Toleranca sinonim i shoqërive demokratike

December 9, 2008   | Shoqëria / Društvo

Lufta kundër intolerancës, urrejtjës dhe ksenofobisë
Ne botën bashkëkohore tolerancën nuk duhet trajtuar si diçka të veçantë por mbi të gjitha ajo është përgjegjësi në lidhje me realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, pluralizmin, demokracinë dhe shtetin ligjor. Ajo përjashton dogmatizmin dhe apsolutizmin dhe dëshmon verifikimin e standardeve më të avancuara demokratike. Toleranca si kategori morale dëshmon në mënyrë praktike relacionet ndërmjet pakicës dhe shumicës, që në mënyrë transparente manifestohet në mjediset multinacionale dhe multikulturore.
Të rrallë janë ato terma qe në jetën e përditshme të kenë një përdorim të gjerë siç është termi tolerancë. Edhe pse ky term është sinonim për durim, zemërgjerësi, butësi, vetëpërmbajtje, mëshirë, respekt, bujari, ai dekadave të fundit, e sidomos nga viti 1990 pas rënies së sistemit komunist në Evropën Juglindore, është bërë pjesë e pandarë të fjalorit të përditshmëm. Një konstatim i tillë vlen jo vetëm për stafet udhëheqëse politike, por edhe për qytetarët e zakonshëm. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe duke pasur parasysh ndryshimet e mëdha post-komuniste në vendet e ish-kampit socialist, si dhe periudhën e gjatë të tranzicionit që ka ekzistuar në këto vende.
Të diskutosh sot për tolerancën, nuk ka dilemë se paraqet një temë delikate, intrigante madje edhe provokuese. Ajo si e tillë mund të trajtohet në shumë aspekte, si atë qytetar, shtetëror, social, arsimor, politik etj.
Por, që në fillim duhet thënë se nuk është e njëjtë kur trajtohet çështja e tolerancës, për mjediset e ndryshme të cilat në aspektin nacional janë njënacionale ne krahasim me ato të cilat janë multinacionale. Në rastin konkret, Mali i Zi paraqet një mjedis specifik sepse është mjedisi më multinacional, multikulturor, multikonfesional dhe multigjuhësor nga ish-Jugosllavia.
Përmbajtja heterogjene e këtij mjedisi me pjesëmarrje relative te të gjithë popujve përkatës, ka krijuar një mozaik, apo më mirë të themi një mjedis specifik që është i veçantë jo vetëm për Evropën Juglindore por edhe më gjerë. Andaj, pikërisht ky mjedis paraqet mundësi të veçantë të trajtimit të tolerancës, jo vetëm në aspektin teorik por edhe atë praktik.
Por, nga koha e aplikimit të pluralizmit politik nga viti 1990 e deri më tash më të drejtë bëhet pyetja në ç` masë kanë vepruar strukturat shtetërore që toleranca si kategori morale të jetë e pranueshme për të gjithë qytetarët e këti mjedisi. Nuk ka dilemë se kjo çështje paraqet temë për hulumtime të veçanta, ku mund të trajtohet nga shumë aspekte, andaj si e tillë është vazhdimisht e hapur.

1. Toleranca dhe demokracia

Duke e parë si çështje të domosdoshme për çdo shoqëri demokratike, UNESCO në vitin 1995 ka miratuar Deklaratën mbi principet e tolerancës, e cila është obluguese për shtetet nënshkruese. Në botën bashkëkohore tolerancën nuk duhet trajtuar si diçka të veçantë por mbi të gjitha ajo është përgjegjësi në lidhje me realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, pluralizmin, demokracinë dhe shtetin ligjor. Ajo përjashton dogmatizmin dhe apsolutizmin dhe dëshmon verifikimin e standardeve më të avancuara demokratike.
Në krahasim me vendet despotike, demokracia është i vetmi sistem që i ofron mundësi çdo individi, grupi apo subjekteve të ndryshme të shprehin hapur ndjenjat dhe mendimet e tyre. Ne fakt nuk mund të flitet për demokraci në një vend nëse toleranca nuk ekziston. Pra kemi të bëjmë me një binom i cili nuk mund të ekzistojë pa njëri tjetrën. E kundërta ishte ne vendet e ish kampit socialist, ku ndonse në letër ishte e lejuar liria e fjalës dhe e mendimit, në praktikë ishte e kundërta, sepse mendimi ndryshe sanksionohej. Pra, të gjithë duhet të mendonin siç mendonte një individ, në rastin konkret partia, që personifikohej me shtetin. Këtu kishim të bënim me kultin e personalitetit, që ishte i paprekshëm dhe simbol i idelogjisë shtetërore dhe fatkeqësisht edhe asaj kombëtare. Në vende të tilla, ku nuk kishte demokraci praktike qytetare, toleranca ishte e paimagjinueshme, madje ajo ishte e padeshirueshme për klasën sunduese, sepse për të zgjidhje ishte vetëm diktatura. Pasojat nga një diktaturë e tillë tashmë janë të njohura, sepse pas rënies së komunizmit janë botuar vëllime të tëra që tregojnë në mënyrë transparente mizoritë e pushteteve përkatëse në vendet e ish-kampit socialist.

