Forca e re demokratike:”Nata” e planifikimit urban dhe planet “fantazmë”

November 17, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ulqin – Forca e Re Demokratike ka vazhduar kritikat ndaj pushtetit lokal në Ulqin, kësaj radhe për gjendjen kaotike në fushën e planifikimit urban.
Në një konferencë për shtyp të organizuar me rastin e 8 Nëntorit – Ditës Botërore të Planifikimit Urban, kryetari i kësaj partie, Nazif Cungu, ka thënë se për fat të keq, “Ulqini nuk mund të shënojë Ditën, por Natën e planifikimit urban”.
Ai ka thënë se Komuna e Ulqinit është në nivelin më të ulët të mundur sa i përket planifikimit urban.
“Terreni tregon qartë se Ulqini ka qëndrim neglizhent, mospërfillës dhe tejet injorant ndaj planifikimit urban. Kjo çështje po zvarritet vazhdimisht dhe ka arritur kulmin në vitet e fundit, ku nevoja për investime, ndërtime dhe rrjedhimisht përparim është më e madhe se kurrë më parë”, ka thënë Cungu.
Sipas tij, pushteti lokal vazhdon me premtime, por nuk po bën asgjë konkrete në këtë fushë.
“Niveli i planifikimit në Komunë vazhdon të mbesë vetëm në rrafshin verbal dhe atë të premtimeve. Faji për mossuksesin hidhet në shumë drejtime, por jo në ato adresa ku duhet. Mungesa totale e strategjisë së administratës lokale lidhur me këtë problem si dhe firmat e dyshimta të planifikimit të cilat obligimet e veta nuk po i kryejnë me kohë dhe profesionalizëm, janë faktorët kyçë që rëndojnë situatën”, ka thënë Cungu.
Ai ka vlerësuar se edhe dy vjet pas zgjedhjeve, administrata lokale vazhdon të merret me plane “fantazmë” të cilat kurrsesi nuk po e shohin dritën.
“Mungesa e konceptit, kuadrove dhe prioriteteve ndikojnë që Ulqini edhe këtë vit të mbajë vendin e parë në Mal të Zi për mosmbulimin e territorit të vet me dokumentacion urbanistik, ku vetëm 4% është e mbuluar me plane të tilla”, ka thënë kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu.
I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image