Intervistë me ambasadorin e austrisë në mal të zi, Florian Raunig

January 7, 2009   | Intervista / Intervju

florian-raunigMali i Zi drejt integrimit në Bashkimin Europian

Koha javore: Z. Ambasador, fillimisht dëshirojmë tzju pyesim se si po ia kaloni në Mal të Zi?
F. Raunig: Me thanë të drejtën në Mal të Zi unë po ia kaloj shumë mirë. Jam këtu së bashku me familjen time dhe me dy binjaket e vogla. Unë e vlerësoj lart mikpritjen e njerëzve të këtushëm. Pastaj, i vlerësoj shumë edhe bukuritë e këtij vendi, si detin, bukuritë e maleve, ku janë ndër të rrallat në Europë.
Koha javore: Në gjysmën e këtij muaji Mali i Zi aplikoi për tzu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Çfarë mund të na thoni për këtë?
F. Raunig: Për një shtet të pavarur me pak më shumë se dy vite unë mendoj se Mali i Zi është në rrugë të mbarë për integrim në Bashkimin Europian. Mali i Zi në këtë drejtim ka bërë shumë punë që duhet tzi marrim patjetër parasysh. Për Malin e Zi është shumë gjë pozitive, sepse ai është edhe një faktor stabiliteti në rajonin ballkanik. Raporti i Komisionit Europian për përparim aprovuar në tetor të këtij viti, sipas mendimit tim është një raport mjaft objektiv. Ky raport ka treguar suksese në vend, por gjithashtu akoma duhet punuar me shumë energji, si psh në funksionimin e sistemit ligjor.
Koha javore: Sipas mendimit Tuaj, cilat do të jenë sfidat më të mëdha për Malin e Zi në vitin që po vjen?
F. Raunig: Për mendimin tim sfidat më të mëdha për vitin që po vjen do të jetë kriza botërore financiare, që Malin e Zi akoma nuk e ka goditur aq fort në nivelin botëror, por që mund të ketë efekte më të dukshme në vitin që po vjen. Ato efekte do të jenë të shkaktuara kryesisht nga bota financiare jashtë vendit, por që tregon edhe globalizimin e botës finaciare. Është fakt se Mali i Zi nuk është vetëm, por është i lidhur me botën financiare. Sfidë tjetër që unë shikoj është konsenzusi politik midis Qeverisë dhe opozitës në rrugën drejt integrimit europian që është shumë i rëndësishëm. Deri tani ka një konsenzus për anëtarësimin e vendit në BE që është shumë e rëndësishme dhe unë këtë e konsideroj si gjë shumë pozitive, por duhet të kihet edhe një konsenzus minimal të faktorëve politikë për mënyrën si do të arrihet në këtë qëllim, për mënyrën drejt integrimit. Sfida e tretë që unë shoh është reforma e sistemit ligjor që është e domosdoshme për qytetarët dhe investitorët e huaj që do të kenë garancinë dhe sigurinë e jetës së përditëshme të qytetarëve, por edhe sigurinë për investitorë të huaj që do të bëjnë investime këtu.
Koha javore: Çfarë janë marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Austrisë?
F. Raunig: Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Austrisë janë shumë të mira. Nuk ka çështje të hapura. Të dy shtetet kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë në fushën e politikës, ekonomisë, mbrojtjes dhe në fushën e kulturës. Austria në fushën politike e mbështet Malin e Zi në rrugën drejt integrimit europian. Disa kompani austriake janë të interesuara për të investuar në Mal të Zi, por jo vetëm për të investuar, por edhe për të zbatuar projektet në këtë shtet. Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes. Të dy ushtritë bashkëpunojnë shumë ngusht, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit të trupave alpinistë, ku Austria po e mbështet Malin e Zi, sepse trupat alpinistë për Malin e Zi janë një njësit i ri. Kështu në Austri i kemi disa ushtarë malazezë që po bëjnë trajnime në edukim dhe arsim, por edhe po punojmë ngusht edhe me ushtrinë malazeze. Në fushat e bashkëpunimit kemi edhe një projekt të madh siç është zhvillimi rajonal për Bjellasicën dhe Komin. Bashkëpunim të ngushtë kemi gjithashtu edhe me Universitetin e Malit të Zi, pastaj në turizëm, hotelieri, por edhe për ujërat e zeza që gjenden në Kotorr.
