Mali i Zi i përkshtuar ndaj të drejtave të njeriut dhe pakicave

December 15, 2008   | Politika

Podgoricë – Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fuad Nimani ka pritur të premten ministrin shtetëror të Republikës së Turqisë Mustafa Said Yaziciglu.
Në kumtesën për opinion të lëshuar nga Qeveria e Malit të Zi thuhet se “në bisedë janë theksuar rezultatet të cilat i ka arritur Mali i Zi në planin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe pakicave”.
Ministri Nimani i ka njohur mysafirët me projektet të cilat i ka realizuar Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në periudhën e mëparshme, e që kanë të bëjnë me formimin dhe rolin e këshillave nacionale, konstitutimin e Fondit të Pakicave, implementimin e Strategjisë për popullatën RAE, formimin e Qendrës për Ruajtjen dhe Avancimin e Kulturës së Pakicave, etj.
Gjatë bisedës është shprehur kënaqësi për marrëdhëniet e mira ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë në shumë sfera, gjë që është dëshmuar përmes investimeve turke në shumë treva të Malit të Zi, pa marrë parasysh strukturën etnike të këtyre rajoneve.
Mysafirët kanë theksuar se ekzistimi i Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave jep sinjal të mirë se Mali i Zi është i përkushtuar ndaj avancimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave, dhe se këto fakte dëshmojnë për rrugën e mirë të Malit të Zi drejt integrimeve euro-atlantike.
Kohapress