Klinsman kërkon Lorik Canën te Bajerni

January 7, 2009   | Sporti / Sport

lorik-canaBajerni i Mynihut vazhdon të jetë i interesuar për Lorik Canën.
Mesfushori shqiptar është objektivi kryesor i kampionëve të Gjermanisë, të cilët pritet të bëjnë një ofertë zyrtare, ndërsa marrëveshja besohet se do të arrihet në fund të sezonit.
Kapiteni i Olimpik Marsejës është një lojtar polivalent dhe karakteristikat e lojës së tij pëlqehen shumë nga trajneri i bavarezëve, Jurgen Klinsman.
Por, Cana nuk është i vetmi lojtar marsejez që ndiqet nga Bajerni: nën vëzhgim është edhe mesfushori tjetër, Karim Zani, i cili mund të luajë në pozicion qendror, por edhe në krah. Për të dy këta futbollistë, Franc Bekenbauer dhe Karl-Haic Rumenige janë të gatshëm të paguajnë një shifër të përafërt me 25 milionë euro.

Riberi

Bajerni është në kërkim të një mesfushori me tipare shkatërruese, dhe prej kohësh po shqyrton alternativat në merkato. Shkak janë bërë refuzimet e njëpasnjëshme të holandezit Mark van Bomel, i cili nuk pranon të rinovojë kontratën me klubin, pasi po mendon të kthehet të luajë në vendlindje.
Pikërisht për këtë arsye, klubi po punon që të përgatisë terrenin për afrimin e Lorik Canës. 25-vjeçari u është këshilluar drejtuesve të skuadrës që ka fituar 35 trofe në Gjermani (21 tituj kampionë dhe 14 Kupa) nga Frank Riberi.
Miqësia e mesfushorit shqiptar me yllin e përfaqësueses franceze ka mbetur e fortë që prej periudhës kur ky i fundit luante në Marsejë. Madje, në pushim të ndeshjes Bajern-Kotbus në fund të vitit 2008, Riberi vrapoi tek Ervin Skela për t’i dhënë fanellën e tij, sepse kishte marrë një porosi nga Cana.
Mediat gjermane u habitën me atë episod, por më vonë u sqarua se pas një bisede telefonike kosovari i kishte kërkuar shokut të tij të vjetër fanellën për t’ia dhënë një pjesëtari të stafit të Kombëtares kuqezi. Vetëm pak javë më parë Cana kishte deklaruar se pavarësisht ofertave të shumta në adresë të tij (Evertoni e Arsenali në Angli, por edhe Roma në kampionatin italian), destinacioni më i mundshëm ishte Bajerni i Mynihut.

Dëmtimi

Ndërkohë që nga merkato për Lorik Canën vijnë sinjale pozitive, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për infermierinë. Zv/kapiteni i Kombëtares ka probleme në gju dhe dje iu nënshtrua radiografisë për të mësuar më shumë rreth dëmtimit.
Stafi mjekësor i Olimpik Marsejës i rekomandoi lojtarit të paktën 10 ditë pushim absolut, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet. Prej këtij lëndimi, mesfushori rrezikon të mos luajë në takimin e së shtunës me Okserin.
Top Channel