Bombardohet stadiumi futbollit në Rripin e Gazës

January 12, 2009   | Sporti / Sport

bombardohet-stadiumi-ne-gazaAeroplanët izraelitë e kanë bombarduar stadiumin e Kombëtares palestineze të futbollit në Rripin e Gazës. Kjo ishte hera e dytë që stadiumi në Rafah bëhet cak i sulmeve ajrore izraelite.

Bombat në sport, edhe një herë. Kjo ka ndodhur në Rripin e Gazës, ku lufta nuk kursen asgjë dhe askënd. Gjatë një sulmi ajror të aeroplanëve izraelitë, një raketë e ka goditur stadiumin kombëtar të futbollit të meshkujve dhe të femrave në Rafah.

Kjo nuk ishte hera e parë që cak i sulmeve izraelite të jetë bombardimi i këtij stadiumi: kjo kishte ndodhur edhe në prill të vitit 2006, kur një kundërofanzivë izraelite e kishte bërë të njëjtin veprim. Tash, izraelitët janë koncentruar në terrenin e lojës për ta hedhur një bombë shpërthyese pikërisht në mesfushë.

Menjëherë pas këtij sulmi ka reaguar Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), e cila si duket do ta marrë përgjegjësinë që ta rindërtojë këtë stadium. “Detyrë e jona është që t’iu garantojmë të rinjve shpresën dhe mundësinë që të zbaviten me atë shkollë të jetës, e cila është futbolli”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter.

Kësaj radhe ka ndodhur më e keqja. Nga stadiumi Rafah nuk ka mbetur asgjë e hajrit, pasi që tribuna e bombarduar është shkatërruar pothuajse tërësisht. Kombëtarja palestineze e kishte zhvilluar ndeshjen e parë në territorin e saj më 27 tetor të vitit të kaluar në stadiumin Al-Husseini të Al-Ram, afër Ramallahut.

Para asaj ndeshjeje, palestinezët luanin si vendës në vendet fqinje si në Egjipt e Katar.

Duket se edhe në të ardhmen palestinezët do të jenë “aziliantë”, duke mos e pasur mundësinë të luajnë në shtëpinë e tyre.

Gazeta Express

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/gaza-bomba.flv