2. Toleranca dhe pushteti

Ndër elementet parësore të çdo shteti është funksionimi i shtetit ligjor, gjegjësisht zbatimi në praktikë i ligjeve të miratuara. Nëse një veprim i tillë është funksional, nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një shtet tolerant, sepse qytetarët e tij trajtohen të barabartë para ligjit, e me ketë eliminohen dyshimet diskriminuese. Madje shtetet të cilat aludojnë të jenë demokratike, përveç ligjeve ekzistuese ata janë të obligueshëm që ligjet e tyre ti harmonizojnë me ato ndërkombëtare, sepse në ketë mënyrë realizohen aspiratat për një shoqëri tolerante. Por, nëse nuk ekziston realizimi praktik i ligjeve ekzistuese, që janë kryesisht si rezultat ekskluziv i mungesës së vullnetit politik të pushtetit, atëherë vie deri të jotoleranca, gjegjësisht margjinalizimi i bashkësive të ndryshme ku në mjediset multinacionale janë kryesisht popujt pakicë apo pakicat nacionale.
Dhe pikërisht në ketë aspekt Mali i Zi mund të shërbejë si shembull negativ, sepse nuk realizon në praktikë ato ligje të cilat i ka miratuar Kuvendi i Malit të Zi. Kështu në sajë të këti qendrimi destruktiv, edhe sot e kësaj dite nuk realizohet në praktikë Kushtetuta e Malit të Zi, neni 79, që ka të bëjë me përfaqësimin proporcional të popujve pakicë në të gjitha veprimtaritë shoqërore. Po ashtu si rast tipik i pabarazisë së popujve pakicë, është edhe Ligji i pakicave i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 10.5.2006, ku pakicave në dy nene(23 dhe 24) u garantohej përfaqësimi autentik në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ndërsa tre muaj më vonë Gjykata Kushtetuese i kontestoi këto nene duke i anuluar. Dhe për çudi nga ajo kohë e deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë në lidhje me këto nene të kontestuara, nga del se ky ligj ishte një marketing politik për të përfituar votat e popujve pakicë kryesisht të shqiptarëve dhe boshnjakëve para referendumit për pavarësinë e Malit të Zi(21.5.2006).
Në qasjen qytetare toleranca ka konceptimin e njohjes së diversitetit të përgjithshëm si të atij nacional, gjuhësor, kulturor, fetar, racor, social etj. Nuk është e mjaftueshme që qytetarët të jenë tolerant ndaj pushtetit, sepse krijohen situata paradoksale, por duhet të jetë edhe e kundërta. Vetëm atëherë do të kemi një harmonizim qëndrimesh, që janë në favor të demokracisë.
Por, duhet ta kemi të qartë se tolerancë nuk do të thotë imunizimi nga padrejtësitë të cilat i përjetojmë çdo ditë. Në raste të tilla të cilat në Mal të Zi janë bërë dukuri pothuaj normale, duhet ngritur zërin vazhdimisht, duke kërkuar barazi qytetare dhe nacionale.
Të gjithë jemi dëshmitarë se në pozitë më të pavolitshme janë pjesëtarët e popujve pakicë, në rastin konkret shqiptarët të cilët nuk mund të realizojnë në praktikë të drejtat qytetare dhe nacionale të garantuara me Kushtetutë dhe me standardet ndërkombëtare. Si shembull cekim me ketë rast pamundësinë e kthimit të pronave qytetarëve të cilët disponojnë tapitë, çështjet e privatizimit, pabazia gjuhësore që dëshmohet me dokumentat e identitetit, papërshtatshmëria e planprogramëve mësimore, teksteve shkollore etj. Kërkesat e shqiptarëve për barazi nacionale e qytetare nuk janë kundër askujt në Mal të Zi dhe si të tilla duhet të pranohen sepse janë në harmoni me standardet ndërkombëtare, dhe si të tilla edhe në favor të demokratizimit të vet Malit të Zi, si mjedis multinacional dhe multikulturor.

