Thaçi: Së shpejti ambasadorët në Shkup dhe Podgoricë
Së shpejti ambasadorët në Shkup dhe Podgoricë Kryeministri Thaçi, pas një takimi me Uilliam Uokerin, ka prekur edhe çështjen e hapjes së ambasadave të reja, duke paralajmëruar se shumë shpejt do të caktohen ambasadorët dhe në Maqedoni dhe Mal të Zi, por edhe vende të tjera, pa lakuar emra. Thaçi ka folur edhe rreth reagimit të partive opozitare rreth shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare. Ai me këtë rast tha se çdo gjë është bërë në përputhshmëri me Kushtetutën. “Duke mos dashur të shtojë diçka më tepër nga ajo që presidenti ka prezantuar dhe duke prezantuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në këtë rast nuk ka as humbës e as fitues, por ka respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Thaçi. Ambasadori Uilliam Uoker, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, vlerësoi lart të arriturat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe u shpreh se mbështetja ndërkombëtare për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ish-shefi i misionit të OSBE-së, Uoker, mbetet pranë qëndrimit të njëjtë lidhur me procesin e njohjes së Kosovës, ashtu siç kishte deklaruar kohë më parë gjatë një ligjërate, duke theksuar se Qeveria duhet të angazhohet më tepër për njohje nga shtetet e tjera. “Pritje të cilat kanë qenë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që komuniteti ndërkombëtar do ta njohë Kosovën në një numër të madh, mendoj se nuk janë realizuar. Ka hapësirë ku do të kishte qenë e mundur që me një angazhim më të madh do të bëhej më shumë në këtë drejtim”, tha Uoker.
I.Krasniqi
Kosova Sot





