Preshevarët lypin të drejta si të serbëve në Kosovë

January 31, 2009   | Rajoni / Region

preshevaret-lypin-te-drejta-si-te-serbeve-ne-kosovePresidenti Fatmir Sejdiu i bëri thirrje sot Serbisë të heqë dorë nga krijimi i situatave që e tensionojnë situatën në rajon. Ai kërkoi nga Qeveria e Beogradit që të respektojë dhe të garantojë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, të ngjashme me ato që u ofrohen pakicës serbe në Kosovë.
Pas një takimi që zhvilloi me një delegacion të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, presidenti i Kosovës shprehu shqetësimin me operacionin e paradokohshëm të policisë serbe për arrestimin e 10 shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, me motivacion se kanë kryer lufte.
Sipas Sejdiut, Serbia nuk është duke i respektuar sa duhet standardet e të drejtave dhe komuniteteve. “Për ne është me rëndësi që ato vlera që Kosova i ka ofruar për respektimin e komuniteteve të jenë edhe për shqiptarët e Luginës”.
Ai i bëri thirrje Beogradit që të shkëputet nga qasja që ka pasur deri më tani, duke mbajtur në tension qytetarëve serbë të Kosovës nëpërmes strukturave paralele dhe në anën tjetër me ngritjen e tensioneve në jug të Serbisë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Luginës shfaqën qëndrimin se të drejtat e shqiptarëve në Serbi duhet të jenë të një standardi me të drejtat e serbëve të Kosovës.
“Nuk ka mundësi që komuniteti serb në Kosovë të ketë shumë më shumë të drejta, ndërsa komuniteti shqiptar në Serbi apo Luginë të Preshevës t’i mohohen ato dhe në këtë mënyrë të mbahet në tension gjendja. Nëse dëshirojmë të kemi një Ballkan stabil, atëherë vlerat njerëzore duhet të jenë të njëjta. Nuk mund të ketë pakicë të privilegjuar dhe jo të privilegjuar”, tha prefekti i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Gazeta Express

YouTube Preview Image