Protestë e qetë në Prishtinë kundër planit të OKB-së për Euleksin

November 19, 2008   | Rajoni / Region

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë kundër marrëveshjes gjashtëpikëshe OKB-Beograd dhe i kanë lënë EULEX-it një porosit të qartë që gjatë veprimtarisë së vet në Kosovë të mos sillet ashtu siç është sjellë UNMIK-u gjatë nëntë viteve të kaluara.
Por, protestuesit të cilët ndërtesën që UNMIK-u ia ka dorëzuar EULEX-it e kanë gjetur të zbrazët, pasi që për shkaqe sigurie i gjithë stafi i EULEX-it ka është tërhequr në orët e paradites. Protesta që ka filluar në mesditë para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është organizuar për të kundërshtuar planin 6 pikësh OKB- Beograd dhe presionit që është duke u ushtruar ndaj institucioneve të Kosovës për ta pranuar këtë marrëveshje e cila është konkretizim i kërkesave të Beogradit zyrtar për të ashtuquajturën ndarje administrative të Kosovës.
“Ky neutralitet i bie njëfarë paanshmërie ndaj dy palëve. Pra kur po thonë EULEX është neutral po donë të thonë që për çështjen e Kosovës janë dy palë: është Kosova por është edhe Serbia. Nëse EULEX është neutral ndaj statusit, atëherë ne nuk jemi neutralë ndaj statusit të Kosovës, e prandaj nuk jemi as neutralë ndaj EULEX-it”, deklaroi Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dhe ne qytetarët e Kosovës kemi mesazh për këta njerëz. Ne e dimë se qëllimi i Beogradit është ndarja e Kosovës dhe kjo reflektohet përmes 6 pikave të Ban Ki-Munit. Ne i themi “Jo” ndarjes, ne jemi për sovranitetin e Kosovës”, tha Igballe Rogova nga Rrjeti Kosovar i Gruas.
Para se të shkojnë te selia e EULEX-it, protestuesit janë ndalur afër ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për t’u lënë porositë e tyre liderëve kosovarë.
“Presionet për kompromise që nuk po kanë fund me misione dhe imponime të përkohshme që po jetojnë më gjatë se sa ne, nuk kanë të bëjnë fare me demokraci. Kjo ka të bëjë me hipokrizi, kjo ka të bëjë me mashtrim”, tha Alban Bokshi nga Organizata “Çohu”.
“Nëse përshkallëzohet gjendja në Mitrovicë e gjetiu në Kosovë, atëherë këto institucione ose duhet të japin dorëheqje, ose duhet ta ftojnë popullin për ta mbrojtur lirinë e fituar me gjak”, u shpreh Xhavit Jashari, përfaqësues i Organizatave të ish UÇK-së.
Qytetarët që kanë marrë pjesë në protestë janë shprehur të revoltuar me zhvillimet e fundit politike rreth Kosovës. Ata thonë se janë të gatshëm të protestojnë edhe më tej kundër kërkesave të Serbisë ndaj Kosovës dhe përpjekjeve ndërkombëtare për imponime të zgjidhjeve.
“Serbia nuk ka vend këtu as nuk ka me pas kurrë. Kjo ka marrë fund përgjithmonë”, tha një protestues.
“Këto gjashtë pika i kanë propozuar armiqtë tanë, Ban Ki-Mun apo kush është ai që i ka propozuar. Për neve ai është askush, nuk e njohim. Gjithmonë jam në gjendje të protestoj, deri në vdekje”, u shpreh një protestues tjetër.
Pasi kanë përshkuar itinerarin e përcaktuar nga organizatorët dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë. Sipas policisë, nuk është shënuar asnjë incident gjatë rrjedhës së protestës dhe shpërndarjes së protestuesve.
Përparim Isufi
ALSAT KOSOVA