Pakicat, jo trajtim të barabartë – Video

January 21, 2009   | Shtypi / Mediji

pakicat-jo-trajtim-te-barabarteTë dhëna shqetësuese të zyrës së ombudsmanit mbi përfaqësimin e pakicave në organet shtetërore, organet e qeverisjes lokale dhe shërbimet publike
Të dhënat e Ombudsmanit tregojnë se një pjesë e mirë e organeve shtetërore dhe organeve të veçanta të qeverisjes lokale nuk i implementojnë në mënyrë adekuate obligimet ndërkombëtare që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, si dhe detyrimet nga legjislacioni nacional mbi përfaqësimin proporcional të pjesëtarëve të pakicave në institucionet e sistemit politik në Mal të Zi.
Të dhënat e Zyrës së Ombudsmanit mbi përfaqësimin e pjesëtarëve të pakicave në organet shtetërore, organet e qeverisjes lokale dhe shërbimet publike kanë vërtetuar deklaratat e përfaqësuesve politikë të pakicave, organizatave dhe hulumtuesve që merren me të drejtat e njeriut dhe shkeljen e tyre për trajtimin jo të barabartë të pakicave dhe përfaqësimin e tyre në mënyrë joadekuate në pajtim me përfaqësimin proporcional.
Ndonëse Mali i Zi ka miratuar disa dokumente ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zbatimin e të drejtave të pakicave duke i përfshirë edhe në legjislacionin nacional, të dhënat e Ombudsmanit tregojnë se një pjesë e mirë e organeve shtetërore dhe organeve të veçanta të qeverisjes lokale nuk i implementojnë në mënyrë adekuate obligimet ndërkombëtare që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, si dhe detyrimet nga legjislacioni nacional mbi përfaqësimin proporcional të pjesëtarëve të pakicave në institucionet e sistemit politik në Mal të Zi.
Në bazë të raporteve të fituara nga një numër i organeve shtetërore dhe organeve të qeverisjes lokale, si dhe nga komunikimi me përfaqësues të veçantë të popujve pakicë si dhe disa përfaqësues të organizatave joqeveritare, Ombudsmani ka arritur deri te këto fakte: se struktura nacionale e organeve të posaçme shtetërore dhe organeve të qeverisjes lokale është joadekuate, se përfaqësimi i pjesëtarëve të popujve pakicë është i pamjaftueshëm në ministri të veçanta, në organet gjyqësore dhe organe të veçanta të qeverisjes lokale në mjediset e përziera nacionale.
Shifrat flasin vetë
Kërkesës së Ombudsmanit mbi strukturën e të punësuarve dhe përfaqësimin e pjesëtarëve të pakicave i janë përgjigjur pozitivisht vetëm shtatë ministri: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore, Ministria e Kulturës, Sportit dhe Medias, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Përkujdesjes Sociale, Ministria e Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor dhe Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ndërsa nuk i janë përgjigjur gjashtë ministri: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Komunikacionit, Detarisë dhe Telekomunikacionit, Ministria për Zhvillim Ekonomik, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Kërkesës nuk i është përgjigjur as Prokuroria Supreme Shtetërore, kurse Gjykata Supreme i ka dërguar Ombudsmanit vetëm listën e të punësuarve në gjykatat në Mal të Zi.
Ajo që të bie në sy është përfaqësimi joadekuat dhe joproporcional i pakicave.
Në bazë të regjistrimit të vitit 2003, në Mal të Zi jetojnë 620 145 banorë të përhershëm, nga të cilët malazezë janë 43.16 për qind, serbë 31.99 për qind, boshnjakë 7.76 për qind, shqiptarë 5.02 për qind, muslimanë 3.97 për qind, kroatë 1.09 për qind, maqedonë 0.13 për qind, sllovenë 0.06 për qind, romë 0.41 për qind, të tjerë 2.02 për qind, ndërsa të papërcaktuar 4.33 për qind.
