Në QKI “Malësia” në Tuz u hap ekspozita e Nikollë Lucgjonajt

January 12, 2009   | Kulturë / Kultura

nikolle-lucgjonajEkspozitë me motive aktuale
Në praninë e një numëri të madh të dashamirësve të artit nga Malësia, në fundjavën e kaluar në QKI “Malësia” u hap ekspozita me piktura dhe vizatime të Nikollë Lucgjonaj.
Duke marrë fjalën, prof.dr. Mark Camaj pohoi se në disa prej këtyre piktuarave të ekspozuara ka akuarele të punuara me ndjeshmëri, të cilat i kanë edhe vlerat folkloristike dhe etnografike.
“Pikturat e Nikollë Lucgjonajt janë punuar me durim dhe në mënyrë pedante me ndjenja delikate për ambientin të cilin e pikturon. Këto vizatime dhe grafika janë të vizatuara me shumë ngrohtësi dhe tregojnë se Nikolla shikjon natyrën rreth vetes në mënyrë të posaçme, duke regjistruar kështu çdo skaj të saj”, u shpreh Camaj.
Sipas tij, kjo ekspozitë ka rëndësi jo vetëm për të njohur idetë artistike të autorit tonë, por edhe për të ndikuar pozitivisht si shembull i mirë dhe i çmuar për gjeneratat e reja të trevës sonë.
Ndërkaq, P. Pashku Gojçaj i cili edhe e hapi këtë ekspozitë, është i mendimit se Nikolla në pikturat e veta tenton të sprovohet në stilin abstrakt, por në fakt stili i tij është natyralizëm. Por sidoqoftë, bukuria e tij e bën këtë stil të jetë gjithmonë aktual dhe i pakalueshëm.
“Ngjyrat e pikturave të tija janë të natyrshme, ashtu siç janë edhe motivet, pa marrë parasysh se a është peizazh, apo portret. Motivet janë të marra nga jeta jonë e përditshme. Temat janë më se frymëzuese. Pikturat e Nikollë Lucgjonajt janë aq të përsosura, sa që është vështirë t`i dallosh nga fotografitë. Me bukuritë e veta, me harmoninë e ngjyrave dhe me përmbajtje frymëzuese ato të rrëmbejnë”, konstatoi Gojçaj
Ky rrëmbim sipas tij të çon deri në brendësinë e tij, nga rrezaton shpirti, ndërgjegjësia dhe karakteri i Lucgjonajt.
Rr.D.
Koha Javore