Kombëtarja e Maqedonisë në miqësoren me Malin e Zi ka humbur 2:1

November 21, 2008   | Sporti / Sport

Kataneci s’turpërohet nga humbja!
Podgoricë, 20 nëntor – Kombëtarja e Maqedonisë në miqësoren me Malin e Zi që e ka humbur 2:1, prej 90 minutave lojë ka luajtur vetëm 10 të tilla. Duket absurde, por në pjesën e parë vetëm dy shanse ka pasur Maqedonia edhe atë një nga Pandev në minutën 29, kur goditi me të majtën duke çarë mbrojtjen nikoqire dhe nga Naumovski në minutën 45, kur goditi fuqishëm me kokë, por intervenoi shkëlqyer portieri Polekshiç. Megjithatë, kjo nuk vlen për malazezët të cilët silleshin si mbretër në fushë. Shanse të shumta dhe dy gola të mrekullueshëm, fillimisht nga Xhudoviç në minutën 24 dhe më pas nga sulmuesi 19 vjeçar i Fiorentinës, Stevan Jovetiç në minutën 33 nga penalltia.
Në pjesën e dytë me shumë ndryshimet në dy skuadrat, Maqedonia sërish me avazin e vjetër. Ka qenë mbrojtësi Goran Popov, i cili në minutën 85 ka ndezur gjakrat te “verdhekuqtë” për të zvogëluar avantazhin në 2:1.
Përkundër humbjes dhe lojës mjaft të dobët, del në skenë seleksionuesi Sreçko Katanec, i cili mbron të përzgjedhurit e tij. “Kemi përfunduar takimin mirë. Golin e parë e pranuam në një mënyrë që është bërë e zakonshme në ndeshjet e fundit, kurse goli i dytë ishte pa lidhje dhe nuk dua të flas. Kemi bërë plot shanse, nuk shënuam gol. Luajtëm lojë solide. Mund të kishim bërë më shumë, por ja që nuk shënojmë gol, kjo na mungon më së shumti”, tha Katanec, mes tjerash në press konferencën për media. “Do ta kenë të vështirë të gjithë kundërshtarët në Podgoricë. Me rëndësi është që e mbyllëm këtë cikël me fitore. Bëmë lojë të mirë. E dëshiroja sonte fitoren dhe jam i kënaqur nga kjo që realizuam”, tha selektori malazez Zoran Filipoviç, pas ndeshjes me Maqedoninë.
Ndryshe, para ndeshjes Maqedoni – Mali i Zi, kryetari i FFM-së, Harallampie Haxhiristevski i ka ndarë një dhuratë futbollistit Igor Mitrevski për takimin e tij të 50 me reprezentacionin e Maqedonisë.
Bekri AJDINI
Lajmpress

YouTube Preview Image