Hapet Panairi i 11-të i Librit “Tirana 2008”

November 18, 2008   | Shtypi / Mediji

Panairi do të hapet nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe i ftuari special i Panairit, Alfredo Bevilaqua, një ndër shkrimtarët më të njohur italianë.
Nesër në Tiranë do të hapet Panairi i 11-të i Librit, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Panairi mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe do të zgjasë deri më 18 nëntor.
Panairi do të hapet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dhe i ftuari special i Panairit të sivjetshëm, Alfredo Bevilaqua, një ndër shkrimtarët më të njohur italianë.
Panairi i Tiranës është panairi më i madh i librit që organizohet në mbarë hapësirat shqiptare i cili ka për qëllim paraqitjen e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitjen e vlerave të arritura nga fusha e botimeve.
Në edicionin e sivjetshëm, i cili njëkohësisht është edhe më i kushtueshmi në historinë e tij, sipas organizatorit, do të marrin pjesë rreth 160 botues jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe nga India, Irani, Kroacia, Italia, etj.
Numri i titujve që do të ekspozohen në Panair, sipas organizatorit, do të jetë rreth 50 mijë, prej të cilëve rreth 1500 janë tituj të rinj të botuar në hapësirën mbarëshqiptare.
Gjatë pesë ditëve sa do të zgjasë Panairi janë parashikuar të mbahen takime të shumta promovuese.
Edhe në Panairin e sivjetshëm, sipas traditës, do të jepen disa çmime, ndër të cilët ai për shkrimtarin e vitit dhe përkthyesin e vitit, të cilët do të përzgjidhen nga një juri e krijuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që janë më të rëndësishmit. Përveç tyre do të jepen edhe çmime të tjera, si paraqitja më e mirë në Panair dhe libri më i shitur, libri më i realizuar grafikisht dhe autori më i vlerësuar për fëmijë.
Kohapress

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/berishapanairi.flv