Shkreli: Në PDS shërbej më mirë çështjes shqiptare në këtë parti

January 17, 2009   | Intervista / Intervju

luigj-shkrelaJu tregoj se kur jam ndjerë mirë si deputet i partisë së Gjukanoviçit.
Luigj Shkreli është deputet në Parlamentin e Malit të Zi. Komuniteti shqiptar i Malësisë dhe një pjesë e atij të Ulqinit që jeton në Amerikë, e cilëson “të shitur” tek serbo-malazezët, dhe nuk pranojnë të bisedojnë me të, ndërkohë që një pjesë tjetër, jo vetëm që e takojnë e bisedojnë, por edhe i shtrojnë dreka e darka, madje organizojnë edhe koncerte me këngëtare të zgjedhura. Në vizitën e fundit që bëri në SHBA, ai shoqëroi dy ansamble artistike të vendlindjes, që morën pjesë në Festivalin Shqiptar të Nju Jork-ut.

Në bisedën që bëra me të, i shtrova pyetjen: Pse e keni futur veten kundër rrymës?

Përgjigja e tij ishte: “Unë i shërbej më mirë çështjes shqiptare në këtë parti. Ndjehem i qetë se Qeveria e partisë time njohu Kosovën e pavarur”.

Kush është Luigj Shkereli?

Unë jam prej Shën Gjergjit, një fshat piktoresk në komunën e Ulqinit, bri lumit Buna. Për momentin jam deputet në Parlamentin e Malit të Zi. Ky është mandati i tretë që kam marrë nga votat e lira. Përfaqësoj Partinë Demokratike Socialiste në Mal të Zi; aktualisht është partia në pushtet. Është pikërisht kjo parti që ka jetësuar dhe avancuar ëndrrat shekullore për pavarësi dhe integrim të shtetit të Malit të Zi, dhe që aktualisht, indirekt u ka hapur rrugë edhe realizimit të aspiratave të popullit shqiptar në Ballkan.

Fakultetin Juridik e kam kryer në Universitetin e Prishtinës. 16 vite shkollë i kam kryer në gjuhën shqipe. E cilësoj këtë fakt sepse jo rrallë herë ballafaqohemi me informata jo të sakta që shpërndahen me qëllim të keq për autoritetet e skenës politike të Ballkanit, veçanërisht informata të tilla në formë thashethemesh shpërndahen me shumicë ndër ne shqiptarët.

Jam i martuar, jam babai i tri vajzave; Donika është vajza më e madhe, Françeska e dyta dhe Barbara. Që të tria mësojnë në gjuhën amtare shqipe dhe deri tani ndjehem krenar për ecurinë dhe formimin e tyre amtar.

Kur dhe përse karrierën tuaj politike ia keni besuar Partisë Demokratike socialiste të Malit të Zi, gjë për të cilën ju përgojojnë tek një pjesë e komunitetit shqiptar?

Gjatë studimeve kam qenë i paangazhuar në politikë. Por pas diplomimit, duke marrë parasysh natyrën e shteteve të atëhershme diktatoriale, më është dashtë që të merrem me partinë e atëhershme komuniste, edhe pse nuk kam qenë anëtar i spikatur. Hyrja ime në politikë fillon në vitin 1997, atëherë kur z. Gjukanoviç, pa se ç’po ndodhte në skenën politike të Jugosllavisë dhe ishte ndër ata që i dha grushtin fillestar ëndrrës për Serbinë e madhe. Lëvizja politike e Gjukanoviçit u parapriu veprimeve të mëvonshme që çuan në rrokullisjen e regjimit të Millosheviçit. Kam qenë një ndër aktorët kryesorë që Këshilli komunal i Partisë së atëhershme Demokratike të Socialistëve të shkëputej nga politika ekstremiste e Bullatoviçit, që s’ishte gjë tjetër veçse politikë e Millosheviçit. Qysh në atë moment aktiviteti im merr një rol aktiv.

Një pyetje e drejtpërdrejtë: Ju ia keni besuar karrierën politike një partie malazeze, unë ju pyes sinqerisht: Është e mundur që të mbrosh çështjen shqiptare në një parti jo të kombësisë së cilës i përket?

