Ambiciet e sëmura të liderëve tanë

November 24, 2008   | Shoqëria / Društvo

Nevoja për një politikan me profil të ri
Shqiptarët e këtushëm kanë nevojë për një profilim të ri në mënyrë që të kontribuojnë, jo për liderët, por për veten e tyre, për të qenë së bashku me një vizion të qartë e të thjeshtë, për të bojkotuar një herë e mirë ata që nuk shohin e nuk duan që të përmirësohet statusi i tyre. Historinë nuk mund ta shkruajnë këta liderë duke u marrë me të kaluarën e tyre politike nëse atë nuk e plotësojnë me plane e punë të reja.
Të gjithë ata që lexojnë e shikojnë këto ditë për të “arriturat” e udhëheqësve të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi nuk kanë se si të mos habiten për intensitetin dhe akuzat e pazakonta që paraqiten në mediat e shkruara dhe ato elektronike. Sherr pas sherri, akuzë pas akuze ndaj njëri-tjetrit, me deformime të karaktereve njerëzore për të gjuajtur baltë në sytë e opinionit. Personazhet sa vijnë e ndërrohen duke mbetur në fuqi kodi i urrejtjes ndaj çdokujt që nuk përfillë politikën e tyre dështuese. Kur kujton se si këta persona atakojnë njëri – tjetrin, ke mundësi të arrish në konkluzionin se nga këta nuk duhet pritur asnjë shkëndijë që jep shpresë për ndonjë kompromis të mundshëm.
Ajo për të cilën u mendua në fillim të viteve të demokracisë se gjoja kishim interesa të përbashkëta në të kaluarën, tani jemi të ndarë jo me fajin e popullit, por pikërisht falë politikës që servojnë e propagandojnë këta politikanë. Me gjithë përpjekjet për të mbajtur një unitet me një vizion të përbashkët, në Mal të Zi dolën shumë liderë të cilët me paudhësitë e tyre zvogëluan trungun shqiptar dhe këtë e bënë jo për të mirën e komunitetit të këtushëm, por për të siguruar rehatinë e vet e për të qenë sa më shumë të pranishëm në skenën politike.
Është e qartë se një hendek jo i cekët i ndanë të njëjtit (sikur na janë bërë shumë), nga ku është tepër e vështirë për t`i bashkuar duke menduar se një ditë ata mund të bëjnë të pamundurën, kurse të pafundme mund të jenë edhe shpresat, zhgënjimet, edhe ëndrrat që ata sjellin për shqiptarët në Mal të Zi. Të gjitha tentativat e tyre për të shfajësuar veten janë jashtë mode karshi asaj që sheh syri e dëgjon veshi, nga ku zhvlerësohet çdo gjë që atëherë ishte e përbashkët, tani kjo është bërë fraksion që po lëshohet nga të gjitha anët. Këtu shihet qartë se të njëjtit e kanë pëvetësuar me kënaqësi zejen e ulët të kësaj politike ditore të mbarsur me urrejtje ndaj kujtdo që del nga skema politike e tyre. Të njëjtëve sot u del nga goja fantazia e sëmurë e momentit, duke etiketuar politikanë, gazetarë, intelektualë, me fyerje nga më të ndryshmet, dhe kjo krizë nuk është e vetmja, andaj shuhet çdo shpresë për të hedhur në erë faqen formale të paqes në mes palëve. Shqetësimi është më i madh kur analizon unitetin politik që kishim në vitet e para të demokracisë, karshi asaj që thuhet e shkruhet sot ku politikëbërësit sa nuk e hanë për së gjalli njëri-tjetrin. Veprimet e tyre provokojnë dhe lëndojnë votuesit, me çka krijohet një përshtypje se kjo bëhet nëpërmjet mediave të shkruara e elektronike për të ngjallë urrejtje ndaj çdokujt që nuk është në një mendje me ta. Në këto zhurma të ngritura rreth asaj që tashmë ka ikur, të realizuara apo jo, nuk është vështirë të kuptohet realiteti i interesave të tyre personale ku zgjedhësit shqiptarë i kanë ngopur me lugën e demagogjisë dhe kjo është befasia më e madhe që ngjallë te shqiptarët në Mal të Zi. Të njëjtit duke menduar se do t`na mbushin mendjen se sa të drejta ishin dhe janë qëndrimet e tyre, mundohen të sfidojnë oponentët me fraza të pakuptueshme, gjë që e gjithë kjo duket se nuk do të zgjasë shumë.
