Mali i Zi, ende nën pushtimin e Kishës Ortodokse Serbe?

January 14, 2009   | Shtypi / Mediji

mitropoliti-i-kishes-ortodokse-malazeze-mihajlloEdhe pse Mali i Zi e ka shpallur tashmë prej disa vitesh pavarësinë nga Serbia, hija e kësaj të fundit vazhdon të qëndrojë varur si një re e zezë në qiellin e këtij vendi-fqinj në formën e Kishës Ortodokse Serbe, që jo vetëm e komplikon dhe e rëndon jetën shpirtërore të malazezëve, por ve në dyshim ekzistencën e Kishës Ortodokse Malazeze, saqë shumëkush bën pyetjen: Kisha Ortodokse Malazeze është realitet, apo fiksion?

Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihajllo, me seli në Cetinjë, kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi, thotë me dëshpërim se nuk mund ta besojë që vendi i tij (Mali i Zi) ndodhet ende nën pushtimin e Kishës Ortodokse Serbe. “Të gjitha kishat dhe manastiret në Malin e Zi, ku ka rreth 750 të tilla, janë pronë të Kishës Ortodokse Malazeze dhe të shtetit të Malit të Zi. Por, për fat të keq, ne vazhdojmë të ndodhemi, ashtu si edhe më parë dhe ashtu si edhe Kisha Ortodokse Maqedonase, nën pushtimin e Kishës Ortodokse Serbe, pra të Patriarkanës së Beogradit”, thekson ai. Mitropoliti Mihajllo mendon se mosnjohja e Kishës Ortodokse Malazeze është çështje e nacionalizmit serbomadh. “Kisha Ortodokse Malazeze është një kishë mjaft e vjetër”, ve në dukje ai, duke shtuar më tej se “kjo Kishë ka qenë njohur deri në vitin 1920, kur u krijua shteti i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, kur nuk kishte më as boshnjakë, as maqedonas dhe as malazezë. Në thelb, kjo ishte pjesë e planit serbomadh”, thekson mitropoliti malazez.

“Nuk guxoj t‘u them njerëzve se në cilën kishë duhet të shkojnë, pasi është zgjedhja e tyre që të shkojnë në ato kisha që janë të kanonizuara dhe të verifikuara, ose në ato kisha që nuk janë të kanonizuara dhe të verifikuara, pasi unë kështu e kuptoj lirinë e besimit”, vë në dukje nga ana e tij Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Po në Cetinjë e ka selinë, në manastirin kryesor të saj, kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, mitropoliti ultranacionalist më kontraversal serb, Amfilohie, të cilin shumëkush e konsideron si trashëgimtar të fronit të patriarkut të të gjithë Serbisë, Pavle. Mitropoliti malazez, Mihajllo, e akuzon Amfilohien se ai nxit nacionalizmin në hapësirat ballkanike. “Ky njeri ka marrë pjesë në luftërat civile në territoret ish-jugosllave. Kini parasysh se ai që nxit luftërat, është më i rrezikshëm se ai që mban armë. Përçarja brenda vendit tonë është evidente”, thotë mitropoliti Mihajllo.

Kurse mitropoliti luftënxitës serb, Amfilohie, nga ana e tij, përgjigjet duke vënë në dukje se cila na qenka kjo Kishë Ortodokse Malazeze. “Mblidhen tri veta dhe shpallin një kishë të pavarur, nuk e di në cilën shtëpi? Kjo kishë nuk njihet nga Patriarkana Botërore, pra nga patriarku i Carigradit. Gjithçka që nuk njihet, është e anathemizuar (e jashtëligjshme). Ekziston vetëm një kishë dhe kjo është Kisha Ortodokse Serbe. Besimtarët e vendosin vetë se në cilën kishë duhet të shkojnë dhe të luten. Unë kam vendosur dhe shkoj vetëm në njërën kishë, në Manastirin e Cetinjës, pasi ekziston vetëm kjo Kishë Ortodokse”, vë në dukje mitropoliti serb, Amfilohie.

Në këto kushte, edhe vetë shumë malazezë thonë se Mali i Zi kurrë nuk do të jetë shtet më vete, po nuk pati kishën e vet, Kishën Ortodokse Malazeze. “Ne jemi kundër atyre që na mohojnë Kishën Ortodokse Malazeze dhe të drejtën që ta ndjejmë veten malazezë, sepse duam t‘i përkasim kësaj kishe dhe t‘i shprehim, brenda saj, ndjenjat tona fetare”, thonë malazezët, të irrituar nga fakti se vendi (Mali i Zi) ndodhet ende nën pushtimin shpirtëror të Kishës Ortodokse Serbe. “Duam të shkojmë t‘i shprehim ndjenjat fetare tona pikërisht në Kishën tonë Malazeze, pavarësisht se ajo nuk njihet nga Patriarkana Botërore”, thotë shumica e malazezëve.

Gazeta Shqip