3. Toleranca dhe arsimi

Nuk ka dilemë së si askush tjetër fusha e arsimit ofron mundësi më të mëdha për të trajtuar çështjen e tolerancës. Hapi i parë ka të bëjë me edukimin për tolerancën, që do të thotë të mësohen njerëzit se cilat janë ato të drejta dhe liri që i ndajnë me të tjerët, dhe si mund të respektohen, dhe gadishmëria që të njëjtat të mbrohen nga të tjerët.
Edukimi mbi tolerancën është imperativ i shoqërisë bashkëkohore, sepse duke u informuar për tolerancën, është më lehtë të luftohet jotoleranca, e cila nëse i lejohet fushë veprimi, kalon në ksenofobi. Dhe gjendja e tillë nuk ka dilemë se sjellë pasoja duke filluar me incidente, dhunë dhe konflikte, duke përfunduar me pasiguri në mjedisin përkatës dhe në regjion. Konfliktet dhe luftërat e zhvilluara në ish-Jugosllavi janë dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Andaj, janë pikërisht politikat arsimore dhe programët përkatëse që duhet të trajtojnë ndjenjën e mirëkuptimit, solidaritetit dhe tolerancën ne mes individëve si dhe grupeve të ndryshme sociale, kulturore, fetare e nacionale.
Qasje të veçantë duhet kushtuar ndryshimeve në planprogramet shkollore duke eliminuar kursin e mëparshëm ideologjik dhe duke e zëvëndesuar me atë qytetar, ku toleranca duhet të jetë pjesë e obligueshme e njësive mësimore. Ndërsa tekstet shkollore duhet patjetër ta prezantojnë ketë çështje në mënyrë plastike me shembuj nga mjedisi përkatës, regjioni dhe më gjerë. Sepse vetëm në këtë mënyrë arsimi dhe edukimi do ta kryejnë misionin e vet, duke vlerësuar lirinë, respektin për dinjitetin njerëzor, diversitetin si dhe duke parandaluar konfliktët me mjete të padhunshme. Arsimi dhe edukimi ne lidhje me tolerancën ka peshë të veçantë sidomos ne mjediset multinacionale, sepse në mjedise të tilla toleranca është barometri më transparent ne lidhje me relacionet në mes individëve dhe bashkësive të ndryshme nacionale.

4. Toleranca dhe politika

Dhe së fundi çështje të veçantë paraqet dimensioni i tolerancës në spektrin e politikës, sidomos duke filluar me zbatimin e pluralizmit. Pa dashur të zgjatem në këtë çështje, sepse ajo patjetër meriton qasje të veçantë, në spektrin politik në kuadër të Malit të Zi marrin pjesë edhe disa subjekte politike shqiptare. Nga përvoja e deritashme 18 vjeçare, mund të konkludohet se nga programet dhe angazhimet e subjekteve politike të cilët janë pjesëmarrës në pushtetet lokale por edhe në ate qendror, pozita dhe statusi i shqiptarëve ka ndryshuar shumë pak. Madje në shumë aspekte ekziston një status kvo, ku kontribut në ketë aspekt kanë vet subjektët politike përkatëse. Nga ana tjetër, në sajë të atavizmit politik të liderëve politikë kemi të shprehur dozën e animozitetit e cila ka sjellë pasoja të përgjithshme për shqiptarët në Mal të Zi, nga del se shqiptarët janë bërë peng i politikës së tyre.
Pasi moskoordinimi i veprimtarive te subjekteve politike parlamentare të shqiptarëve në Mal të Zi, është bërë pengesë për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në ketë mjedis, mendoj së duhet gjetur zgjidhje për të dalë nga kjo pozitë disfatiste. Pikërisht për ketë anomali mendoj se si moto duhet të shërbejë thënia emblematike e Atë Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit me 14 nëntor 1908: “Vëllezër, nuk kam ardhur këtu qe të mbroj asnjë alfabet, por që të gjithë së bashku, të krijojmë një alfabet të përbashkët. Jemi këtu jo për t` u përçarë, por për t` u bashkuar”, dhe në fund të fjalëve, siç kanë shënuar dëshmitarët okularë, në foltore kishte një përqafim me lot në sy nga kleriku mysliman Ibrahim Efendiu.
Ishte ky një shembull tipik i tolerancës dhe i mirëkuptimit kur janë në pyetje interesat tona të përgjithshme kombëtare. Një shëmbull i tillë duhet të jetë moto për të gjithë ne, se kur janë në pyetje interesat tona të përgjithshme, duhet lënë anash ato personale, klanore dhe partiake, sepse nga e kaluara e përbashkët, është koha e fundit që për çështje kapitale të jemi të bashkuar. Dhe për diçka të tillë mund të vendosin vetëm individet që janë të pajisur me etikë politike, karakter, tolerancë dhe vizion intelektual.

(Kumtesa është paraqitur në tribunën shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, organizuar nga FORCA, në Ulqin, më 16.11.2008)

Nail Draga
Koha Javore