Nga e gjithë kjo sëmundje e politikanëve shqiptarë në Mal të Zi, një shqiptar sado i thjeshtë qoftë, e ka të vështirë të kuptojë se ku ndryshojnë partitë shqiptare në mes veti, ku ndryshojnë idetë, planet e liderëve të këtyre partive, përveçse në ambiciet e sëmura për të qenë të pranishëm në shumicën malazeze dhe këtë për asgjë tjetër vetëm për të përfituar personalisht. Kësaj pune po i shtojnë barrë nga vetvetja sepse nuk duan ta dinë rrugën e vet, një rrugë me model të ri, por vazhdojnë me avazin e vjetër, avazin komunist që u ka mbetur ves nga ajo kohë, prandaj duhet t`i godasë dikush nga mbrapa për t`i hedhur në binarët e një shoqërie vërtet demokratike e me një vizion të qartë për të ardhmen. Kështu nuk ka se si të përparojë komuniteti i këtushëm, duke krijuar pengesa pikërisht ata që i kanë dalë zot vetes për t`u prirë zhvillimeve shoqërore. Me qëllime të errëta e hipokrite nuk shkohet përpara. Komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka zgjedhur pluralizmin, por ata që pretendojnë se bëjnë politikë kombëtare nuk janë njerëz partiakë, më tepër u gjasojnë prijësve të çetave, ndaj sillen duke përhapur të paqena, apo tërësisht të pavërteta. Duke u shtirë se janë demokratë, bëjnë shumë gafa të cilat nuk do t`ua falë populli.
Çfarë premtojnë, çfarë kërkojnë me fjalorin e tyre duke tentuar të fusin në partitë e veta votues vetëm për t`ua marrë votën, pa ndonjë angazhim serioz për të luftuar problemet, pa dhënë ndonjë alternativë, duke bërë absurdin e duke bërë përgjegjës këtë apo atë, qoftë ky politikan apo gezetar. Jo pa qëllim, apostujt e tyre dhe një krah i mediave që janë në shërbim të tyre, po kultivojnë te qytetarët shqiptarë në Mal të Zi një ligjërim publik agresiv se gjoja të gjitha të këqijat u vijnë shqiptarëve nga fatkeqësitë e njërit apo tjetrit krah, me çka veten duan ta përjashtojnë nga përgjegjësitë politike e morale dhe këtë e kthejnë në vetëlavdërim. Të njëjtit vetëm vazhdojnë të mohojnë punën e të tjerëve, vazhdojnë për të bindur opinionin se vetëm ata janë në rrugë të mbarë për të avancuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për çka nuk mund të bindin askënd në një mision të tillë edhe përkundër ndihmesës që u japin mediat e shkruara dhe ato elektronike.
Si duket, nga veprimet e tyre zbritet vlera e politikanëve dhe kjo po bie nën nivelin zero, duke harruar se edhe ata dikur ishin pjesë e këtij komuniteti me profesione të ndryshme, nga ku gjoja se mbrojnë interesat e popullit sulmojnë njëri-tjetrin në distance, pa pasur kurajo të pranojnë mendimet ndryshe. Tani, shqiptarët e këtushëm kanë nevojë për një profilim të ri në mënyrë që të kontribuojnë, jo për liderët, por për veten e tyre për të qenë së bashku me një vizion të qartë e të thjeshtë, për të bojkotuar një herë e mirë ata që nuk shohin e nuk duan që të përmirësohet statusi i tyre. Historinë nuk mund ta shkruajnë këta liderë duke u marrë me të kaluarën e tyre politike nëse atë nuk e plotësojnë me plane e punë të reja.
Shaban Peraj
Koha Javore