Kompania holandeze ofron projektin më të mirë për Plazhin e madh

November 17, 2008   | Turizmi / Turizam

Shpallet fituesi i konkursit “plazhi i madh, kompleks i qëndrueshëm turistik në bregdet”
Në konkursin për zgjidhjen më të mirë planifikuese “Plazhi i Madh, kompleks i qëndrueshëm turistik në bregdet”, ka fituar projekti i kompanisë arkitektonike holandeze “Van Den Oever Zaaijer & Partners”. Fituesi është shpallur në një konferencë për shtyp të organizuar të martën në kuadër të World Travel Market në Londër.
Pas kompanisë holandeze, në vend të dytë është renditur ajo britanike PRP Architects, në vendin e tretë ajo amerikane Crawford Architects, kurse çmime speciale për zgjidhjet e ofruara urbanistike janë dhënë Archipelagos/Aedas Team po nga SHBA dhe SSSCCM+PM nga Italia.
“Na vjen jashtëzakonisht mirë që kemi fituar në konkurs. Ka qenë një sfidë e madhe për ne jo vetëm për shkak të specifikës së mjedisit, por edhe ngaqë kriteret e qëndrueshmërisë kanë qenë shumë të lartë, ndërsa në të njëjtën kohë nuk kemi dashur që të humbet autenticiteti i Ulqinit dhe Plazhit të Madh. Kemi qenë atje dhe kemi zbuluar diamantin të cilit ne jemi munduar t`i japim formë përmes zgjidhjes sonë planifikuese. Ky është një projekt i madh dhe kërkon shumë kohë për përpunim dhe jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin e mundshëm me arkitektët në Mal të Zi”, ka thënë Kris Zviers, përfaqësues i kompanisë fituese “Van Den Oever Zaaijer & Partners”.
Kryetari i jurisë Çarls Hjuz ka theksuar se projekti fitues është i madh dhe atraktiv dhe se tërheq vëmendjen e planifikuesve dhe arkitektëve të njohur nga rajoni dhe Europa.
“Rezultate të konkursit janë pesë oferta tejet cilësore, të cilat kanë qenë shumë të ndryshme nga njëra tjetra dhe të cilat gjithsesi do të jenë të dobishme jo vetëm për projektin e Plazhit të Madh, por edhe për projekte të tjera të mëdha që do të realizohen në Mal të Zi në pesë deri dhjetë vitet e ardhshme. Projekti i Plazhit të Madh është dëshmi se Qeveria e Malit të Zi jo vetëm që flet për zhvillimin e qëndrueshëm, por dëshiron që Mali i Zi të bëhet vend i njohur dhe krejt i ndryshëm nga vendet e tjera”, ka thënë Hjuz.
Ministri malazez për Zhvillim Ekonomik, Branimir Gvozdenoviq, ka theksuar se ky projekt përbën investimin më të madh individual në fushën e pasurive të paluajtshme në këtë hapësirë dhe se është njëri ndër projektet më të mëdha në botë, në një sipërfaqe prej 1450 hektarë dhe me 30 mijë shtretër të projektuar.
“Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të projektit Plazhi i Madh, Qeveria përcjell procedurën e tenderimit me qëllim të realizimit të standardeve më të larta ndërkombëtare të projektimit të qëndrueshëm, ndërtimit dhe menaxhimit afatgjatë. Realizimi i projektit të këtillë do ta pozicionojë Malin e Zi si destinacion turistik të njohur botëror, por do të jetë edhe një impuls për zhvillimin e tij të mëtejshëm ekonomik”, ka vlerësuar Gvozdenoviq.
Kompanisë holandeze “Van Den Oever Zaaijer & Partners”, fituese e konkursit, do t`i takojnë 50 mijë euro, kompanive fituese të vendit të dytë dhe të tretë nga 20 mijë euro, kurse fituesit e çmimeve speciale do të përfitojnë nga 10 mijë euro.
Juria e konkursit përbëhej nga kryetari i saj Çarls Hjuz, president i kompanisë Smart Futures nga Britania e Madhe, e specializuar në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimit ekonomik dhe strategjisë investuese si në sektorin shtetëror ashtu edhe në atë privat, ministri malazez për Zhvillim Ekonomik, Branimir Gvozdenoviq, ministri i Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor, Predrag Neneziq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, nënpresidenti për zhvillim dhe menaxhim të projektit Marriot Vacation Club, Miguel Ruano, kryetari i Urban Land Institute, Bill Kistler, si dhe arkitekti partner në Architecture & Urban Systems, Josep Acebillo, i cili ka punuar në përgatitjen e Barcelonës për Lojërat Olimpike.
Përveç çmimeve, të pesë kompanitë finaliste do të kenë mundësi të prezantojnë projektet e tyre në Panairin e Kanës MIPIM Horizons, njërin prej panaireve më të mëdha të pasurive të paluajtshme në botë në të cilin do të marrë pjesë edhe Ministria për Zhvillim Ekonomik e Malit të Zi.
Konkursi për zgjidhjen më të mirë planifikuese “Plazhi i Madh, kompleks i qëndrueshëm turistik në bregdet” është hapur në qershor të këtij viti nga Ministria për Zhvillim Ekonomik. Pas fazës parakualifikuese dhe përzgjedhjes së dhjetë kompanive të cilat i kanë plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e mëtejshme, kompanitë e përzgjedhura kanë pasur mundësinë të vizitojnë Plazhin e Madh në gjatësi prej 13 kilometrash dhe në bisedë me përfaqësuesit e kësaj ministrie të fitojnë të dhënat bazë për vizionin e Qeverisë së Malit të Zi lidhur me këtë projekt, unik në Europë. Ato i kanë dorëzuar ofertat e tyre deri më 15 tetor, kurse më 28 tetor, juria me karakter ndërkombëtar, e përbërë nga ekspertë të kësaj fushe ka përcaktuar pesë kompanitë që u prezantuan në World Trade Market.
World Trade Market organizohet për çdo vit dhe paraqet rast unik në industrinë turistike globale për takime dhe bisedime. Në këtë aktivitet sivjet morën pjesë rreth 48 mijë punonjës profesionistë të fushës së turizmit, një numër ky rekord i pjesëmarrësve.
I. Kallaba
Koha Javore

Kliko në Fotografi