Prishtina prezanton katër pikat për shtrirjen e EULEX-it

November 18, 2008   | Rajoni / Region

Prishtina zyrtare ka prezantuar katër pikat e saj për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani 6-pikësh të kreut të OKB-së, Ban Ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë.
Këto qëndrime të Prishtinës i janë prezantuar zëvendës-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, Daniel Fried, me të cilat Kosova e fton EULEX-in të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj.
Presidenti Sejdiu, i cili i lexoi këto katër pika, tha se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në gjithë territorin e Kosovës.
“Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008”.
“Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh, institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosvës dhe si gjithmonë do të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n”, tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës zyrtare.
Qëndrimet e Prishtinës, diplomati amerikan, Daniel Fried, tha se do t’i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara.
Sidoqoftë, Fried tha se ka ende gjëra që duhet harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, që do t’i mundësonte EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë.
Zyrtari amerikan, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ka takuar edhe opozitën, të cilëve u ka transmetuar përmbajtjen e aktiviteteve të fundit diplomatike, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për EULEX-in.
Në takimin e sotëm ka marrë pjesë edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith, i cili tha se BE-ja pret që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që EULEX-i të fillojë sa më shpejt me punën e vet në Kosovë.
Zijadin Gashi
Evropa e Lirë

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/4pikat-plani.flv