Ministeriali për energjinë: Do të ngrihet në Mal të Zi qendra për ankandet e energjisë

December 11, 2008   | Shtypi / Mediji

Të gjithë ankandet e rajonit për kapacitetet transmetuese të energjisë do të kordinohen në një qendër të posacme e cila do të ngrihet vitin që vjen në Mal të Zi. Ky ka qenë vetëm njëri nga vendimet e marra në takimin e ministrave të energjisë të rajonit në Tiranë.  “Vendet e vogla nuk mund të bëjnë politika energjetike të shkëputura. Ndaj ju si komunitet duhet të aplikoni rregullat e Bashkimit Evropian ndërmjet vendeve tuaja për t’i hapur rrugën një tregu panevropian” tha përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Fabrizio Barbaso.
Në takim është vendosur edhe ngritja e një grupi kordinimi rajonal për sigurimin e energjisë, rishikimi i strategjive kombëtare për të futur si pjesë energjitë e rinovueshme si edhe është miratuar një listë projektesh prioritare energjetike rajonale.
Këto 6 muaj Shqipëria kishte presidencën e comunitetit rajonal të energjisë presidencë që më 1 janar e merr Bosnjë Hercegovina. Në këtë komunitet janë 7 vende të rajonit.

Adi Darsi
ALSAT