Kryqi i Kuq e akuzon Izraelin

January 8, 2009   | Bota

tanket-e-izraelitKomiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq akuzoi forcat izraelite se nuk i ndihmojnë njerëzit e plagosur në lagjet e Gazës dhe se kanë dështuar që t’i lejojnë ekipet e Kryqit të Kuq të depërtojnë në këto hapësira.
Kryqi i Kuq tha se punëtorët e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe palestineze kanë gjetur disa të vdekur dhe së paku 19 persona që kishin mbijetuar, duke përfshirë edhe disa të plagosur dhe katër fëmijë, në shtëpitë e goditura nga bombardimet në Zaytum, afër pozicioneve ushtarake izraelite.
Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar tha se ekipet e tij, katër ditë pas bombardimeve, nuk ishin lejuar të shkojnë në këto hapësira. Kjo organizatë vlerësoi se ky incident ishte “shokues”.
Ushtria izraelite akoma nuk u është përgjigjur akuzave, por ka thënë se kanë punuar ngushtë me grupet e ndihmave, në mënyrë që civilët të marrin ndihmat e nevojshme.
Ndërkohë, OKB-ja ka njoftuar se i ka suspenduar operacionet e ndihmave në Gazë, për shkak të rrezikimit të stafit nga sulmet izraelite.
“Ne i kemi suspenduar operacionet tona në Gazë, derisa autoritetet izraelite të mund të garantojnë sigurinë për stafin tonë atje,” tha Chris Gunness, zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihma, Unwra.
Më herët, Unwra kishte njoftuar se një person ishte vrarë dhe dy të tjerë ishin plagosur, kur një kamion i OKB-së që sillte ndihma në Gazë ishte qëlluar nga një tank izraelit.
Sipas kësaj agjencie, kamioni me ndihma ishte qëlluar gjatë pauzës në ofensivën izraelite, për të lejuar furnizimin me ushqime dhe karburante në territorin që udhëhiqet nga Hamasi.
Armata e Izraelit tha se po zhvillonte hetime për incidentin në veri të Gazës.
Izraeli sulmohet me raketa nga Libani
Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve është ashpërsuar edhe më tej. Për herë të parë Izraeli njoftoi se shumë raketa Katjusha janë hedhur nga Libani në territorin izraelit.
Sipas të dhënave të policisë, shumë banorë janë plagosur lehtë. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Izraeli ishte kundërpërgjigjur duke qëlluar mbi zonën nga ishin lëshuar raketat.
Raketat e hedhura nga Libani janë incidenti i parë që nga viti 2006, kur u zhvillua lufta ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hizbollahut.
Vazhdojnë përpjekjet për armëpushim
Kanë vazhduar përpjekjet për armëpushim. Një zyrtar i lartë izraelit është në Kajro për të dëgjuar detajet e planit për armëpushim të përpiluar nga Egjipti dhe Franca.
Në kryeqytetin e Egjiptit pritet mbërritja edhe e një delegacioni nga Hamasi, po për të njëjtin qëllim, thanë diplomatë egjiptianë.
Ndërkohë, Amnesty International i ka akuzuar të dy palët për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.
“Ushtarët izraelitë kanë hyrë dhe kanë zënë pozicione në një numër të shtëpive të palestinezëve, duke i detyruar familjet që të qëndrojnë nëpër katet përdhese të shtëpive, përderisa ata i kanë përdorur pjesët e tjera të shtëpisë si baza ushtarake dhe si pozicione për snajperë,” thuhet në një deklaratë të organizatës.
Ndërsa disa familje palestineze kanë njoftuar se në disa raste persona të armatosur palestinezë janë pajtuar që të largohen nga zonat pranë shtëpive të civilëve, pa luftuar me forcat izraelite. Dhe deklarata e Amnesty International vazhdon: “Në raste të tjera, militantët i kanë refuzuar kërkesat e banorëve dhe janë larguar nga atje vetëm pas luftimeve.”
Gazeta Express

http://shqiphost3.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/LIBAN-IZRAEL.flv

Top Channel