Intervistë me doktorantin e shkencave politike në universitetin e Sorbonës në Paris, Anton Vukpalaj

November 22, 2008   | Intervista / Intervju

Vendimet e Gjykatës së Hagës të pa obligueshme
Koha javore: Z.Vukpalaj, më lejoni që fillimisht të ju pyes për mënyrën se si keni arritur për tzu integruar në Francë dhe për parakursin tuaj universitar?
A.Vukpalaj: Në Francë kam shkuar në fund të vitit 1991, për të vazhduar studimet të cilat i pata filluar këtu, krse atje përfundova studimet në Univerzitetin e Sorbonës. Zgjedhja ime për të shkuar në Francë ka qenë më shumë e imponuar, sesa edhe e planifikuar, meqë atje kisha edhe disa të afërm. Sa i përket kontaktit me njohuri të reja dhe eksperienca të reja, jeta ime studentore ka qëne mjaft interesante. Përveç kësaj, Parisi është edhe qytet i pasur me aktivitete kulturore.
Koha javore: A ka mundësi që të na tregoni diçka lidhur me studimet tuaja dhe interesin tuaj shkencor?
A.Vukpalaj: Unë kam diplomuar në shkencat politike. Kam magjistruar në vitin 2001 dhe jam në prag të përfundimit të tezës së doktoraturës dhe besoj se do ta përfundoj deri në fund të këtij viti. Gjatë studimeve pasuniversitare kam udhëhequr seminare në universite të ndryshme të Francës dhe kam marrë pjesë në konferenca, të cilat kanë pasur të bëjnë me lëmin tim të studimeve. Po ashtu në këto konferenca jam paraqitur edhe me disa komuntesa, disa prej të cilave edhe janë publikuar në revista shkencore.
Koha javore: Ka mjaft intelektualë që janë larguar nga Malësia. Disa prej tyre, në perëndim janë duke bërë edhe një karrierë dinjitoze dhe akademike- shkencore. Po me Ju çfarë do të ndodhë ? Do të ktheheni në Malësi për të ndihmuar zhvillimin e vendit, apo do të vazhdoni të jetoni në Francë?
A.Vukpalaj: Një gjeneratë e re, veçanërisht në Amerikë, ku gjendet mërgata jonë më e madhe, kanë studiuar dhe gjenden sot të inkuadruar në sistemet perëndimore. Kjo është shumë shpresëdhënëse për të ardhmen tonë. Sigurisht, se angazhimi i tyre këtu do të ishtë shumë i nevojshëm. Në kohën tonë të globalizimit, kapitali i tyre kulturor do të ishte motor i avancimit dhe kyçjes në trende ndërkombëtare. Shume prej tyre besoj se do të dëshironin të kthehen në vedlindje, po të kishin mundësi të punonin në domenet e tyre. Për këtë do të duhej një politikë stimuluese, e cila për momentin bën defekt. Pasi që më shtruat këtë pyetje, nuk mund të mos krahasoj gjendjen e tyre-timen me ato personazhet e shkrimtarit të famshëm çek, M. Kundera, të cilët jetojnë midis etjes për tzu kthyer në vendin e tyre dhe hezitimit nga ” kthimi Definitiv “.
Koha javore: A mund të na tregoni diçka për aktivitetin tuaj shkencor-kërkimor dhe arsyet të cilat u kanë bërë të interesoheni për këto aktivitete?
A.Vukpalaj: Në kuadër të studimeve pasuniversitare, kam përgatitur një punim mbi Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish- Jugosllavinë. Risia të cilën ajo ka sjedhur në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare më ka shtyrë të interesohem për këtë temë. Sigurisht se zgjedhja e kësaj teme më ka mundësuar të analizoj ngjarjet e një kohe të cilën pjesërisht e kam përjetuar edhe unë si i ri dhe të cilën e kam përcjellur vite me radhë. Pra, ka një dozë subjektiviteti në këtë zgjedhjen time.
