Nevoja e një zëvendës Ombudsmani shqiptar në Mal të Zi

February 1, 2009   | Shoqëria / Društvo

ombudsman_montenegroZyra e Ombudsmanit u ka dërguar Rekomandim organeve të administratës shtetërore dhe lokale në Mal të Zi, që të ndërmarrin masa të duhura për respektimi e përfaqësimit proporcional të pakicave në pajtim me karakterin e detyrshëm të e përcaktuar me dispozitat e legjislacionit kombëtar dhe me obligimet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Në dhjetor të vitit 2008, Zyra e Omdudsmanit të Malit të Zi, i dërgoj Rekomandimin organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjeve lokale dhe shërbimeve publike për zbatimin konsekuent të përfaqësimit proporcional të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera të pakicave nacionale pakicë në të gjitha institucionet e sistemit politiko-juridik në Mal të Zi, respektivisht të implementimit të dispozitave të të drejtave ndërkombëtare, si dhe të atyre të legjislacionit kombëtar të Malit të Zi në këtë fushë të rëndësishme të realizimit të të drejtave të njeriut.
Zyra e Ombudsmanit me iniciativë vetjake ka nisur procedurën e shqyrtimit, ka bërë hulumtime empirike e teorike, juridiko-politike mbi këtë segment të rëndësishëm të sendërtimit të të drejtave të pakicave.
Në punën e vet në këtë drejtim, ajo ka hasur dhe në vështirësi e në keqkuptim tek disa organe të administratës shtetërore dhe te disa organe të vetëqeverisjeve lokale.
Mirëpo, Zyra e Ombudsmanit në punën e vet hulumtuese mbi strukturën nacionale të organeve shtetërore dhe të administratës lokale në shumë raste ka qenë këmbëngulëse edhe me mosmarrjen e përgjigjeve në kërkesat e para , i ka përsëritur kërkesat, respektivisht në disa raste ka dërguar urgjencë me shkrim për të fituar të dhënat e kërkuara.
Kjo dëshmon se vendi ynë akoma gjendet në një fazë të tranzicionit, të reformave të përgjithshme të demokratizimit të shoqërorisë, e në veçanti të formimit të vetëdijes dhe kulturës demokratike politiko-juridike, dmth. shoqëria në Mal të Zi ende është në një fazë të luftës, midis demokracisë dhe burokracisë, midis botëkuptimeve anarkike farefisnore dhe konceptit të ri të shoqërisë bashkëkohore civile, multietnike dhe multikulturale. Shoqëria në Mal të Zi ende nuk është e liruar, as nga paragjykimet dhe stereotipet nacionale, as nga dukuria dhe njëmendësia etnocentriste, çka reflektohen negativisht në ndërtimin e një shoqërie të re mbi baza të shëndosha të demokracisë moderne dhe bashkëkohore.
Të dhënat e fituara statistikore nga një numër i organeve shtetërore dhe nga një numër i organeve të administratës lokale tregojnë për përfaqësimin proporcional joadekuat të pakicave etnonacionale, veçenarisht të shqiptarëve në institucionet e sistemit politik.
Mu për këtë arsye, Zyra e Ombudsmanit u ka dërguar Rekomandim organeve të administratës shtetërore dhe lokale në Mal të Zi, që të ndërmarrin masa të duhura për respektimi e përfaqësimit proporcional të pakicave në pajtim me karakterin e detyrshëm të e përcaktuar me dispozitat e legjislacionit kombëtar dhe me obligimet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Organet e lartpërmendura janë të detyrueshme që pas një afati prej gjashtë muajsh, që nga dita e pranimit të rekomandimit, t` ia dorëzojnë raportin Zyrës së Ombudsmanit mbi ndërmarrjen e aktiviteteve dhe masave në zbatimin e rekomandimit në fjalë.
