Mali i Zi: Duam statusin e vendit-kandidat per ne BE

December 20, 2008   | Shtypi / Mediji

mali-i-zi-kandidat-per-ne-be1

Edhe pse Franca nuk e ka në axhendën e saj Ballkanin Perëndimor, gjatë kryesimit të saj të radhës të BE-së, dhe kjo i është bërë e qartë edhe Malit të Zi, ky i fundit, sidoqoftë, ka paralajmëruar se do ta paraqesë kërkesën për statusin e vendit-kandidat për në BE, deri në fund të këtij viti. Në fakt, i vetmi vend që i mbështet hapur aspiratat e Malit të Zi në këtë drejtim, është Sllovenia. Liderët e Malit të Zi kanë disa kohë që thonë se do të paraqesin kërkesën për statusin e venditkandidat për në BE, pavarësisht se i njëjti entuziazëm nuk ekziston edhe në Bruksel, sidomos nga ana e Francës, kryesuese e radhës të BE-së, së cilës do t‘i paraqitet kërkesa. “Ka shumë kritere që duhet të përmbushen, dhe ka të ngjarë, që Mali i Zi nuk do të jetë në gjendje t‘i përmbushë të gjitha ato”, paralajmëroi kohët e fundit zëdhënësja e kryesisë franceze të BE-së, Marijan de Karne, duke shtuar, në formë pyetjeje: “Nuk e di, a është mirë, nëse parashtron një kërkesë, ndërkohë që nuk je i sigurt se ajo do të pranohet? Por, për këtë i takon të vendosë vetë Malit të Zi”, tha ajo. Kryesia franceze, qysh nga fillimi, e ka bërë të ditur se, në qoftë se nuk do të ketë ndonjë zhvillim pozitiv lidhur me Serbinë, i gjithë Ballkani Perëndimor do të lihet mënjanë gjatë mandatit të saj (Francës). Diplomatë të ndryshëm të BE-së shpjegojnë se “stanjacioni” i Serbisë lidhur me procesin evropian të saj, është një nga shkaqet se përse Franca nuk është shumë e “lumtur” nga kërkesa e paralajmëruar e Malit të Zi për statusin e vendit-kandidat për në BE. Serbia e ka nënshkruar, qysh në prill të këtij viti, MSAnë (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) me BE-në, por disa vende-anëtare të saj (BE-së) nuk e kanë ratifikuar atë, duke qenë se ratifikimi është i kushtëzuar nga bashkëpunimi i saj (Serbisë) me Gjykatën e Hagës. Mali i Zi, nga ana e tij, e ka nënshkruar MSA-në me BE-në, afro një vit, para Serbisë dhe zbatimi i saj tashmë ka filluar. Por, sidoqoftë, Brukseli, sikurse thonë burime të mirinformuara, e ka paralajmëruar, madje hapur, Podgoricën që të mos e ndërmarrë një hap të tillë gjatë kryesimit të BE-së nga ana e Francës. “Parisi nuk e do Ballkanin Perëndimor në axhendën e vetë gjatë kryesimit të BE-së dhe këtë u ka bërë të qartë edhe malazezëve. U kemi lënë atyre të kuptohet qartë se, në qoftë nuk e merrni parasysh ‘këshillën‘ tonë dhe vendosni, sidoqoftë, ta paraqisni kërkesën tuaj, ne do ta konsiderojmë këtë si një lloj shpalljeje lufte”, vuri në dukje, këto ditë, një diplomat i lartë francez që donte të mbetej anonim, në Bruksel. Diplomatë perëndimorë në BE kanë paralajmëruar se ato vende-anëtare të saj (BE-së), të cilëve nuk u pëlqen ideja e Malit të Zi që të bëhet vend-kandidat për në BE para Serbisë, do ta kenë të lehtë të gjejnë ndonjë justifikim ose shkak që ta shtyjnë shqyrtimin e kërkesës. Ata (diplomatët) thonë se, si justifikim të parë për një vendim të tillë, vendet e lartpërmendura do të shfrytëzojnë raportin e fundit të KE-së, në të cilin thuhet se Mali i Zi ende nuk e ka mbaruar procesin e zbatimit të MSA-së. I vetmi vend që e mbështet hapur Malin e Zi, është Sllovenia, por, sikurse thuhet, “pranvera nuk vjen vetëm më një dallëndyshe”.

Gazeta Shqip

YouTube Preview Image