Lajmrohen organizatat humanitare që t’i vizitojnë të burgosurit e Preshevës

January 6, 2009   | Rajoni / Region

presheva_arestimiDeputeti Riza Halimi, kryetari i komunës së Preshevës Nadër Sadiku dhe kryetari i komunës së Bujanovcit Shaip Kamberi, me një apel u janë drejtuar disa organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Me këtë rast, ata i janë drejtuar Fondit për të Drejtat Humanitare, Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut, Komitetit për të Drejtat e Njeriut, Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq – që t’i vizitojnë të burgosurit shqiptarë të cilët u arrestuan më 26 dhjetor 2008 në Preshevë. Në këtë apel theksohet se në bazë të kopjeve të procesverbalit të bërë gjatë bastisjeve policore të shtëpive më 26.12.2008, por edhe në bazë të deklaratave të anëtarëve të familjeve, shihet se deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë nuk janë të sakta se gjoja tek personat e burgosur janë gjetur armë! Në qoftë se merret parasysh se gjatë arrestimit është përdorur dhuna e tepruar, ekzistojnë dyshime dhe indikacione që mbi të burgosurit edhe gjatë procesit të hetimit është vazhduar përdorimi i forcës, përkatësisht keqtrajtimi fizik dhe psikik, thonë nënshkruesit e apelit. Pasi i referohen konventave evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, autorët e apelit u bëjnë thirrje organizatave të lartpërmendura që t’i vizitojnë të burgosurit, në mënyrë që ata të kursehen nga përdorimi i dhunës gjatë kohës së paraburgimit të tyre. Gjithashtu ata kërkojnë që në delegacionet e tyre të kyçen edhe përfaqësuesit e Këshillit për të Drejtat e Njeriut nga Bujanovci dhe përfaqësuesi legjitim i komunës së Preshevës.
QIK

YouTube Preview Image