Sinqeriteti është pjesë përbërëse e aktivitetit dhe karrierës time politike. Ua kam thënë shpesh këtë edhe gazetarëve. A është mirë, a është keq, dikush tjetër duhet ta vlerësojë. Nganjëherë sinqeriteti, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, edhe në familje mund të kushtojë shtrenjtë, mirëpo, fatmirësisht mua më ka ndihmuar. Ua kam pasë lakmi atyre që në vitet 1990-91 kanë qenë inkuadruar në parti shqiptare. Nuk kam qenë larg angazhimeve të mia në partitë nacionale shqiptare, por vetë liderët e partive shqiptare të atëhershme e të mëvonshme, nuk kanë dashtë praninë time atje. Vetë u kam thënë se unë nuk do të vij aty vetëm për të ngritur dorën, ose për të mbush një numër. Kam respekt për subjektin e parë politik nacional të shqiptarëve, Lidhjen Demokratike Shqiptare, por të mos harrojmë se prej saj kanë dalë edhe gjashtë parti të tjera. Përfundimet i nxjerrin vetë ata.

Çfarë ju bën të ndjeheni mirë në Partinë e Gjukanoviçit?

Ka shumë arsye. Në vitin 1997, partia, ku unë kam mbështetur aktivitetin tim, i tha “JO” Millosheviçit; në vitin 1999, partia ime, kryetari i qeverisë, z. Milo Gjukanoviç, u hapi dyert 100 mijë shqiptarëve, armiq të drejtpërdrejtë të Millosheviçit, vëllezërve të mi kosovarë, që të gjenin strehë në Mal të Zi. Nuk besoj se me forcën që kanë, kjo meritë t’u adresohet partive nacionale shqiptare. Natyrisht që faktori shqiptar ka meritën e vet në vendimin që mori Gjukanoviçi, por besoj se kjo vjen nga vizioni i tij. Në partinë e Gjukanoviçit nuk janë vetëm malazezët, nuk jam vetëm unë, ka dhe shqiptarë të tjerë, ka edhe kroatë, ka edhe boshnjakë, edhe romë,pra është parti qytetare.

Unë ndjehem mirë edhe për faktin se partia ku zhvilloj aktivitetin, partia që ka qeverinë, njohu pavarësinë e Kosovës. Kjo është provë e vizionit të liderit. Ju besoj se i ndoqët që këtu reagimet e opozitës, demonstrimet, grevat, etj. U mendua se me këtë veprim do të binte në elektorat partia e Gjukanoviçit, përkundrazi ka stabilitet dhe ngritje elektorale. P.sh në Komunën e Kotorrit, jo më larg se e diela, ne fituam tre mandate më tepër se katër vjet më parë. Partia shqiptare fitoi vetëm një mandat.

Ka pasë raste kur është përfolur vota juaj si deputet i në një partie jo shqiptare?

Si jo! Kur u diskutua marrëveshja e Beogradit, pati shumë zhurmë dhe flitej hapur: si deputeti shqiptar Luigj Shkreli po voton për bashkimin Serbi-Mali i Zi? Marrëveshja parashihte që Kosova të mbetej nën Republikën Serbi-Mali i Zi. I kam duruar të gjitha kritikat dhe përgojimet për hir të një të nesërmeje më të mirë dhe ja ku jemi sot: Mali i Zi shtet i pavarur, Kosova shtetet i pavarur, i njohur edhe nga Mali i Zi, marrëdhënie shumë vëllazërore me Shqipërinë.

Si u ndjetë si shqiptar në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Po ju përgjigjem me një rast konkret. Më 17 shkurt një gazetar malazez më merr në telefon dhe fillimisht më pyet: Ku gjendeni në këto momente dhe si ndjeheni? I përgjigjem se është kohë e mirë, ditë me diell, e paparë për këtë stinë të motit. Po festojmë pavarësinë e Kosovës.

Si u ndjetë kur Qeveria e Malit të Zi njohu pavarësinë e Kosovës?

