Thikë pas shpine, nga Mali i Zi

January 28, 2009   | Rajoni / Region

cefta-for-south-east-europeMinistri malazez Branimir Gvozdenoviç, në cilësinë e kryesuesit të sekretarit të CEFTA-s, i shkruan MTI-së se Kosova në këtë asociacion nuk mund të prezantohet pa UNMIK-un dhe nuk ka arsye që të debatohet për bllokadën e mallrave kosovare nga Serbi e Bosnja. Qeveria e Kosovës ende nuk e ka gati përgjigjen.

Mali i Zi, pasi e pranoi Kosovën si shtet të pavarur, me veprimet e mëvonshme dëshmon sikur lëkundet drejt thellimit të bashkëpunimit dhe të ndihmës.

Kjo po vërehet edhe përmes pengesave që i bën Kosovës në asociacionet ekonomike rajonale e evropiane. Gazeta “Express” mëson se ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Branimir Gvozdenoviç, njëherësh kryesues i sekretariatit të CEFTA-s, të hënën, i ka shkruar një letër ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Lutfi Zharkut, me të cilën thotë se Kosova nuk mund të përfaqësohet pa UNMIK-un në takimin e së martës të sekretariatit të këtij asociacioni në Bruksel.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i cili nuk ka dashur të komentojë për vendimet që do të merr Qeveria e Kosovës lidhur me këtë rast. “Ne e kemi marrë këtë letër dhe do të konsultohemi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të dalë me një qëndrim”, ka pohuar Kuqi.

Për institucionet e Kosovës, letra e ministrit Gvozdenoviç është shqetësuese për faktin se Mali i Zi tashmë e ka njohur Kosovën si shtet. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se qëndrimi i tij ndaj përfaqësimit të Kosovës në CEFTA nuk i rrezikon marrëdhëniet diplomatike që kanë ndërtuar këto dy vende.
Në bazë të kësaj letre, çështja e Kosovës lidhur me bllokimin e importit të produkteve kosovare nga Serbia dhe Bosnja nuk meriton të trajtohet në sekretariat, pasi që marrëveshja e CEFTA-s nuk është nënshkruar nga institucionet e Kosovës.

Burime të gazetës “Express” bëjnë të ditur se të martën dhe të mërkurën një delegacion i MTI-së do të qëndrojë në Bruksel, por pa përfaqësues të UNMIK-ut.
“Të premten pasdite UNMIK-u ka kërkuar që të jetë pjesë e delegacionit tonë, mirëpo ne ia kemi kthyer përgjigjen se nuk kemi nevojë për ta”, ka thënë birimi i gazetës.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko ka pranuar se kanë bërë kërkesë për të marrë pjesë në këtë takim, mirëpo ajo është refuzuar nga institucionet e Kosovës.
“Është çështje e tyre nëse duan që ne t’i përfaqësojmë apo jo”, është shprehur Ivanko.

Megjithatë, sipas tij, përfaqësimi i Kosovës në sekretariatin e CEFTA-s është precizuar atëherë kur është nënshkruar marrëveshja për anëtarësim në asociacionin rajonal për tregti të lirë.

“Kosova nuk mund të përfaqësohet në CEFTA pa UNMIK-un. Kështu precizohet në marrëveshje. Është çështje e Qeverisë së Kosovës nëse na fton ne të marrim pjesë”, ka pohuar Ivanko.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, thotë se mënyra se si ka vepruar ministri i Malit të Zi ka qenë e pritur, pasi që institucionet e Kosovës me kohë nuk i kanë njoftuar vendet anëtare të CEFTA-s për realitetin e ri, pas shpalljes së pavarësisë.

“Institucionet e Kosovës janë vonuar që pas shpalljes së pavarësisë t’i njoftojnë vendet anëtare se UNMIK-u më nuk e përfaqëson atë”, thekson Ahmeti.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje adekuate që mundë të bëjë pala kosovare është bllokimi i importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. “S’ka zgjidhje tjetër”, thotë Ahmeti, duke shtuar se me një hap të tillë do t’ua tërhiqte vëmendjen vendeve tjera anëtare që të merren më seriozisht me marrëveshjen për tregti të lirë.

Letrën e dërguar nga Gvozdenoviq, koordinatori për bashkëpunim ndërkombëtar në Odën Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e sheh si solidarizim i Malit të Zi me Serbinë dhe Bosnjën, të cilat muaj më parë kanë bllokuar importin e mallrave nga Kosova.

“Ky reagim më së miri paraqet realitetin ballkanik nga aspekti politik dhe ekonomik”, thekson Gërxhaliu. Edhe ai mendon se alternativa e vetme për të dalë nga kjo situatë është embargoja ndaj produkteve të këtyre vendeve e më pastaj të fillojë rinegocimi i marrëveshjes së CEFTA-s.

Gazeta Express