Intervistë me Petrit Ymerin, drejtor i shtëpisë botuese

December 4, 2008   | Intervista / Intervju

Botimet në Shqipëri janë të nivelit evropian
Koha javore: Z. Ymeri, në hapje të edicionit të njëmbëdhjetë të Panairit “Tirana 2008”, Ju keni potencuar problemin e mungesës së titujve të rinj. Cila është arsyeja? A mos do të thotë kjo se ekziston një lloj krize në fushën e veprimtarisë botuese shqiptare?
P. Ymeri: Jo, unë nuk mendoj se është krizë e veprimtarisë botuese. Është e vërtetë që gjatë këtij viti ka pasur më pak tituj të rinj. Për fat të keq ne parashikojmë që edhe për vitin 2009, numri i titujve të rinj të jetë në rënie. Kjo lidhet edhe me gjithë atmosferën që vihet re në vendin tonë dhe më gjerë. Ka një rënie të fuqisë ekonomike, të fuqisë blerëse. Ekonomia nuk është ashtu siç duhet. Në shumë biznese vihen re të tilla vështirësi. Me sa duket te libri kjo është më e dukshme, më e prekshme, sepse njeriu nëse ka një dobësi të fuqisë së tij ekonomike, në fillim do të heqë dorë nga kultura, filmi, libri, etj., e pastaj nga ushqimi.
Por nga ana tjetër, një gjë që e ka dobësuar fuqinë botuese gjatë vitit 2008 është fakti që në janar të këtij viti është rivendosur një taksë e TVSH-së mbi librin e importit, që do të thotë se të gjithë librat që vijnë nga jashtë, qoftë librat e huaj, qoftë edhe librat në gjuhën shqipe d.m.th. të botuesve shqiptarë që shtypeshin jashtë Shqipërisë ose libra që mund të vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, etj., taksohen tani me njëzet për qind. Kjo ndihet sidomos për një specifikë librash të cilat botuesit shqiptarë më profesionistë filluan prej vitesh tzi shtypnin jashtë. Këto janë libra për fëmijë, libra të karakterit enciklopedik, libra të ilustruar apo ka edicione që shtëpitë botuese shqiptare, katër – pesë shtëpitë botuese më serioze i bëjnë me botuesin e huaj jashtë dhe janë të detyrueshme për tzu shtypur jashtë. Edhe kjo nuk është një masë e vogël titujsh sepse bëhet fjalë të paktën për 70-80 tituj që shtypen ritmikisht jashtë shtetit nga botuesi shqiptar. Mirëpo, tani tzi shtosh 20 për qind vlerës që i ka vënë secili botues, për të shtypur që nga Evropa, e deri në Kinë, Singapor, etj., nuk është një shumë e vogël.
Prandaj botuesit shqiptarë kanë filluar tzi ulin shpenzimet e tyre për botimin e librave jashtë e kjo ndikon, e para, në uljen e numrit të titujve, dhe e dyta, ndikon në botimin e librave cilësorë. Sepse librat që ne shtypnim jashtë ishin libra të cilët nuk mund të botoheshin këtu në Shqipëri me atë cilësi që lexuesi ynë ka të drejtë ta kërkojë.
Dhe unë kam përshtypjen se kjo do të vijë duke u rënduar akoma më shumë në vitet pasardhës. Prandaj unë si dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë kemi luftuar për muaj e muaj të tërë pranë të gjitha autoriteteve të administratës së lartë e deri te nivelet e ulëta që kjo taksë që u rivendos pa të drejtë të hiqet. Mirëpo me sa duket nuk po ndodh një gjë e tillë, pavarësisht se në hapjen e Panairit të Librit, vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë tha që kjo është një taksë tranzitore. Shpresoj të jetë e tillë, por derisa të jetë e tillë, ajo është një taksë që rëndon mbi librin.
Koha javore: Si qëndron libri shqip në raport me librin apo me veprimtarinë botuese në vendet e tjera të rajonit? Cili është raporti i shtëpive botuese shqiptare me ato të huaja?
P. Ymeri: Mund të them pa kurrfarë modestie që prej disa vjetësh botimet në Shqipëri janë të nivelit evropian. Kjo jo vetëm sa i përket autorëve që përzgjedhim, titujve që përzgjedhim, mënyrës se si vijnë autorët e përkthyer në gjuhën shqipe, por edhe paraqitjes teknike dhe grafike të librit. Kjo është ajo që theksova pak më parë që ne kemi filluar të dalim jashtë kufijve edhe nga bashkëprodhimet që bëjmë.
Për sa i përket raporteve që kemi ne me kolegët dhe shtëpitë botuese të huaja, tani janë shumë botues shqiptarë që blejnë të drejtat e botimeve të veprave dhe autorëve më të njohur që përkthehen në gjuhën shqipe dhe bëhen pjesë e kulturës shqiptare, bëhen pronë e lexuesit shqiptar.
Lexuesi shqiptar tashmë ka mundësi të lexojë gjërat më të mira që botohen sot kudo në botë, jo vetëm letërsi artistike, por edhe në fusha të tjera të shkencës, për të cilat mund të jetë i interesuar qoftë pedagogu, akademiku, profesori, studenti, nxënësi, e kështu me radhë apo edhe një lexues i kulifikuar kudo në botë për fushat për të cilat ai është i interesuar.