Natyrisht që jam ndjerë mirë. 9 tetori i vitit 2008 është grushti i fundit që Mali i Zi u dha ëndrrave dhe projekteve shtetërore për Serbinë e Madhe, duke pranuar botërisht pavarësinë e Kosovës, duke e njohur atë shtet të lirë e sovran. Jam i sigurt që Kosova do të gjejë prosperitetin e saj në rrjedhat demokratike të zhvillimeve integruese. Të gjitha këto kanë firmën e partisë qeverisëse të Malit të Zi, ku unë jam anëtar.

Mund të ketë një përgjigje të drejtpërdrejtë pyetja, që ju bëra më pare: A është vështirë që në një parti që s’është shqiptare t’i shërbesh çështjes shqiptare?

Unë ju përgjigjem se e vështirë është, por jo e pamundur. Mund të shtoj edhe fakte të tjera në favor të partisë, ku jam anëtarësuar: Kur të tjerët e lypnin për “mish dashi” në Beograd Agim Çekun, z. Gjukanoviçi e pranoi në pritje zyrtare në vilën qeveritare në Podgoricë, po ashtu siç ka pritur kryeministrin shqiptar z. Sali Berisha e të tjerë politikanë shqiptarë. Duhet të dimë se demokracia është e vështirë, ajo nuk është rregull matematikor, nuk është ekuacion me një apo dy të panjohura, ajo ka shumë të panjohura, është proces i gjatë. Ne të Ballkanit jemi në leksionet e para të demokracisë. Integrimi dhe demokratizimi do t’i ulin tensionet në rajonin tonë.

Si politikan ju i përkisni mazhorancës, si shqiptar i përkisni pakicave, çfarë ka bërë qeveria e partisë tuaj për pakicat?

Në Mal të Zi demokratizimi është ende në fillimet e veta. Pakicave jam i bindur se do t’u përmirësohen edhe në të ardhmen të drejtat. Sot kemi ligjin për pakicat; kemi Ministrinë për Pakicat, kemi fondin e pakicave, kemi formuar Këshillat Nacionale Shqiptare, në të cilin edhe unë jam anëtar, kemi dokumentet edhe në gjuhën amtare, ja shihni letrën time të njoftimit, që është e shkruar edhe në gjuhën shqipe. Jam i bindur se standardet demokratike do të implementohen në të gjitha drejtimet.

Jeni të kënaqur me sa janë arritur dhe ç’prisni për të ardhmen?

Mali i Zi nuk është më shumë se dy vjet i pavarur dhe për ç’ka janë bërë për këta dy vjet s’mund të mohohet. Natyrisht që ka vend për më mirë. Nuk ua mohoj rolin dhe meritën e subjekteve shqiptare në ato çfarë janë arritur. Mirëpo një pjesë prej liderëve të tyre nuk duhet të harrojnë të djeshmen e tyre; unë për vete nuk kam fotografi personale as me Medoiviçin, as me Mandiçin, as me ata të cilët deshën me e ndezë Podgoricën pse ajo pranoi pavarësinë e Kosovës. Disa liderë politikë shqiptarë janë fotografuar me ta dhe kujtesa s’besoj se i kanë lënë. A mund t’i kërkojnë këta patriotë të drejtat e shqiptarëve me Mandiçin e Medioviçin, me përfaqësuesit e Sheshelit?

A ju ka qëlluar që në Parlament, për shkak të interesave të partisë tuaj ose të disiplinës partiake, të viheni në pozicion kundër çështjes kombëtare, të ngritur nga Partitë Nacionaliste shqiptare?