Sa u përket shqiptarëve, me përjashtim të Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave ku nga tetë të punësuar pesë janë shqiptarë dhe tre boshnjakë, në ministritë e tjera përfaqësimi është shumë më i vogël se sa përqindja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Malit të Zi.
Është indikative se në dy ministri, konkretisht në atë të Kulturës, Sportit dhe Medias, si dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk ka fare shqiptarë.
Ndërkaq në Ministrinë e Mbrojtjes nga 201 të punësuar vetëm një apo 0.49 për qind janë shqiptarë, në Ushtrinë e Malit të Zi nga 2169 persona janë 4 shqiptarë apo 0.18 për qind, në Ministrinë e Shëndetësisë, Punës dhe Përkujdesjes Sociale punojnë vetëm dy shqiptarë apo 0,96 për qind, në Ministrinë e Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor punojnë dy shqiptarë apo 2.08 për qind dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore po ashtu dy shqiptarë apo 2.19 për qind.
Sa u përket komunave, në organet e qeverisjes lokale të Komunës së Ulqinit janë të punësuar gjithsej 180 vetë, prej të cilëve 160 apo 88.88 për qind janë shqiptarë, 11 apo 6.11 për qind janë malazezë, katër apo 2.22 për qind janë serbë, dy muslimanë, dhe nga një boshnjak dhe maqedon, si dhe një që nuk është deklaruar mbi përkatësinë.
Në komunën e Rozhajës punon vetëm 1 shqiptar apo 1.28 për qind të të punësuarve, ndërsa komunat e tjera ku jetojnë shqiptarët si ajo e Tivarit, Podgoricës dhe Plavës nuk i kanë dërguar të dhënat e kërkuara.
Pabarazia e pakicave nacionalenail-draga
Dr. Nail Draga thotë se Raporti i përgatitur nga Ombudsmani paraqet një punë serioze dhe profesionale, ku për të parën herë ofrohen të dhëna me interes lidhur me përfaqësimin proporcional të pjesëtarëve të popujve pakicë apo pakicave nacionale në institucionet shtetërore dhe ato të qeverisjës lokale.
Sipas tij, “të dhënat dëshmojnë në mënyrë transparente pabarazinë praktike të pakicave nacionale në nivelin lokal dhe atë qendror”.
Fakti që disa ministri apo komuna nuk i kanë dërguar të dhënat përkatëse të kërkuara nga Ombudsmani dëshmon, sipas Dragës, mosgatishmërinë e tyre për të prezentuar të vërtetën kur bëhet fjalë për punësimin e pjesëtarëve të popujve pakicë në institucionet përkatëse.
“Këto të dhëna dëshmojnë se Mali i Zi edhe pse është mjedis multinacional, multikulturor dhe multikonfesional, në fushën e punësimit ekziston situatë e kundërt që është në kundërshtim me legjislacionin shtetëror dhe standardet ndërkombëtare kur flitet për pakicat nacionale”, thekson ai.
Më tej ai i vlerëson këto të dhëna si shqetësuese dhe alarmuese për strukturat shtetërore-qeveritare dhe thotë se “është koha e fundit për të ndryshuar qasja ndaj pakicave nacionale, sepse retorikat verbale janë koncepte të tejkaluara”.
“Mospjesëmarrja e asnjë shqiptari në Ministrinë e Arsimit apo atë të Kulturës, dy ministri këto që trajtojnë çështjet e identitetit edhe të shqiptarëve në këtë mjedis, thënë me eufemizëm, paraqet skandal të llojit të vet. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë dëshmon qasjen injoruese të pushtetit dhe të institucioneve përkatëse ndaj shqiptarëve dhe të pakicave të tjera në përgjithësi”, përfundon Draga.
leon-gjokajKoordinatori i projekteve pranë Qendrës Nansen Dialog, Leon Gjokaj, përshendet Raportin e Zyrës së Ombudsmanit, mirëpo, sipas tij, “ky raport për sektorin civil nuk paraqet diçka të re”.
