Fried: EULEX-i nuk është neutral

December 5, 2008   | Rajoni / Region

“EULEX-i vepron brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244, por është larg të qenit status neutral”, ka thënë ndihmësnënsekretari amerikan i Shtetit për çështjet e euro-azisë, Daniel Fried.
Ndihmësnënsekretari amerikan i Shtetit për çështjet e euro-azisë, Daniel Fried, ka përsëritur mbështetjen e tij për tërësinë territoriale të Kosovës.
“Kosova do të mbetet e pandarë”, theksoi Fried.
Duke folur për vendosjen e EULEX-it, Fried për Radion Evropa e Lirë tha:
“EULEX-i e di se cili është misioni. Misioni i EULEX-it në fakt nuk është aspak status neutral. Misioni i tij do të jetë forcimi i integritetit territorial të Kosovës. EULEX-i vepron brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244, por është larg të qenit status neutral”, tha Fried.
Ai shtoi se “Qeveria e Kosovës e ka përkrahuar misionin e EULEX-it dhe kjo është zgjedhje e mençur për një Kosovë sovrane të pandarë”.
Komentet për Radion Evropa e Lirë, Fried i bëri gjatë takimit të OSBE-së që po mbahet në Helsinki.

Radio Evropa e Lirë