Pyetja që më shtroni është e rëndësishme dhe ia vlen sepse më së shumti këtu abuzohet shumë dhe tentohen të manipulohen njerëzit. Mirëpo flitet në përgjithësi dhe nuk saktësohet konkretisht se në ç’rast ka ndodhë kjo? Unë do të pyesja: Cila ka qenë ajo çështje kombëtare që unë kam kundërshtuar? Nëse do të ishte kështu, unë them se asnjë nga çështjet e shtruara në Parlament nuk do të mund të miratoheshin pa votën e shumicës qeverisëse. S’kanë fuqi miratimi 2 apo tre mandate që kanë partitë shqiptare pa mbështetjen e mazhorancës. Ajo që shpërndahet në formë thashethemesh është lojë politike, që tenton të manipulojë, por që deri tani nuk pinë ujë. Më vjen keq që këto lojëra manipuluese po pinë ujë nga disa struktura politike këtu në diasporë. Unë mendoj se lojëra të tilla që gjejnë mbështetje edhe në komunitetin shqiptar të Amerikës, nuk i shërbejnë afirmimit të kombit dhe as zgjidhjeve të çështjeve kombëtare. Unë e di pse manipulohet, por çështja shtrohet: Nëse Partia Demokratike Socialiste nuk do që shqiptarët të kenë pozita të avancuara në Mal të Zi, çfarë e shtyu Gjukanoviçin që përpara shumë e shumë shteteve të tjera, njohu pavarësinë e Kosovës? Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e pranon se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, është grushti përfundimtar i projektit të Serbisë së Madhe.

Ç’mendim keni për partitë shqiptare në Mal të Zi?

E thashë edhe më parë: ato kanë rëndësinë e tyre, por fakti që nga një u bënë gjashtë dhe themeluesit janë po ata që kanë formuar Lidhjen Demokratike, tregon se diçka nuk shkon atje brenda. Më e mira kishte me qenë që këto gjashtë parti nacionale të merreshin vesh me njëra-tjetrën dhe të dalin me një platformë dhe pastaj të na kritikonin ne që s’jemi me ata.

Unë ju pyeta pak më parë nëse ka pasë çaste, kur jeni vënë në pozicion të vështirë për shkak të mandatit tuaj politik, mirëpo ende nuk e kam një përgjigje të saktë, mundeni?

Po ka pasë raste kur nuk e kam ndjerë veten jo mirë. Nuk e kam ndjerë veten mirë me ’97-n, kur një lider politik i një partie nacionale shqiptare pat thënë publikisht se e kishte në zemër Bulatoviçin, ndërsa unë i thashë Bulatoviçit në Ulqin, se me qëndrimin për pozitën e Malit të Zi në Ish- Jugosllavi, ju nuk mund të jeni kryetar i shtetit tim. Kjo ka ndodhë në qershor 1997 me praninë e TV për shtatë orë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë qenë në tetor. Z. Bulatoviç arriti që të fitojë pesë mijë vota më shumë, por unë nuk e kam ndërruar mendimin. Nuk e kam ndjerë veten mirë kur është bërë marrëveshja e Beogradit për Serbi-Mali i Zi, sepse rezoluta 1244 ka pas lënë një lloj hapësire që e shihte Kosovën në kuadër të Serbisë. Nuk e kam ndjerë veten mirë, por kam fituar bindje se ajo marrëveshje e kishte edhe hapësirën për të ndodhë ajo që ndodhi më vonë në vitin 2006, kur Referendumi me një shifër të bindshme prej 55 për qind i dha pavarësinë Malit të Zi dhe natyrisht la hapësira edhe për Kosovën.

Cili ka qenë qëndrimi juaj për të burgosurit shqiptarë në operacionin e koduar si “Fluturimi i Shqiponjës”?

Unë kam mendimin se çështja e të burgosurve nuk është çështje as e partisë, as e politikës, as e Parlamentit. Unë kam mësuar se a-ja e politikës është të qëndruarit e politikës larg policisë, ndryshe do të kishim polici të partive, gjykata të partive, prokurorë të partive… Ky leksion vjen edhe nga demokracia amerikane.

Po fakti që operacioni u organizua një ditë para zgjedhjeve, a ju shqetësoi?

Po, mbetet enigmatike pse kjo ndodhi para zgjedhjeve në Malësi, por më enigmatike është çështja që nuk prononcohen njerëzit të cilët janë shprehur se: Nëse X parti nuk fiton në Tuz, fillon lufta (është e shkruar kjo edhe në ditar).

Dhe një pyetje të drejtpërdrejtë: Kanë faj ata që janë në burg?