Koha javore: Cili është raporti ndërmjet botimeve në gjuhën shqipe dhe botimeve të përkthyera në gjuhën shqipe? Po në fushën e letërsisë?
P. Ymeri: Unë mendoj që përsëri dominojnë botimet shqiptare, kurse në fushën e letërsisë dominon letërsia e huaj e përkthyer. Dhe mua kjo nuk më duket fare shqetësuese, madje më duket fare normale. Kudo në botë, për shembull, po të shkosh në Francë, Britani të Madhe, Itali, etj., nuk e shqetëson askënd fakti që botohen më shumë autorë vendas apo më pak autorë vendas në krahasim me letërsinë e huaj. E rëndësishme është që lexuesi të marrë atë që don të marrë, të marrë letërsinë më të mirë, të marrë autorët më të mirë. Ne nuk mund të pretendojmë që një vend relativisht i vogël, siç jemi ne, me një kulturë jo shumë të konsoliduar dhe që nuk ka përsëri nivelet që ka Evropa Perëndimore apo Amerika e kështu me radhë, çdo gjë tzia ofrojmë lexuesit nga mielli i vendit sepse do të binim në ato gabime që është rënë për vite e vite me radhë, kur Shqipëria ka qenë e izoluar. Kështu që është shumë mirë që ne i japim lexuesit mundësinë dhe është ai vetë pastaj që vendos se çfarë do të marrë, çfarë i pëlqen më shumë.
Është një gjë shumë pozitive. Ne po sjellim tani autorë shumë të mirë edhe në ndihmë të universiteteve, që janë jo vetëm letërsi artistike, por janë ese, histori, letërsi, kritikë letrare, etj. për të cilat ka nevojë universiteti apo libra historie shumë të mirë, që ne i marrim nga shtëpitë botuese më prestigjoze të Evropës dhe SHBA-së. Domethënë vetëm mirë i bën kjo shkollës sonë, kulturës sonë, shoqërisë sonë.
Ne kemi dy tre autorë që përfaqësohen edhe jashtë me botimet e tyre. Natyrisht dallohet Kadare i cili pa dyshim është një majë në kulturën tonë, por nga ana tjetër nuk kemi të tjerë të këtij niveli. Prandaj, a kemi të drejtë ta kufizojmë lexuesin që të lexojë gjërat më të mira që botohen kudo në botë? Nuk kemi. Përkundrazi, ne kemi detyrë që lexuesit tonë në gjuhën shqipe tzi sjellim autorët më të mirë. Dhe kjo po bëhet, bile po bëhet me shumë sukses. Dhe mua më duket se kjo është një arritje shumë e madhe. Pastaj kjo është edhe një shtysë për letërsinë kombëtare shqiptare. Sidomos për letrarët e rinj, autorët e rinj, poetët dhe prozatorët e rinj.
Koha javore: Një çështje për të cilën vazhdimisht debatohet kur kemi të bëjmë me veprimtarinë botuese është ajo e përkthimit, respektivisht e nivelit të dobët të përkthimeve?
P. Ymeri: Si çdo gjë, edhe kjo është relative. Ka përkthime të dobëta, mesatare, ka edhe përkthime të mira dhe shumë të mira. Kjo ka të bëjë me politikën që bën çdo shtëpi botuese dhe profesionalizmin e çdo shtëpie botuese, kujdesin që tregohet për përkthimin. Shtëpia Botuese “Dituria” ashtu si dhe pak të tjera, për hir të së vërtetës duke lënë modestinë mënjanë, i kushton vëmendje të madhe zgjedhjes së përkthyesve më të mirë. Po të shohësh katalogun tonë, ne kemi përkthyesit më të mirë nga të gjitha fushat. Një libër nga filozofia e kemi me përkthyes Artan Fugën, një libër letrar e kemi të përkthyer nga Edmond Tupjan apo Mirela Kumbaro, pastaj Robert Shvarci, Edit Dibra, etj. Domethënë kemi nga përkthyesit më të mirë të tregut. Pra, kjo është shumë e rëndësishme, që lexuesit një vepër e madhe, një autor i madh tzi jepet në nivel shumë të mirë. Përndryshe në qoftë se i propozojmë një përkthyes të dobët, ti e shkatërron veprën. Ti bën të kundërtën e asaj që duhet të bësh sepse ai humb besimin pastaj te letërsia, humb besimin te ky titull dhe te ky autor.
Koha javore: Cila është atëherë arsyeja që shtëpi të ndryshme botuese angazhojnë përkthyes të një niveli më të dobët për të përkthyer vepra të ndryshme?
P. Ymeri: Ka dy arsye. E para, mungesa e profesionalizmit. Ata nuk e njohin dhe nuk e vlerësojnë sa duhet këtë gjë. Dhe e dyta, çështje mjetesh financiare. Ata angazhojnë studentë ose një diletant që i paguajnë pak. Autori i mirë paguhet mirë, përkthyesi i mirë paguhet mirë.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore