Propozohet projekt më pak i kushtueshëm për ndërtimin e urës në Port Milenë
Qeveria e malit të zi e cilëson si preambicioz projektin ideor për ndërtimin e urës në port milenë
Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi e ka vlerësuar si preambicioz projektin ideor për ndërtimin e urës në Port Milenë, të karakterit lëvizës, me gjatësi prej 600 metrash, i cili sipas përllogaritjeve do të kushtonte 40-60 milionë euro.
Për këtë arsye në Drejtorinë për Komunikacion kanë vlerësuar se zgjidhja optimale do të ishte ura lëvizëse e gjatë 200 metra, e cila do të kushtonte dyfish më lirë se ajo e parashikuar me zgjidhjen ideore.
“Është vlerësuar se zgjidhja ideore ekzistuese, e cila nënkupton ndërtimin e urës lëvizëse të gjatë 600 metra, me vlerë ndërmjet 40-60 milionë euro, është preambicioze dhe i tejkalon mundësitë aktuale të shtetit tonë. Realizimin e këtij projekti vështirësonte sidomos procesi i shtrenjtë dhe i ngadaltë i shpronësimit, për ç`arsye duhet shfrytëzuar variantet më pak të kushtueshme të cilat do të siguronin realizimin e qëllimit”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Malit të Zi të lëshuar pas takimit të së martës të mbajtur në Podgoricë ndërmjet ministrit të Komunikacionit, Detarisë dhe Telekomunikacioneve Andrija Llompar, ministrit për Zhvillim Ekonomik Branimir Gvozdenoviq dhe përfaqësuesve të Drejtorisë për Komunikacion me kryetarin e Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga.
Ndërtimi i urës në Port Milenë është pjesë e Programit të mënjanimit të të ashtuaquajturave “zorra qorre”.
Në njoftimin për media thuhet se “për zgjidhjen alternative të propozuar nga Drejtoria për Komunikacion do të dihet më shumë sapo të përfundohet Studimi i lokalitetit, i cili krahas zgjidhjes ideore do të përmbajë edhe alternativën, e cila do t`u ofrohej ekspertëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Podgoricë, për ç`gjë në ditët e ardhshme do të hartohet aneksi i marrëveshjes, realizimin e së cilës do ta financojë Ministria e Komunikacionit, Detarisë dhe Telekomunikacioneve dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik, me pjesëmarrjen simbolike të Komunës së Ulqinit”.
Kohapress
Fotografijat jan të marrura nga web sajti www.nacional.hr/ – Novi most Trogir – ?iovo Hrvatska








