Behrami shënon golin e parë në Premierligë

November 23, 2008   | Sporti / Sport

Valon Behrami ia siguroi fitoren skuadrës së tij West Ham, e cila si mysafire e mposhti Sunderlandin me rezultat minimal 0:1. Tri pikë mjaft të vlefshme ekipit të drejtuar nga italiani Zola, kosovari ia siguroi me golin e realizuar në minutën e 20-të të takimit. Madje, Behrami ka pasur rast të mirë ta shtojë epërsinë në fund të pjesës së parë, por goditja e tij goditi transversalen.

Ky është goli i parë i kosovarit me pasaportë zvicerane në fanellën e West Hamit, që prej transferimit të tij gjatë afatit kalimtar të verës nga ekipi italian Lazio.

Nuhiu shënon në fitore

Kosovari Atdhe Nuhiu ka shënuar gol në fitoren e ekipit të tij, Austria Karnten, e cila fitoi si mysafire e LASK Linz me rezultat 0:2. Sulmuesi shtatlartë në minutën e 27 ka kaluar ekipin e tij në epërsi 0:1, derisa tre minuta pa përfunduar pjesa e parë, Sobrinho ka shtuar epërsinë në 0:2. Ky është goli i dytë i prishtinasit në fanellën e Austria Karntenit, që prej transferimit të tij nga FC Wels. Me këtë fitore, ekipi i 19-vjeçarit zë pozitën e pestë në Bundesligën austriake me 29 pikë të tubuara.

Gjasula realizon kundër Ramës

Jurgen Gjasula ka shënuar gol në fitoren e thellë të Baselit, e cila si mysafire mposhti (0:4) Thunin e Miliam Ramës në kuadër të kupës së Zvicrës. Mesfushori shqiptar, i cili në këtë takim u inkuadrua tetë minuta pa përfunduar ndeshja, realizoi golin e katërt për kampionët zviceranë në minutat shtesë. Në Minutën e 65-të për Baselin është inkuadruar edhe sulmuesi me prejardhje nga Kumanova, Orhan Mustafi, derisa mbrojtësi kosovar, Beg Ferat ka luajtur 90 minuta. Ndërsa për Thunin titullar ishte edhe Milaim Rama.

Selimi, gol në humbje

Sulmuesi shqiptar, Nexhmedin Selimi ka shënuar gol për ekipin e tij, Primorje, e cila u mposht në shtëpi nga Nova Gorica me rezultat 1:3. 24-vjeçari ka realizuar gol në minutën e fundit të ndeshjes për ta zbutur epërsinë e mysafirëve në 1:3. Goli i shënuar të dielën është i teti në kampionatin slloven për shqiptarin me pasaportë zvicerane.
Gazeta Express

YouTube Preview Image