Jam tepër i bindur se ka ndër ata që nuk e dinë pse janë aty, por dikush tjetër i ka çuar deri aty. Unë ende nuk mundem me mbërritë tek përgjigja e pyetjes se çfarë ka ndodhë me këta 14 shqiptarë dhe ku e kanë logjistikën ata? Por nëse në një ditar shkruhet që për këtë ç’ka duam të bëjmë në Malësi kemi përkrahjen e Amerikës, kemi përkrahjen e UÇK-së, por edhe të Departamentit të Shtetit Amerikan, unë s’arrij që ta konceptoj dot vërtetësinë dhe fajësinë. Duket se gjithçka është e mbuluar me mjegull. Enigma qëndron edhe në faktin se shqiptarët nuk janë akuzuar se kanë luftuar kundër Malit të Zi, por për luftë vëllavrasëse në Mal të Zi. Do të ishte logjike lëvizja nëse synonte përmirësimin e sistemit qeverisës, por luftë ndërshqiptare, fetare? Kjo nuk i shërben as shqiptarëve vetë. Gjithçka më duket mjegullnajë.

Në vështrimin e një politikani shqiptar, pavarësisht se militoni në një parti jo shqiptare, por malazeze, cili është raporti mes përqindjes së popullsisë shqiptare në Mal të Zi dhe përfaqësimit të tyre në administratën shtetërore, duke filluar që nga njësia e pushtetit lokal deri në piramidën e lartë shtetërore, përfshi këtu gjykatat, policinë, ushtrinë?

Më falni, por do t’ju korrigjoj: Partia ime nuk është malazeze, por qytetare. Në vitet ’97-2000, ne na akuzuan se nuk ishim parti malazeze, atëherë ishte afirmative të ishe në një parti malazeze. Deputeti i tanishëm i Malësisë, z. Sinishtaj nuk ka pasë qytet në Mal të Zi ku s’ka kënduar këngën e Kral Nikollës. Ishte anëtar i Partisë Liberale. Tash, që nga 2006, u bë shqiptar, mirë, është punë e tij. Unë s’kam qenë atëherë në ato parti. Unë kam qenë dhe jam i njëjti. Atëherë e theksoj se ishte afirmative të ishe anëtar i Lidhjes Liberale sepse kreu i liberalëve ka qenë zoti i shqiptarëve nga që ka preferuar Malin e Zi të pavarur, ç’ka partia jonë nuk e ka pasë. Këtë s’mund t’ia mohoj. Sot Partia Demokratike Socialiste nuk është parti vetëm malazeze, por e të gjithë kombësive në Mal të Zi. Ajo në Ulqin është në pushtet me partinë shqiptare, Unioni Demokratik Shqiptar. Kur kam pasë debat me z. Ferhat Dinosha, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, mua m’kanë thënë ç’ka don me ba ti në Malësi, kur heroin tonë të Kombit po e nguc? Tash, kur Ferhat Dinosha është miku im politik, prapë më thonë në Malësi ç’ka don me ba ti në Malësi me Ferhat Dinoshën, që është armiku ynë politik? Pra është vështirë të kuptosh se kur një njeri që merret me politikë është mik e kur armik. Ferhatin e kanë vënë në krye malësorët edhe në dasma, u ka mbajt fjalime edhe në dreka, por tash po përflitet nga ata që e kanë dashtë. Pra këto dy vjetët e fundit ka qenë shumë e vështirë për shqiptarët të bërit politikë në skenën malazeze. Partia ime është në koalicion në Ulqin me dy parti shqiptare, ç’ka më parë s’mund të konceptohej. E njëjta gjë është në Plavë, nesër kemi me pasë edhe në Kotorr, ku ne kemi edhe partinë kroate AGI, që është pjesë e koalicionit shtetëror, kemi ministrin që është pjesë e koalicionit. Unë mendoj se politikani duhet të jetë i përgjegjshëm. Nëse një lider politik shqiptar në prill 2008, u ka thirrë shqiptarëve që t’ia japin votën Nejbosha Medioviçit, i cili sot nuk vjen në Parlament, bën demonstrata, do me ndezë Podgoricën pse Gjukanoviçi ka pranuar Kosovën, unë them se ky politikan duhet të japë llogari para shqiptarëve, që u mori votat për një antishqiptar. Merreni me mend se çdo të ndodhte nëse Medioviçi do të ishte fitues i zgjedhjeve? S’do të kishte njohje të Kosovës nga Mali i Zi. Ç’patriot je ti i Partisë Nacionale Shqiptare, që me 3 nëntor 2008 nënshkruan deklaratën që të hiqet nga rendi i ditës të Parlamentit rezoluta për pranimin e shtetit të Kosovës? Ç’është ky lider që thotë se kjo pikë e njohjes së Kosovës duhet të hiqet sepse mund të sjellë destabilizimin e vendit?!

