Mal i Zi, Ligjvënësit i hapin rrugën zgjedhjeve të parakohshme

January 28, 2009   | Shtypi / Mediji

parlament-crne-gorePODGORICË- Deputetët e parlamentit të Malit të Zi votuan mbrëmë për të reduktuar mandatin e tyre, duke i mundësuar kështu presidentit Filip Vujanoviç të thërrasë zgjedhje të parakohshme, të parashikuara për të lehtësuar përgatitjet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Propozimi i qeverisë u përkrah nga 42 deputetë në parlamentin me 81 vende.
Partitë politike të vendit ranë dakord pas zgjedhjeve të vitit 2006 që të zhvillonin zgjedhjet e tjera në fund të vitit 2009.
Por qeveria properëndimore bëri thirrje së fundi për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme në pranverë të vitit 2009, duke theksuar se nevojitet një qeveri dhe parlament plotësisht funksional për të çuar vendin drejt anëtarësimit në BE.
Pas votimit që u bë dje, Vujanoviç pritet të shpallë sot datën e zgjedhjeve.
“Duke pasur parasysh numrin e madh të detyrimeve që ka Mali i Zi për t’u anëtarësuar në BE, qeveria mendon se ky proces duhet të drejtohet nga një parlament dhe kabinet brenda një mandati të plotë katërvjeçar”, deklaroi zëvendëskryeministri Igor Luksic në parlament.
Partitë opozitare theksuan se koalicioni qeveritar i drejtuar nga Millo Gjukanoviç donte të siguronte rizgjedhjen përpara se të ndjehet ndikimi i krizës financiare globale në Malin e Zi.
“Arsyeja pse qeveria e bëri këtë propozim është që të zhvillohen zgjedhje përpara se të dalin në pah problemet e mëdha sociale në Malin e Zi”, deklaroi lideri i partisë opozitare, Predrag Popoviç.
Mali i Zi, një republikë e ish-Jugosllavisë me afro 650 000 banorë, paraqiti në dhjetor kërkesën për anëtarësim në BE.

(d.b/BalkanWeb)

YouTube Preview Image