Eksodi i klubeve shqiptare nga Shqiperija në Ulqin

January 11, 2009   | Sporti / Sport

klubi-i-fudbollit-teutaPushimet dimërore, të cilat zakonisht shfrytëzohen nga klubet për të riparuar defektet e skuadrës me disa blerje dhe për zhvillimin e një minifaze përgatitore, kanë bërë që thuajse të gjitha ekipet shqiptare të përgatiten për një “eksod” të madh. Synimi është të gjejnë një ambient më të qetë edhe më komod për të zhvilluar një stërvitje të denjë, falë së cilës të mund të përballojnë gjysmën e dytë të sezonit. Destinacionet më të preferuara për ekipet shqiptare edhe këtë vit kanë mbetur Turqia, Mali i Zi dhe Maqedonia. “Eksodi” i nisur të premten nga Vllaznia, vazhdon sot me disa ekipe, ndërsa pjesa tjetër niset nesër. Shkodranët, të cilët kryesojnë edhe kampionatin pas javës së 17-të, kanë zgjedhur komshinjtë e Ulqinit në Malin e Zi, si vendim më të mirë për fazën e tyre përgatitore. Stërvitja e tyre atje do të vazhdojë nga 9 deri më 24 janar. Teuta e presidentit Edmond Hasanbelliu dhe trajnerit Sulejman Starova do të zhvillojë pjesën e dytë të fazës përgatitore dimërore në Ulqin të Malit të Zi (13-26 janar). Ishte menduar se edhe Besa do të udhëtonte drejt Ulqinit të Malit të Zi, por gjithçka ka ndryshuar. Kavajasit do ta kryejnë fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Konfirmimi tashmë është zyrtar. Presidenti Nexhat Bizhdili ka premtuar katër emra të rinj për merkaton e janarit, dy mbrojtës, një mesfushor e një sulmues. Në Turqi do të jenë gjatë muajit janar edhe Tirana, Dinamo e Flamurtari. 23 herë kampionët nisën stërvitjet dimërore, ndërkohë që faza përgatitore do të zhvillohet në Kemer të Turqisë (10-24 janar), ku është parashikuar edhe një miqësore me Fenerbahçen. Faza përgatitore e Dinamos do të zhvillohet në Turqi, duke filluar nga data 12 janar. Gjatë dy javëve të qëndrimit në Antalia, Dinamo ka planifikuar zhvillimin e tre ndeshjeve miqësore. Skuadra e Edmond Licaj e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e shtatë, 23 pikë dhe do ta kryejë fazën përgatitore në Antalia (10-20 janar). Ndërsa vetëm Elbasani për momentin ka zgjedhur që minifazën përgatitore ta bëjë në Maqedoni.
Gazeta Shqip

1