Zyra e Ombudsmanit është marrë dhe më parë me përfaqësimin proporcional të pakicave etnonacionale në sistemin politik të Malit të Zi. Ajo nëpërmjet raportit vjetor të punës në vitin 2006. dërguar Kuvendit të Malit të Zi u ka bërë një rekomandim të përgjithshëm organeve shtetërore dhe organeve të vetëqeverisjeve lokale në Mal të Zi mbi përfaqësimin proporcional të pakicave, ku ndër të tjera thuhet: “Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e konsideron të domosdoshme që organet shtetërore dhe organet e vetëqeverisjes lokale të krijojnë kushte, presupozime dhe mekanizma për përfaqësimin adekuat të pjesëtarëve të pakicave në institucionet e sistemit, në mënyrë që askush të mos ndjejë presion nga ai që është më i madh dhe më i fortë, por çdokush duhet ta ndjejë vetin të barabartë dhe të lirë. Sepse, siç do të thoshte Gandi: “Qytetërimi ynë do t`ë gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimi u ofron pakicave”.
Më tutje, po nënvizojmë rastin e rekomandimit të Zyrës së Ombudsmanit në dhjetor të vitit 2005.dërguar Komunës së Podgoricës dhe Komunës së Ulqinit që shërbimet publike që merren me regjistrimin e emrave në librat e amzës dhe lëshojnë dokumente publike të organizohen në mënyrë më adekuate për të ndaluar regjistrimin e mëtejshëm të gabuar të emrave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, si dhe qytetarëve të interesuar të nacionalitetit shqiptarë t`u mundësohet ndreqja e të dhënave jo të sakta mbi emrin personal në librat e amzë dhe në lëshimin e dokumenteve publike.
Rekomandimi i është dërguar dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që, në pajtim me kompetencat e veta, me ndryshimet dhe plotësimet e Fletudhzimeve për administrimin e librave të amzës dhe lëshimin e certifikatave e vërtetimeve në bazë të librave të tillë ose me akte të tjera nënligjore, të parashikojë zgjidhjet normative me të cilat qytetarëve të komunitetit shqiptar në Mal të Zi u mundësohet gëzimi i plotë dhe adekuat i së drejtës për regjistrimin e emrit personal në librat e amzës dhe për lëshimin e dokumenteve të tjera publike në gjuhën dhe shkrimin shqip në pajtim me normat ndërkombëtare.
Po ashtu, Zyra e Ombudsmanit i ka dërguar rekomandim dhe Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave që në Pjojektligj për pakicat të parashikohet një zgjidhje përkatëse në lidhje me regjistrimin e emrave të pjesëtarëve të grupeve nacionale, etnike respektivisht të pakicave gjuhësore në librat e amzës dhe në dokumentet e tjera publike dhe në evidencat zyrtare në gjuhën dhe shkrimin e vet.
Në periudhën e deritashme, Zyra e Ombudsmanit është marrë me ankesa të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me cenimet e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave, si për shembull, arrestimi i shqiptarëve nga Malësia në aksionin e ashtuquajtur “Fluturimi i shqiponjës”, ngjarjet e Bukovicës, Husajt e Rozhajes, deportimi i refugjatëve të Bosnjës nga Mali i Zi, etj. kuptohet në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave të veta ligjore.
Natyrisht se aktiviteti në lidhje me problemet e shqiptarëve pranë Zyrës së Omdudsmanit do të ishte më i madh, sikurse Zyra do të kishte ndonjë zëvendës shqiptar të Ombudsmanit, meqë Zëvendësit zgjedhen në Kuvendin e Malit të Zi , dhe autorizimet dhe kompetencat e tyre janë shumë më të mëdha sesa të këshilltarëve. Tani Ombudsmani ka dy zëvedës dhe në procedurën e Parlamentit të Malit të Zi ka hyrë edhe propozimi i kandidatit për zgjedhjen e zëvendësit të tretë të Ombudsmanit, dhe të gjithë i pëkasin shumicës etnike, çka është në disfavor të artikulimit të interesave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Si variant tjetër, do të ishte kërkesa për formimin e Ombudsmanit të veçantë për pakicat kombëtare në Mal të Zi. Roli i Ombudsmanit të veçantë për pakica kombëtare në shtetet multietnike ka një rëndësi të madhe për realizimin konsekuent të drejtave të pakicave. Ombudsmani këtu paraqitet dhe si instrument në luftën kundër diskriminimit negativ të pakicave kombëtare. Në disa shtete multietnike janë formuar ombudsmanët e pakicave për mbrojtjen e pjesëtarëve të pakicave etnike dhe nacionale, si për, shembull, në Suedi, Finlandë, Hungari etj.

(Autori është këshilltar i Ombudsmanit të Malit të Zi)

Nikë Gashaj
Koha Javore