Çfarë përmban raporti i sekretarit Ban ?

November 25, 2008   | Rajoni / Region

Pas një hyrjeje ku flet për situatën politike, ekonomike dhe të sigurisë prej 26 qershorit e deri më 31 tetor 2008, Ban në pikën e 11 nën titullin Diaolg me Beogradin, tregon se si i dërguari i tij special në Kosovë, Lamberto Zannier, ka zhvilluar konsultime dhe dialog me Prishtinën e Beogradin, pa paragjykime për qëndrimin e tyre ndaj statusit në lidhje me 6 pikat. Sipas tij, të gjitha aranzhmanet për 6 pikat do të vlejnë derisa nuk do të krijohen mekanizma të tjerë që do t’i pasojnë, prandaj në këtë kontekst Ban Ki Moon ka ardhur në konkluzion se të gjitha palët e përfshira në çështjen e Kosovës e kanë pranuar rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare civile. Në këtë pikë ai më pas paraqet rezultatet e diskutimeve për 6 pikat, dhe e përshëndet reagimin pozitiv për to nga Serbia. Ban paraqet rezultatet e dialogut për rikonfigurimin nëpërmjet 6 pikave, krejtësisht të njëjta siç i kishte raportuar për herë të parë Kohavisioni më 9 nëntor, një ditë para refuzimit të parë zyrtar të Prishtinës. Kujtojmë se këto pika që janë pjesë e raportit të Ban-it kanë të bëjnë me Policinë, doganat, drejtësinë, transportin dhe infrastrukturën, kufijtë dhe trashëgiminë serbe. Parashihet krijimi i stacioneve dhe nënstacioneve të reja policore për serbët, ku vëmendje e veçantë do t’u kushtohej kushteve të punës së policëve serbë. Këto stacione e nënstacione policore do të vazhdojnë ta kenë zinxhirin e njëjtë komandues dhe do të monitorohen nga Policia ndërkombëtare. Komisari ndërkombëtar i policisë, në konsultim me PSSP-në do të emërojë komandantët serbë të policisë, që do t’i raportojnë ndërkombëtarëve. Kosova do të vazhdojë të funksionojë si një rajon i vetëm doganor, por në portat 1 e 31 do të ktheheshin oficerë ndërkombëtarë të doganave. Do të aplikohej Rezoluta 1244, kurse tarifat e aplikueshme do të ishin në përputhje me Rregulloren 2004/1. Të tjera diskutime do të zhvillohen për formën e shpërndarjes së të ardhurave nga këto pika doganore. Në pikën e tretë, atë të drejtësisë, thuhet se në Gjykatën e rihapur të Mitrovicës, në një periudhë më të vonshme do të emërohen gjykatës dhe prokurorë lokalë do në pajtueshmëri me Rezolutën 1244. Pika e katërt për transport dhe infrastrukturë thotë se diskutimet kanë dhënë shenja të pranimit të nevojës për bashkëpunim të ngushtë për çështjet e mëdha infrastrukturore (rrugë, hekurudhë, ujë, energji elektrike), dhe se dialogu do të ndihmonte të gjitha komunitetet në Kosovë. Komiteti teknik për transport e infrastrukturë do të adresojë çështjen e kufijve, por në ndërkohë KFOR-i do të mbrojë kufijtë bashkë me organizatat e tjera ndërkombëtare. Pika e 6 dhe e fundit, ajo për trashëgiminë serbe, kërkon më shumë dialog në këtë çështje, dhe sipas saj agjenda do të përfshijë zbatimin e marrëveshjeve mbrojtëse përreth vendeve të Kishës ortodokse serbe, aktiviteteve të ndërlidhura me mirëqenien e murgjve dhe murgeshave, siç është lirimi i Kishës Ortodokse Serbe nga TVSH-ja, Taksa e Akcizës dhe obligimeve doganore, modaliteteve për rindërtimin e vendeve fetare nga Kisha ortodokse serbe si dhe çështjen e kthimit të artefakteve arkeologjike. Pasi i paraqet 6 pikat, Ban thotë se konflikti në mes të UNMIK-ut dhe Kushtetutës së Kosovës ka çuar në nevojën për rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke ruajtur neutralitetin për statusin nga ana e OKB-së. ‘EULEX-i do të respektojë në tërësi Rezolutën 1244 dhe do të operojë nën autoritetin e përgjithshëm dhe brenda kornizës së OKB-së. EULEX-i do të dërgojë raporte në OKB në baza të rregullta”, thotë në raportin e tij Ban. Më pas ai tregon se si Serbia i ka përkrahur 6 pikat e tij, kurse Prishtina i ka refuzuar në mënyrë të qartë, porse ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim për shtrirjen e EULEX-it.
Koha Vizion

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/ban-ki-mun.flv