Dinosha: Të hapen dosjet

February 1, 2009   | Shoqëria / Društvo

Komunizmi dhe Demokracia
Një ndër obligimet e rëndësishme shoqërore të demokracive të reja është hapja e dosjeve.
Demokracia pluraliste nuk mund të stabilizohet pa dënuar krimet e komunizmit, që, si sistem shoqëror ka dështuar. Meqë në demokracitë postkomuniste ka persona në funksione shoqërore, të cilët poste kanë patur edhe gjatë komunizmit dhe meqë komunizmi është dëshmuar sistem i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe i krimeve të ndryshme, është e domosdoshme që bartësve të detyrave të ndryshme, vendimmarrëse apo ekzekutive gjatë komunizmit, t`u pamundësohet ngritja në poste në demokraci. Këtu natyrisht bëjnë pjesë edhe spiunët, goja e ligë e të cilëve ka marrë në qafë shumë njerëz të pafajshëm.
Regjimet komuniste kanë qenë ku më të egra e ku më pak të egra, por kudo të ushqyera nga ndrydhja e lirive të njeriut, duke prodhuar “diktatura të proletariatit”. Shumë demokraci postkomuniste kanë nxjerrë ligje për hapjen e dosjeve me emërtime të ndryshme. Para disa ditësh këtë e ka bërë shteti ynë amë, Republika e Shqipërisë, ku diktatura komuniste ka qenë shumë e egër. E tillë ishte edhe diktatura jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës me një zbutje në vitet e 70-ta. Pritet që, së shpejti, Parlamenti i Kosovës të nxjerrë një rezolutë për të dënuar krimet e komunizmit.
Ne këtu në Mal të Zi nuk kemi hequr nga komunizmi jugosllav aq sa kanë hequr shqiptarët e Kosovës as për së afërmi, por ai edhe këtu ka pasur metodat e veta perfide për të shtypur ndjenjën kombëtare, për të ngushtuar hapësirat tona jetësore, për të na asimiluar duke shtuar sufiksat sllavë në fund të mbiemrave tanë, për të na dhënë viza për gyrbet, për t`na tjetërsuar nga pjesa tjetër e trungut kombëtar, për të na e bërë të huaj flamurin kuq e zi, për t`na thënë në tekstet e përkthyera të fëmijëve tanë se të parët tanë na qenkan sllavët, andaj është koha që edhe ne, tash pas pavarësisë së Malit të Zi dhe pas pavarësisë së Kosovës, të kërkojmë hapjen e dosjeve për bëmat e komunizmit ndaj nesh. Ato që na kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur pa ndihmën e njerëzve tanë. Kemi pasur edhe ne “përfaqësuesit e popullit”, sekretarët e celulave partiake, drejtorët e shkollave, punëtorët e organeve të punëve të brendshme, bashkëpunëtorët e tyre…
Dosjet hapen sepse ndodh që të njëjtit kontributor të na paraqiten shpëtimtar dhe të na zënë poste edhe në pluralizëm, në demokracinë pluraliste.
Kjo nuk bëhet lehtë, sepse as shteti i Malit të Zi nuk ka ende ligj të lustracionit.
Por, subjektet politike shqiptare mund të kërkojnë së bashku, që të hapen
dosjet e qytetarëve shqiptarë të Malit të Zi për periudhën e komunizmit.
Mendoj se kjo mund të bëhet në dy nivele.
Një kërkesë për këtë do të mund të dilte nga niveli i kuvendeve komunale, ku shqiptarët janë shumicë, pra nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit dhe nga Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit. Nuk besoj se do të kishte problem me sigurimin e shumicave bindëse në parlamentet e lartpërmendura.
Kërkesë e ngjashme ose identike do të duhej të paraqitej edhe në Parlamentin e Malit të Zi nga ana e deputetëve shqiptarë. Ndoshta për të prodhuar shumicën do të kishin kontribuar edhe deputetët e pozitës edhe ata të opozitës.
Me kërkesën apo kërkesat do të duhej të njiheshin përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Podgoricë. Po pati nevojë, ndihmë në këtë drejtim do të mund të siguronte edhe diplomacia e Republikës së Shqipërisë.
Pastërtia e figurës është e nevojshme sidomos në prag të integrimeve europiane dhe euroatlantike që e presin Malin e Zi, por edhe rajonin. S`do ta kuptonte asnjë partner ndërkombëtar që në tavolinë bisedimesh për cilëndo çështje të kishte përballë eksponentë të drejtëpërdrejtë të sistemit komunist, të cilët kanë nëpërkëmbur interesat kolektive e individuale kombëtare duke propaganduar komunizmin si vlerë internacionale dhe duke e paraqitur demokracinë kapitaliste si gogol të njerëzimit.
Pastërtia e figurës na nevojitet edhe më tepër për shkak të raporteve tona të brendshme, për shkak të integrimeve brendashqiptare, të cilat do të nxjerrin në pah të merituarit për mbrojtjen e vlerave që na bëjnë komb të lashtë, por edhe ata të cilët këtyre vlerave u kanë bërë dëm.
Historia duhet t`i regjistrojë të gjitha. Pjesë e saj jemi edhe ne sado që me kaçik të vogël. Tash kur historinë tonë do ta shkruajmë ne, ngjarjet dhe bartësit e tyre duhet t`i pasqyrojmë objektivisht.

Ferhat Dinosha
Koha Javore