Berluskoni: Do të jem avokati kryesor i Shqipërisë

December 4, 2008   | Rajoni / Region

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka pritur në takim kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, Topi, duke vlerësuar se vendi fqinj, Italia, ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë dhe duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, vuri në pah përpjekjet serioze të Shqipërisë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë evropiane.
Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Nga ana e tij, kryeministri italian Berluskoni, e vuri theksin në ndryshimet e mëdha që vërehen në Shqipëri, përpjekjet e shqiptarëve për një jetë më të mirë, përparimin dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke theksuar se Shqipëria mund të ecë e sigurt dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane dhe asaj euroatlantike duke theksuar se si kryeministër i Italisë do të jetë avokati kryesor duke mbështetur Shqipërinë në përfshirjen e saj në gjirin e familjes evropiane
Telegrafi