Koha javore: Gjykata e Hagës për krime lufte ka qenë mjaft aktuale në këto vitet e fundit. Si e karakterizoni Ju arritjen e saj të përgjithshme, nga krijimi i saj e deri më sot. A mendoni se ajo ka standarde të dyfishta?
A.Vukpalaj: Kjo Gjykatë për një kohë të gjatë është konsideruar si mjet politik i shteteve të Perëndimit për të imponuar planet e tyre për Rajonin. Këto akuza kanë qenë dominante në Serbi dhe te serbët e Bosnjës. Nga momentit që kjo Gjykatë ka filluar të interesohet për krimet e kryera nga kroatët, ajo është bërë edhe armik i Kroacisë. Akuza të tilla kanë qënë të pashmangshme. Meqenëse kjo Gjykatë është krijuar si rezultat i një procesi politik (Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së) i cili i ka dhënë asaj një mandat politik: restaurimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, e cila mund të konsiderohet si masë e politizimit të saj.
Sipas mendimit tim, suksesi më i madh i saj është sjellja para drejtësisë ndërkombëtare e më shumë se 150 personave të cilët nuk ishin gjykuar kurrë, po të mos kishte egzistuar kjo Gjykatë. Pastaj, gjykimi i një kryetari të shtetit, i pari në histori të drejtësisë penale ndërkombëtare paraqet kulminacionin e suksesit të saj. Në nivel të shteteve të rajonit, Gjykata e Hagës ka arritur të krijojë norma të reja të sjelljes, duke larguar, së paku, për momentin, avantura të reja krimesh kundër popujve të dominuar të ish-Jugosllavisë. Ajo ka arritur gjithashtu të nxjerrë në pah natyrën e regjimeve politike, të cilët kanë planifikuar, organizuar dhe kryer krimet.
Nuk mendoj se ka patur standarde të dyfishta, edhe pse është e pakontestueshme se ka patur presion politik të fuqishëm mbi të. Ajo është dashur në mënyrë sistematike të shpikë strategji të reja për të relativizuar këtë presion, me qëllim që të plotësojë misionin e saj. Madje, akuzat se ajo ka aplikuar standarde të dyfishta, shkojnë në favor të atyre aktorëve, të cilët e konsiderojnë punën e Gjykatës si mjet hakmarrës, më shumë se mjet drejtësie. Kjo gjithashtu shkon në favor të perceptimit se proceset penale kanë qenë të manipuluara për qëllime politike dhe se ne atë rast Gjykata është përdorur si mjet politik në favor të njërës palë kundër tjetrës.
Koha javore: Para do kohe, Serbia ka inicuar procedurën për shqyrtimin e legjitimitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kërkesë kjo e cila do të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Cili është opinioni juaj lidhur me këtë çështje?
A. Vukpalaj: Para se tzi përgjigjem pyetjes suaj, dua të precizoj se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavi (ICTY) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) janë dy institucione të ndryshme, edhe pse të dyja gjenden në Hagë. E para është krijuar për të gjykuar krimet e kryera gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish- Jugosllavi dhe ka një mandat ad hoc, kurse kjo e fundit është organ i përhershëm i Kombeve të Bashkuara, i cili merret me çështje konfliktesh ndërkombëtare, kryesisht ndërmjet shteteve. Kjo Gjykatë ka mundësi të shqyrtojë vetëm çështjet të cilat i voton Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Për këtë arsye i gjithë debati rreth kësaj çështjeje ka qëne i përqendruar në OKB. Kërkesa e Serbisë, e motivuar politikisht, është e lidhur ngusht me luftën që Shteti dhe diplomacia serbe i kanë shpallur Pavarsisë së Kosovës. Qëllimi ka qenë që nëpërmjet saj të pengohet çdo iniciativë e njohjes së mëtutjeshme të Kosovës nga shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur atë dhe të pengohet integrimi i mëtutjeshëm i Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Edhe pse është vështirë të parashihet verdikti i kësaj Gjykate, një vendim në favor të Serbisë, i cili do ta shpallte Pavarsinë e Kosovës ilegjitime, do të kishte efekt simbolik shumë të fuqishëm, sepse ai do tzi mundësonte Serbisë që ta përdorë atë si argument për të penguar zhvillmin e Kosovës si shtet të pavarur. Në anën tjetër, një vendim në favor të Kosovës do tzi jepte legjitimitet shtetit të ri. Sidoqoftë, vendimet e kësaj Gjykate nuk kanë efekt ligjbërës.
