“Turizmi në funksion të zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese”

February 1, 2009   | Turizmi / Turizam

turizmi-ne-funksion-te-zhvillimit-ekonomikNë Ulqin u mbajt konferenca e parë shkencore ndërkombëtare me titull “turizmi në funksion të zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese”
Të zhvillohet turizmi elitar dhe të ngritet bashkëpunimi me fqinjët
.
Në konkluzionet e konferencës, të miratuara në fund të saj, kërkohet që “turizmi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të proceseve integruese në kushtet e krizës ekonomike së cilës duhet t`i kundërvihemi me një strategji konzistente, si pjesë e një strategjie afatgjate të zhvillimit”.
Ulqin – Qendra për Hulumtime Ekonomike nga Ulqini dhe Zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit organizuan në fundjavë në Hotelin “Olympique” Konferencën e Parë Shkencore Ndërkombëtare, me titull “Turizmi në funksion të zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese”.
Në konferencë morën pjesë ligjërues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosna e Hercegovina dhe Serbia, ndërsa përveç pjesëmarrësve dhe ekspertëve vendorë në të morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Integrimeve dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Autoritetit Mbikqyrës të Konkurrencës në Shqipëri, Bashkisë së Lezhës dhe Dhomës së Tregtisë së Lezhës, etj.
Konferenca i zhvilloi punimet në pesë sesione dhe në të u mbajtën rreth dyzet kumtesa.
Në fillim të konferencës pjesëmarrësit i përshëndetën kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ministri për Mbrotjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, ndihmësministri i Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor, Zoran Duletiq, prof. ass. dr. Armand Krasniqi, këshilltar politik i zv. Kryeministrit të Kosovës, Daniel Dobrev, drejtor i Zyrës për Tregëti pranë Ambasadës së Bullgarisë dhe Zanita Kastrati, drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë pranë Bashkisë Shkodër.
Në konkluzionet e konferencës, të miratuara në fund të saj, kërkohet që “turizmi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të proceseve integruese në kushtet e krizës ekonomike së cilës duhet t`i kundërvihemi me një strategji konzistente, si pjesë e një strategjie afatgjate të zhvillimit”.
Pjesëmarrësit e Konferencës konkluduan se “strategjia e lartpërmendur duhet të bazohet në investimet e shtetit, ndërsa të gjitha subjektet turistike duhet të angazhohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve turistike dhe heterogjenitetin e tyre, kualifikimin e kuadrove, menaxherëve, ndërtimin e kapaciteteve të reja hotelierike dhe infrastrukturës përcjellëse, ngritjen e kategorisë së objekteve të vendosjes dhe ushqimit, zgjatjen e sezonit turistik si dhe shfrytëzimin e rezervave të brendshme”.
“Zhvillimi i turizmit elitar, anulimi i problemeve të shumta, ngritja e bashkëpunimit me fqinjët dhe caktimi i prioriteteve të investimeve”, është një përfundim tjetër i Konferencës.
Referuesit u pajtuan për shfrytëzimin e përparësisve komplementare dhe atyre komparative, të cilat i ofrojnë shtetet fqinje, duke respektuar mundësitë e mëdha që mundëson turizmi për ngjalljen e zonave të lira.
Konferenca u rekomandon bartësve të politikës turistike që me pjesëmarrjen e ekspertëve të njohur të formulojnë një strategji zhvillimi, duke shfrytëzuar modelet dhe shembujt botërorë.
Pjesëmarrësit propozuan ndërmarrjen e investimeve cilësore në komplekse hoteliere dhe objekte të tjera turistike si dhe zvogëlimin në minimum të investimeve në pasuri të paluajtshme.
Ata vlerësuan se duhet të bëhet “institucionalizimi i i veprimtarive kreative dhe balancimi i investimeve private dhe atyre publike, si dhe që interesi duhet t`i zëvendësojë improvizimet e deritashme”.
Konferenca konkludoi po ashtu se nevojitet të lidhet marrëveshje bashkëpunimi në mes të shteteve të rajonit në sektorin e turizmit.
Organizimin e kësaj konference e mundësuan Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Komuna e Ulqinit, Qendra për Hulumtime Ekonomike, Komuna e Tivarit, “Eurosig” nga Tirana dhe donatorë të tjerë.

Kohapress

Info nga zyrja e komunës

YouTube Preview Image