15 milionë për Canën,oferta nga drejtuesit e Hamburgut
Drejtuesit e Hamburgut kanë përgatitur një ofertë prej 15 milionë eurosh për ta transferuar mesfushorin kosovar Lorik Cana. Sipas mediave franceze, përkundër ofertës së majme, Marseille nuk do ta lëshojë simbolin e ekipit nga Velodrome. Skuadra e Hamburgut po mendon seriozisht ta sjellë kapitenin e Olympique Marseilles, Lorik Cana në stadiumin Nordbank Arena. Mediat franceze të hënën kanë shkruar se ekipi nga Bundesliga ka përgatitur një ofertë prej 15 milionë eurosh për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar Mirëpo, sipas këtyre medieve, ekipi nga stadiumi Velodrome nuk do ta lëshojë 24 vjeçarin, i cili konsiderohet si simbol i klubit marsejez. “Hamburgu interesohet për shërbimet e Canes dhe flitet për një ofertë 15 milionë euro. Edhe pse oferta është e nivelit të lartë, klubi i Marseilles nuk ka vendosur ta lëshojë njërin prej simboleve të këtij klubi”, shkruan ueb sajti dingue2foot.com. Gjithnjë sipas mediave franceze, ekipi i drejtuar nga trajneri holandez Martin Jol e kërkon mesfushorin kosovar si zëvendësim të holandezit Nigel de Jong, i cili këto ditë pritet t’i bashkohet Manchester Cityt. Lorik Cana është një prej futbollistëve kryesorë në Marseille dhe një largim nga stadiumi Velodrome vlerësohet se nuk do të pritet mirë nga tifozët e klubit marsejez. Ndërsa përveç Hamburgut, nga Bundesliga interesim për t’i siguruar shërbimet e kosovarit ka shprehur edhe kampioni aktual i Gjermanisë, Bayern Munich. Sipas mediave franceze, thuhet se Ribery (ish bashkëlojtar i kosovarit te Marseille) ka insistuar në transferimin e Canës në Allianz Arena. Ndërsa gjatë vitit që e lamë pas kanë qarkulluar zëra se për kosovarin interesim ka shprehur kampioni i Italisë, Inter, ai i Spanjës, Real Madrid si dhe dy ekipet nga Premierliga, Arsenal dhe Evrton. Ish-futbollisti i Paris Saint Germain ka kontratë me Marseillen deri në verën e vitit 2012, mirëpo nuk ka përjashtuar mundësinë që në fund të këtij sezoni t’i thotë lamtumirë ekipit nga stadiumi Veledrome.
Gazeta Express





