Përpjekja për përçarjen e shqiptarëve

February 1, 2009   | Kulturë / Kultura

vilajetin-e-shkodresNë manovrën diplomatike Londra u mbështet më tepër në bashkëpunimin e Vjenës sesa në atë të Parisit. Ata mendonin se popullsia e këtyre rajoneve nuk do të pajtohej me humbjen e Ulqinit dhe se kjo pakënaqësi do të mund të kapërcehej në rast se do t`i jepeshin premtime për autonomi.
Me këtë lojë diplomatike, qeveria britanike e Gledstonit, e cila nuk ishte aspak dakord me kërkesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për krijimin e një vilajeti të bashkuar shqiptar, duke parë se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje t`i kundërvihej haptas zemërimit të shqiptarëve, zgjodhi rrugën e përçarjes së shqiptarëve nëpërmjet idesë autonomiste jo për tërë trojet shqiptare, por vetëm për Vilajetin e Shkodrës. Në këtë manovër diplomatik Londra u mbështet më tepër në bashkëpunimin e Vjenës sesa në atë të Parisit. Ata mendonin se popullsia e këtyre rajoneve nuk do të pajtohej me humbjen e Ulqinit dhe se kjo pakënaqësi do të mund të kapërcehej në rast se do t`i jepeshin premtime për autonomi.
Për propozimin e dhënë u deklaruan të gjitha Fuqitë e Mëdha.
Rusia, si çdoherë, duke qenë mbrojtëse e përbetuar e Malit të Zi, kur mori vesh se, për shkak të rezistencës së shqiptarëve, partnerët e saj mendonin ta korrigjonin për të tretën herë vendimin e tyre për t`i dhënë Malit të Zi në vend të Hotit dhe Grudës një krahinë tjetër që mbante Perandoria Osmane, ministri i saj i Punëve të Jashtme, Girs, deklaroi më 5 qershor 1880 se ai ishte i pakënaqur për të dy projektet e Londrës – si për dhënien e Ulqinit Malit të Zi ashtu edhe për njohjen e autonomisë së Vilajetit të Shkodrës. Megjithatë, për dhënien e Ulqinit Malit të Zi deklaroi se pajtohej në qoftë se do të pajtohej Cetina. Në fund e përkrahi këtë propozim me shpresë se aleatit të saj të vogël në Ballkan do t`i plotësoheshin kërkesat. Ajo insistonte në nevojën që Fuqitë e Mëdha të merreshin vesh për mjetet efikase që duheshin përdorur për ta detyruar Portën e Lartë që t`i plotësonte këto vendime, sepse, sipas Rusisë, posedimi i rajoneve rreth Bunës dhe Ulqini me bregdet janë më tepër se kompensim për territoret e mëparshme.
Italia në fillim shprehu rezervë, sepse kishte frikë nga ndikimi austro-hungarez sipas nenit 29 të Traktatit të Berlinit, por më në fund i dha përkrahje të plotë idesë së Granvilit, duke theksuar faktin se është e nevojshme që më parë të analizohet se mos vallë Porta e Lartë kthehet në realizimin e vendimit të 12 prillit.
Franca e përkrahu propozimin për t`i dhënë Malit të Zi Ulqinin me rrethina, por theksin e vuri në instrumentin diplomatik i cili duhej drejtuar Portës. Sipas Francës, ky instrument diplomatik duhej të ishte marrëveshja ndërmjet të gjitha kabineteve evropiane. Ajo dëshironte që vendimi të ishte rezultat i një qëndrimi të përbashkët dhe mund i të gjitha Fuqive të Mëdha.
Gjermania dha pëlqim global për propozimin e dhënë. Ajo theksonte se kjo është një çështje urgjente që do zgjidhje, prandaj edhe angazhohej për harmonizimin e aksionit të përbashkët të Fuqive të Mëdha.
Mr. Riza Rexha
Koha Javore

1