Koha javore: Sipas mendimit Tuaj, cilat janë argumentet të cilat do ti paraqesin të dy palët gjatë këtij procesi dhe a mund të na përmendni ndonjë precedencë në lidhje me ketë?
A.Vukpalaj: Jam i sigurt se për Serbinë, një ndër argumentet kryesore do të jetë fakti se shumica e vendimeve të marra nga komuniteti ndërkombëtar në lidhje me Kosovën janë marrë jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe pse dihet se arsyeja e marrjes së këtyre vendimeve jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka qenë kërcënimi me veto i Rusisë, Serbia do të vazhdojë ta paraqesë Kosovën si territor i cili i është marrë asaj me forcë nga NATO-ja. Për palën kosovare, argumenti kryesor do të jetë represioni dhe krimet e kryera nga forcat serbe kundër popullatës civile të saj. Këto argumente nuk mungojnë. Edhe sot e kësaj dite, gadi një decenie pas përfundimit të luftës, më shumë se 2500 persona evidentohen si të zhdukur në Kosovë.
Përsa i përket precedentit, Serbia ka eksperiencë të mirë para kësaj gjykate. Në shkurt të vitit 2007, ajo e ka fituar procesin gjyqësor kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila e kishte akuzuar atë, vite më parë për organizimin e gjenocidit të Srebrenicës. Kundër opinionit të përgjithshëm dhe kundër argumenteve të shumta të cilat vërtetojnë pjesëmarrjen direkte të Serbisë në krime të kryera në Bosnje, kjo Gjykatë ka vendosur se Serbia nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për krime lufte në Bosnje. Ajo ka refuzuar të marrë parasysh vendimet e ICTY-së, i cili disa herë ka provuar pjesëmarrjen direkte të forcave të Serbisë në Bosnje, madje edhe e ka definuar intervenimin serb si agresion kundër shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Sidoqoftë, ky vendim i karakterizuar si “skandaloz” nga viktimat e luftës, nuk duhet izoluar nga konteksti politik. Verdikti ka koinciduar me negociatat për përcaktimin e statusit definitiv të Kosovës. Sipas të gjitha gjasave, gjyqëtarët nuk kanë dashur të iritojnë Serbia duke krijuar precedencë, i cili do tzi kishte hapur rrugën Kroacisë dhe Kosovës për të inicuar një procedurë të ngjashme. Tjetër arsye ka qenë fakti se Srebrenica konsiderohet si qytet, i cili është sakrifikuar para se të shkohet në Dejton me qëllim që pala serbe të nënshkruante Marrëveshjen. Po të ishte shpallur Serbiaa fajtore për masakrat e kryera në Srebrenicë, atëherë do të ishte i pashmangshëm shqyrtimi i përgjegjësisë së Perëndimit.
Pavarësia e Kosovës ka krijuar një situatë të re dhe interesi i Perëndimit nuk është që Serbia ta sfidojë shtetin e ri të Kosovës. Presioni i bërë mbi shtetet e Rajonit për ta njohur atë, tregon se është proces i pakthyeshëm dhe se çdo integrim i mëtejshëm i Serbisë në UE do të kushtëzohet me njohjen e saj të Kosovës. Si përfundim, i gjithë debati rreth procesit gjyqësor të inicuar në Hagë ka më shumë për qëllim pengimin e zhvillimit të Kosovës si shtet të pavarur, sesa një kthesë mbrapa në lidhje me statusin e saj.
Bisedoi: Rr.Dusha
Koha Javore

1