e para të binin në sy mjaft emra të njohur të artit dhe medias. Nuk mungoi edhe Arbana Osmani në spektakël, e cila ishte e shoqëruar me Olsin, djalin që u bë i njohur në “Big Brother”.

PanoramaPlus