Koha javore: Sa është e interesuar Austria për investime në Mal të Zi?
F.Raunig: Ka majft kompani austriake që kanë shprehur interes për të investuar në Mal të Zi. Një nga investimet më të mëdha që kemi pasur në Mal të Zi është ajo e bankës Hypo Alpe Adria. Por, kemi edhe kompani në fushën e turizmit që janë të interesuara për të investuar këtu, etj.
Koha javore: A mund të na përmendni se në të cilat fusha bashkëpunimi është më së tepërmi e përqendruar Austria për të investuar këtu?
F.Raunig: Po siç e thashë edhe më lart në radhë të parë jemi të interesuar për të investuar në fushën e turizmit që është shumë interesant për ne, por jemi të interesuar edhe në fushën e energjisë. Siç mund të vërejmë, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në përgjithësi në rajonin ballkanik mungon energjia elektrike. Mali i Zi ka një potrencial të madh për hidroenergji, siç e kanë edhe vendet e tjera në Ballkan, si psh Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, apo Maqedonia.
Koha javore: Sa janë të interesuar qytetarët e Malit të Zi për ta mësuar gjermanishten dhe anasjelltas?
F.Raunig: Gjuha gjermane po bëhet çdo ditë e më e rëndësishme. Tashti ka shumë njerëz që gjuhën gjermane po e përdorin si gjuhë të negociatave, biznesit etj. Më duket se rinia e Malit të Zi është në rrugë të mbarë për tzi mësuar gjuhët e huaja, por gjermanishtja akoma nuk e ka zënë vendin e merituar në Mal të Zi. Shpresojmë se në të ardhmen në këtë drejtim do të kemi më shumë sukses dhe rinia do ta mësojnë edhe më shumë gjuhën gjermane. World University Service (WUS) Austria, një OJQ austriake ka organizar kurse për gjermanisht dhe shpresoj se përsëri do të organizojë. Ne kemi një mësimdhënës në Fakultetin Filozofik në Nikshiq që jep gjermanisht dhe në përgjithësi jep gjermanistikën. Por, në vitin që vjen do të përpiqemi që nga Austria tzi sjellim edhe disa mësues me qëllim që të rinjtë ta mësojnë gjermanishten. Për këtë do të shohim se a do të realizohet, apo jo.
Koha javore: A mund të na tregoni se cili është sot imazhi i Malit të Zi?
F.Raunig: Imazhi i Malit të Zi në Europë sot më duket se është i mirë, për vet faktin sepse ai në rajonin ballkanik është një faktor stabiliteti. Po ashtu Mali i Zi është i njohur për procesin e pavarësisë në vitin 2006, i cili në mënyrë paqësore e realizoi atë. Mali i Zi është një vend i vogël dhe është një shtet i ri, prandaj akoma edhe ka nevojë të jetë më shumë i njohur në Europë.
Koha javore: Z. Ambasador, për disa vite Ju keni punuar edhe si diplomat në Tiranë. A mund të na bëni një krahasim të shkurtër midis këtyre dy kryeqyteteve në sferën e zhvillimit kulturor, arsimor etj?
F.Raunig: Unë i shikoj shumë çështje si të ngjajshme midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në radhë të parë flas për karakterin e njerëzve që janë të hapur dhe mikpritës, që më në fund mund të bëjnë edhe barcoleta për veten që për mua kjo është shumë simpatike. Pra, në Mal të Zi shoh shumë gjëra që i kam takuar edhe në Shqipëri. Kuptohet, Tirana është qytet shumë më i madh seç është Podgorica, por më duket se marrëdhëniet midis këtyre dy kryeqyteteve janë të mira. Te dy kryeqytetet kanë një bum zhvillimi, por mendoj se do të ishte me rëndësi edhe për Podgoricën edhe për Tiranën që të jetë një lidhje e transportit publik.
Koha javore: Dhe në fund cili do të ishte mesazhi Juaj për qytetarët e Malit të Zi në këtë fundvit?
F.Raunig: Në radhë të parë qytetarët e Malit të Zi i falënderoj shumë për mikpritje dhe ngrohtësi, kurse mesazhi im për ta do të ishte që të ketë pak më shumë konsenzus politik që është shumë i rëndësishëm në rrugën drejt integrimeve në Europë.
Bisedoi: Rrok Dushaj
Koha Javore