Ministri Branisllav Gvozdenoviq u takua me përfaqësuesit e Ulqin Biznes Asociacionit

January 7, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

branimir-gvozdenoviqTë bashkëpunohet për tejkalimin e krizës
Ulqin – Ministri për Zhvillim Ekonomik Branimir Gvozdenoviq me bashkëpunëtorë u takua të mërkurën e kaluar me përfaqësuesit e Ulqin Biznes Asociacionit.
Ministri Gvozdenoviq ishte pjesë e delegacionit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Millo Gjukanoviq, i cili zhvilloi një vizitë pune në Ulqin.
Kryetari i UBA-s Ibrahim Milla i ka prezantuar ministrit Gvozdenoviq strukturën e re organizative të këtij asociacioni që, sipas tij, ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve të anëtarëve të vet dhe rritjen e efektivitetit të punës në sektorë.
“Po ashtu është përsëritur iniciativa lidhur me Pilot projektin për përmirësimin e akomodimit privat, i prezantuar edhe para dy vjetëve e që është po aq i rëndësishëm për t`u realizuar edhe tani”, thuhet në kumtesën për opinion të UBA-s.
Përfaqësuesit e UBA-s kanë vënë në dukje problemet me të cilat ndeshen sipërmarrësit në komunën e Ulqinit siç është mosekzistimi i planeve strategjike të zhvillimit, hartat e planeve, lartësia e taksave lokale dhe kompensimeve, administrata lokale, mosfunksionimi i organizatës turistike lokale, si dhe mospërdorimi në nivelin e duhur i resurseve bujqësore në Ulqin.
Ndërkaq ministri Gvozdenoviq ka përshëndetur bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe përfaqësuesve të punëdhënësve si dhe ka potencuar potencialin e madh zhvillimor të Ulqinit.
Ai ka paralajmëruar hartimin e projekteve dhe planeve për komunën e Ulqinit, për ç`gjë sipas tij, Qeveria do të ndajë sasi të konsiderueshme të mjeteve financiare.
Gvozdenoviq ka prezantuar edhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për të ndihmuar biznesin për tejkalimin e krizës ekonomike, si zvogëlimi i tatimit mbi fitimin për 10 për qind, zvogëlimi i çmimit të energjisë elektrike, heqja e taksave për sipërfaqet publike për ndërtim, etj.
Të dy palët kanë konkluduar se është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet Qeverisë, vetëqeverisjes lokale dhe komunitetit të biznesit në mënyrë që të tejkalohet kriza ekonomike, si dhe shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Ulqinit në mënyrë që të krijohet një prodhim cilësor i qëndrueshëm turistik.
Kohapress

YouTube Preview Image