A mund t’i kthehemi pyetjes se sa të përfaqësuar ndjehen shqiptarët në administratën e Malit të Zi?

Po, keni të drejtë. Ju kam mbetur borxh. Nuk jam i kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në strukturat shtetërore. S’jam i kënaqur absolutisht në raport me numrin e popullsisë që përfaqësojmë. Veçse nuk jam i kënaqur as me faktorin politik të përçarë shqiptar që nuk unifikon kërkesat. Po të kishim bashkëpunim ne do të ishim më të përfaqësuar si kombësi. Po ju sjell një shembull nga Ulqini. Kurrë nuk ka qenë shefi i policisë së Ulqinit një shqiptar, veç kur unë kam ardhë deputet. Deri në vitin 2001, përgjithësisht shefat e policisë kanë qenë malazezë. Pikërisht në 2001-shin kemi vendosë, me këmbënguljen time, shef policie Sabro Buzukun, që e njeh i gjithë Ulqini dhe në funksion kemi vënë edhe Rudolf Lezoviçin. Mirëpo ç’ndodh? Partitë Nacionale Shqiptare ngrihen kundër dy shqiptarëve, njëri malësor, katolik prej Shtojit, tjetri shqiptar me traditë e rrënjë i fesë myslimane. Rezultati? Kryejnë mandatin ata dhe me kërkesën e partive shqiptare Rudolfin e trasferojnë në Tivar dhe Sabron e shkarkojnë. Në vitin 2008, i kam trokitë z. Gjukanoviç në zyrë dhe i kam kërkuar sërish një kandidaturë shqiptare. Sot shefi i policisë së Ulqinit është shqiptar i Shtojit. Mirëpo ne jemi mësuar t’na sundojnë të tjerët dhe nuk na e mbush syrin i yni. Ka pasur dhe rast kur është hapur një konkurs në Podgoricë. Kanë qenë pesë vende punë. Janë regjistruar pesëdhjetë konkurrues, për fat të keq asnjë shqiptar.

Gjithsesi përfaqësimi i shqiptarëve duhet të përmirësohet dhe duhet luftuar më fort. Unë jam edhe anëtar i Këshillit Gjyqësor për Malin e Zi dhe e kam shtruar përmirësimin e përfaqësimit shqiptar.

Ka shumë ankesa nga politikanë shqiptarë, që vijnë në diasporë të cilët thonë se në Ulqin po tjetërsohen pronat, se objektet e turizmit po i gëlltisin rusët, se ka disproporcion të shpërndarjes së fondeve, krahasuar me komunat me shumicë malazeze, se nuk ka hapësirë për investime nga diaspora shqiptare. Cila është gjendja sipas vështrimit tuaj?

Unë them se diasporën shqiptare nga komuna e Ulqinit, nuk ka kush e ndalon të bëjë investime se ajo ka pronat e veta atje dhe mund të investojë, veç të ketë dëshirë dhe kapital.

Të vetmit njerëz që kanë shitë prona atje janë pikërisht nga diaspora. Për sa u përket ardhjes së rusëve, mendoj se zmadhohet, as 001 për qind të shifrës nuk e përbëjnë rusët.

Kanë ardhë edhe nga Nju Jorku e kanë konkurruar por konkurrimi i tyre nuk ka qenë bindës. Pa dyshim që ka pasë padrejtësi në privatizim, unë s’kam qenë aktor se s’kam konkurruar, por kam qenë drejtor i Ndërmarrjes Albatros, e kam lëshuar detyrën sepse nuk kam qenë dakord për mënyrën se si po privatizohej ai objekt. Edhe disa objekte që kanë fituar shqiptarët, i kanë lënë ashtu siç i kanë marrë, pa bërë asnjë investim.

Nga Dalip Greca
Gazeta Tema

YouTube Preview Image