“Ai vetëm se u jep vulë konstatimeve tona se në shoqërinë malazeze ekziston një diproporcion i madh në mes gjendjes normative dhe realitetit. Po ashtu, ai vërteton rezultatet e hulumtimeve empirike të CEDEM-it, të cilat tregojnë se në Mal të Zi është në rritje e sipër distanca etnike, në veçanti ndaj popullatës shqiptare dhe popullatës RAE”, thotë Gjokaj.
Edhe sipas tij, për shqiptarët situata “është sidomos alarmante në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në Ministrinë e Kulturës, Sportit dhe Medias, ku nga 119 të punësuar, asnjëri/a nuk i takon popullatës shqiptare, e cila krahas pakicave të tjera është edhe pakicë gjuhësore dhe për dallim nga popullata tjetër, nuk ka prejardhje sllave”.
Indikativ për të është edhe struktura e të punësuarve në Ministrinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
“Fakti që në këtë ministri nuk kemi asnjë pjesëtar/e të popullatës shumicë ndoshta më së miri dëshmon shkallën e mosintersimit të popullatës shumicë lidhur me këtë çështje”, thotë Gjokaj.
Përkundër këtyre fakteve negative, Gjokaj thotë se “situata për sa i përket të drejtave të pakicave viteve të fundit është më e mirë në krahasim me të kaluarën”.
Por, sipas tij, ka ende mjaft çështje normative dhe shumë më tepër çështje të natyrës praktike për të cilat duhet punuar.
“Në bazë të standardeve demokratike, shteti jo vetëm që duhet të jetësojë më tepër parimin e aksionit afirmativ, por ai duhet edhe të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe në rast të mungesës së kuadrove nga radhët e pakicave, ai ka për detyrë të arsimojë të njëjtit. Po ashtu, duhet sanksionuar organet shtetërore, organet e vetëqeverisjes lokale dhe të gjithë ata të tjerët që janë bartës të autorizimeve publike dhe që shkelin aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin nacional”, thotë Gjokaj.edina-hasanaga-cobaj
Edina Hasanaga Çobaj nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e cilëson iniciativën e Ombudsmanit pak të vonuar “duke ditur se hulumtime dhe reagime publike për këtë çështje ka patur edhe më herët nga të gjitha subjektet”. Megjithatë, kjo iniciativë, sipas saj, është me vend.
Edhe për të, kur flitet për shqiptarët, është tepër brengosës mosprania e tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Kulturës, Sportit dhe Medias, por edhe mungesa e përfaqësuesve të shumicës në Ministrinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
“Mbrojtja e të drejtave të popujve pakicë nuk duhet të jetë përpjekje vetëm e pakicave, por edhe e popullit shumicë sepse ai është faktori që i merr vendimet në fund të fundit. Kështu që mendoj se doemos është e nevojshme që në këtë ministri të ketë edhe punonjës të popullit shumicë, ku të gjithë do të punojnë për mbrojtjen e pakicave dhe për avancimin e Malit të Zi në këtë drejtim”, thotë Çobaj.
Ajo e shikon si negative edhe strukturën e të punësuarve në Komunën e Ulqinit, ku 88.88 % janë shqiptarë, që, sipas saj, “gjithashtu nuk është në pajtim me kërkesat ligjore sepse në Ulqin ka rreth 25% joshqiptare”.
“Siç e shohim të rëndësishme praninë e pakicave në nivelin shtetëror, duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojën e pranisë së pakicave në nivelin lokal”, thotë ajo.
Çobaj e vlerëson si papërgjegjësi dhe mosrespektim të institucionit të Ombudsmanit faktin që shumë ministri nuk i janë përgjigjur kërkesës së tij.
“Ky fakt tregon gjithashtu se institucionet shtetërore nuk e kuptojnë akoma që ato janë në shërbim të qytetarëve dhe se secili institucion e ka obligim ligjor që tzi përgjigjet jo vetëm ombudspersonit në këto pyetje, por edhe secilit nga neve”, thotë ajo.
I.Kallaba
Koha Javore

http://www.alsat.tv/images/emisionet/reklama/maqedoni.flv