Kundër rrymës me Bosh

November 25, 2008   | Lajmet / Vijesti

Në shtatë ditët e jav ës çdo kujt i ndodh të ndihet pse jo një ditë; vetëm… pa dashuri… thjesht bosh. Një përjetim që këtë herë ka marrë jetë në këngën më të re të këngëtares së mirënjohur Aurela Gaçe. Me një tekst ku ato pak fjalë të Timo Fllokos thonë aq shumë, me muzikë të Ardit Gjebreas dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit, Gaçe na ka servirur një këngë të mrekullueshme. E gjitha kjo e shoqëruar me një klip të ideuar nga vetë këngëtarja, e cila gjithmonë shfaqet me një look befasues. Po në këtë intervistë për “Bluetooth”, Aurela flet edhe për ato pseudokëngëtare, që në vend që të krijojnë imazhin dhe stilin e tyre, imitojnë atë nga muzika e deri tek pamja dhe gjestet.

Përsëri në ekranet shqiptare me një këngë të re. Si ndihet Aurela në fund të një pune dhe promovimit të saj?

Ndihem shumë mirë, aq më tepër tani që kam marrë urimet e para…

Çfarë është kënga “Bosh” për ju dhe çfarë nënkupton titulli i saj?

Kam thënë me zë të lartë atë monolog që e ka secili nga ne. Jemi mësuar të themi vetëm “ik”, “S’kam nevojë për ty”, “s’të dua më”, etj… Tekstet tona vuajnë nga mos vërtetësia. Kjo këngë është shumë e sinqertë, si të thuash i kam lënë njerëzit të më shohin më shumë se ajo që paraqitem në skenë. Është këngë e guximshme. Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë në jetë atë që unë kam thënë në këngë. Me ndihmën e një muzike të shkruar nga Ardit Gjebrea, me një poezi të shkruar nga Timo Flloko dhe me orkestracion të Shpëtim Saraçit, unë munda të shpreh dhe të flas me atë që di të bëj më mirë… të këndoj.

Ku është realizuar klipi dhe kush ka qene ideator i saj?

Klipi u realizua në Maqedoni nga regjisori Alexander. Falë bashkëpunimit që ka “Kënga Magjike” me Supersonic tv (të cilët i falenderoj shumë), unë si fituese e vjetshme pata mundësinë të kem këte video falas. Është vërtetë ndihmë shumë e madhe, me çmimet që realizohen klipet e mira sot. Ideja e klipit është e ndërtuar nga unë, pasi doja të thosha shumë. Shkolla dhe eksperienca më lejuan t’i besoja vetes. Sigurisht që regjisori e ka ngritur në art atë që une doja të thoja.

Duke pasur parasysh që ju këndoni këngë jo në këtë lloj ritmi, si kanë qenë reagimet e para për këngën “Bosh”?

Deri më sot, në gjithë vitet e karrierës kam provuar dhe kënduar shumë; duke filluar me balada, si “Nata”, “E pafajshme jam”, “Fati ynë shpresë e marrëzi”, etj, këngë pop me motive popullore si s’jam “Tribu”, “Cimica”, kam provuar Këngë Polifonike, kam provuar të aktroj duke kënduar si Çrli Çplin, etj kjo është jazz (pak më i moderuar) që sot në botë e këndojnë artistë që janë të vlerësuar nga kritika. Mua më është dashur të dëgjoj këto lloj albumesh për ta kënduar në stilin e duhur. Reagimet kanë qenë shumë të mira, ashtu siç i prisja. Publiku e kupton dashurinë dhe sinqeritetin, edhe pse kjo lloj muzike nuk është pjesë e asaj që është në “modë” këtu tek ne. Dhe më besoni, e di shume mirë çfarë është në modë për të shitur.

Këtë vit nuk konkurroni në “Këngën Magjike” po jeni e ftuar e saj. Ishte zgjedhja juaj kjo?

Këtë rradhë doja të vija si kampione akoma në fuqi (qesh).

“Hape veten” është një këngë që njihet edhe tek shqiptarët në Amerikë apo jo? E kërkojnë ata në koncertet tuaja?

Po, madje ajo këngë pati shumë vota në internet nga fansat e mi atje.

Cili është emocioni më i madh që morët prej saj?

Pritja dhe reagimi i publikut më ka bërë të emocionohem shumë.

I shihni klipet shqiptare? Cili është mendimi juaj për to?

Kur vij këtu, mundohem të informohem me tregun muzikor dhe të them të vërtetën, me keqardhje po e them se shumë klipe lënë shumë për të dëshiruar.

Dihet që publiku është gjykuesi më i mirë. Dhe në këtë rast duke ju referuar atij, thuhet se janë disa këngëtarë që ju imitojnë ju, e jo vetëm në këngë. Ju vetë Aurela, mendoni se ka këngëtarë, që ju imitojnë dhe çfarë do t’u thoshit atyre?

Nga sa kam parë i bashkohem mendimit të publikut. Unë kur kam dalë në skenë dhe kur kam nxjerrë në treg albumet e mia, nuk e kisha menduar se do të vinte një ditë që të bëhesha pikë referimi, dhe për këtë më vjen mirë nese kam ndihmuar dikë. Edhe unë kam pasur dhe kam këngëtare që referohem, por nuk i kopjoj, pasi kam shumë nga vetja për të dhënë. Më vjen mirë që më shohin mua si burim frymëzimi në vend të një këngëtareje të huaj. Nuk bezdisem fare kur shoh një klip të ditëve të sotme i ngjan kryekëput klipit tim “Oh nënë” i realizuar 8 vjet më parë, qoftë potpuri të kënduara njësoj (të paktën të kishin marrë kohën t’i ndërtonin ndryshe), ose qoftë edhe ndonjë lëvizje të bërë në skenë ose në Klipe. Nuk më bezdis as fakti kur më imitojnë në look e gjeste. Lumturohem që mund t’i ndihmoj. Vetëm kam një këshillë; në anën e bregut tjetër të nxjerrin vetëm krahët e tu”. Do të doja që këta këngëtare të ishin më krijuese.


Bluetooth

YouTube Preview Image