Këngëtaret edhe pse duan, shumë pak dalin në jetën e natës

December 5, 2008   | Lajmet / Vijesti

Për shkak se janë të zëna me punë, shumica e këngëtareve në Kosovë nuk gjejnë shumë kohë të lirë për të dalë nëpër ambientet e ndryshme, pube apo diskoteka në Prishtinë.
Disa prej tyre thonë se iu mungon jeta e natës, pasi që janë të dhëna më tepër pas punës, ndërsa një pengesë tjetër për argëtimin e tyre, janë edhe vendet e pakta ku mund të jesh i lirë.
Këngëtarja e njohur Arta Bajrami tha për Kosovapress se më herët ka dalë rregullisht mbrëmjeve nëpër lokalet e Prishtinës, por që një vit nuk del më pasi që nuk ka kohë.
Tash shumicën e kohës në mbrëmje Arta punon në studio bashkë me të vëllanë rreth përgatitjeve të këngëve të reja dhe videoklipeve. Kështu që Arta thotë se po i mungon jeta e natës.
Këngëtarja tjetër, e cila përveç që njihet me zërin e saj të veçantë, por edhe që çdoherë duket “happy”, Vesa Luma tha për Kosovapress se ka dëshirë të dalë çdoherë që gjen kohën e lirë.
“Fatkeqësisht nuk kam kohë të dalë shumë natën edhe pse më pëlqen. Dihet që kam shumë shoqëri dhe kam dëshirë të argëtohem. Vesa nuk preferon ndonjë disko në Prishtinë ku ka njerëz të ri”, tha Vesa, duke shtuar se ka dëshirë të dalë të paktën një herë në dy javë me shoqërinë e saj.
Ndërsa, këngëtarja e re në moshë, por me suksese të mëdha, Adelina Berisha, ka thënë për Kosovapress se ka shumë pak vende të përshtatshme për të kaluar kohën e lirë, porse ka disa vende ku del gjatë kohës së lirë.
“Prishtina e ka rininë e bukur dhe rinia e bën të veten dhe atmosferën në kryeqytet, pjesë e së cilës jam edhe unë nganjëherë”, tha Adelina, e cila kohëve të fundit është duke përgatitur disa këngë të reja, ku njëra ndër to do të jetë e lansuar edhe me videoklip.
Kohë për jetën e natës ka shumë pak edhe këngëtarja nga Durrësi, e cila jeton në Kosovë. Është fjala për Lorin, e cila kohë më parë ka thënë se i vjen keq që nuk gjen shumë kohë të lirë për të dalë nëpër pube apo diskoteka.
“Siç më kanë thënë, në Prishtinë vikendet bëhen shumë mirë, por pikërisht ato ditë zakonisht jam duke kënduar në Evropë”, ka thënë Lori.
L.Gashi
Kosovapress

YouTube Preview Image